Studentja shqiptare Ilaria Sula, do të festonte sot ditëlindjen e saj të 23-të. Në përkujtim për ditën e ditëlindjes së saj, prindërit e Ilarias kanë ngritur një memorial në vendin ku 23-vjeçari hodhi trupin e saj të pajetë, pasi e masakroi me thikë në banesën e tij.
Gjithashtu, babai i të resë ka falenderuar të gjithëve, përfshirë dhe krytetarin e komunës për gjithçka që është bërë për vajzën e tij.
“Faleminderit të gjithëve, Komunës dhe kryetarit të Capranica Prenestina për zemrën e madhe dhe për gjithçka që është bërë për vajzën time Ilaria”, tha babai i saj, Flamur Sula.
Po ashtu, babai i Ilarias ka bërë dhe një dedikim prekës për të bijën, pasi ajo sot do festonte ditëlindjen e saj të 23-të.
“Ke qenë dhurata ime më e bukur, gëzuar ditëlindjen princesha ime! Më mungon shumë”, shkroi babai i Ilarias në rrjetet sociale, ndërsa ka publikuar edhe disa foto teksa lëshojnë në qiell tullumbace të bardhë.
Gjatë inaugurimit të memorialit, përveç prindërve të Ilarias ishte i pranishëm edhe kryetari i komunës së Capranica Prenestina, Francesco Colagrossi.
Ai u shpreh se ky memorial, i vendosur në vendin ku u gjet trupi i saj, është një dëshmi e dashurisë së pafund të familjes së saj për të.
“Ne morëm pjesë me shumë emocion në inaugurimin e përkujtimores për Ilarian. Ky memorial, i vendosur në vendin ku u gjet trupi i saj, është një dëshmi e dashurisë së pafund të familjes së saj për të. Fotografia që na tregon Ilarianë buzëqeshur, plot jetë, në vitet më të bukura të jetës, ato të projekteve, shpresave dhe ëndrrave, që një dhunë e pabesueshme, e paarsyeshme dhe absurde i ka shuar me brutalitet.
Komuniteti ynë u bashkua me dhimbjen e thellë të familjes, të të afërmve dhe miqve që morën pjesë në këtë ceremoni. Njerëz të thjeshtë, por krenarë dhe të ndershëm, që përballen me jetën çdo ditë me dinjitet dhe sakrificë. Ne i falënderojmë që ndanë me ne këtë moment të shenjtë dhe intime. Ky vend, nga i cili mund të shihni bukurinë e natyrës si asgjëkundi tjetër, do të jetë përjetësisht një kujtim për ty, Ilaria e dashur, dhe do na bëjë të reflektojmë mbi kuptimin e jetës, vlerën e saj dhe se si të mbrohemi nga një dashuri e sëmurë dhe shkatërruese”, u shpreh kryetari.