Sot 22-vjetori i Çlirimit të Kosovës, Meta: Mirënjohje përjetë NATO-s, SHBA dhe vendeve demokratike mike

Presidenti Ilir Meta, përmes një postimi në Facebook, ka kujtuar kohën e çlirimit të Kosovës nga trupat serbe-malazeze në vitin 1999.

Meta I shpreh mirënjohje NATO-, SHBA-ve dhe vendeve të tjera dekokratike që “kurorëzuan këtë aspiratë shekullore dhe kontribuojnë sot për të ndihmuar zhvillimin e pandalshëm të demokracisë, avancimit të proceseve integruese dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare”.

“Dita e Çlirimit të Kosovës, për të cilën çdo qytetar i saj kontribuoi dhe sakrifikoi, na kujton sot se sa e shtrenjtë është liria dhe pavarësia.

Falënderim dhe mirënjohje përjetë NATO-s, SHBA dhe vendeve demokratike mike, që kurorëzuan këtë aspiratë shekullore dhe kontribuojnë sot për të ndihmuar zhvillimin e pandalshëm të demokracisë, avancimit të proceseve integruese dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Sot është dita për të nderuar rezistencën dhe luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Presidentin Ibrahim Rugova, Komandantin legjendar, Adem Jashari dhe të gjithë martirët e kombit shqiptar.

Kosova, faktor paqeje, stabiliteti dhe sigurie në rajon, meriton të jetë anëtare e NATO dhe liberalizimi i vizave për qytetarët e saj është një domosdoshmëri, që duhet të ndodhë sa më parë.

Shqipëria do të jetë gjithmonë pranë Kosovës në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit të saj, avancimit të procesit të integrimit euroatlantik dhe në të gjitha sfidat e ardhshme.

Për të risjellë sot emocionet e veçanta të 12 qershorit 1999, po ndaj me ju raportimin e gazetarit të njohur, Asllan Bajrami, në këtë ditë të shënuar për kombin tonë.

GËZUAR DITËN E PAQES KOSOVË E DASHUR!”, shkruan Meta./albeu.com


Shtuar 12.06.2021 10:54