Gjatë ditës së sotme kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla ka mbajtur një konferencë për shtyp. Ku përpos të tjerash është shprehur se mund të mbledhë grupin e Partisë Socialiste për të marrë një vendim lidhur me mungesën e ish-ministres, tashmë deputetes Elisa Spiropali, në seancën parlamentare për votimin e imunitetit të Belinda Ballukut.
Tashmë Elisa Spiropali, ka bërë një reagim në llogarinë e saj në rrjetin social “Facebook”, ku është shprehur se është: “plotësisht dakord. Nëse çështja kërkon konsultim me grupin parlamentar, atëherë është pikërisht ajo që duhet bërë pa vonesë”.
Më tej ajo i është drejtuar Ballës që të thërrasë grupin dhe të zhvillojnë një diskutim të plotë. “Vendimmarrja kolektive është forca e grupit të PS dhe garancia e legjitimitetit politik. Çdo qëndrim që del nga një diskutim i hapur, i troçtë dhe i ndërgjegjshëm, meriton respekt, pavarësisht drejtimit që merr” shtoi më tej ajo.
Postimi i plotë:
Taulant, e lexova me vonesë një deklaratë tënden publike.
Jam plotësisht dakord. Nëse çështja kërkon konsultim me grupin parlamentar, atëherë është pikërisht ajo që duhet bërë pa vonesë.
Thirre grupin dhe zhvillojmë një diskutim të plotë.
Vendimmarrja kolektive është forca e grupit të PS dhe garancia e legjitimitetit politik. Çdo qëndrim që del nga një diskutim i hapur, i troçtë dhe i ndërgjegjshëm, meriton respekt, pavarësisht drejtimit që merr.
Rëndësi ka që vendimi të jetë i menduar, i argumentuar dhe në përputhje me përgjegjësinë që kemi përballë publikut.
