Partia Progresive Serbe (SNS) e Aleksandar Vuçiçit është futur në një proces shqyrtimi të brendshëm nga Partia Popullore Evropiane (EPP), për shkak të dyshimeve serioze mbi lidhjet e saj me Rusinë, korrupsionin dhe represionin ndaj opozitës. Ky është një sinjal i qartë se partia e Vuçiçit po humb besueshmërinë edhe në sytë e partnerëve ndërkombëtarë.
Vuçiç, i cili për më shumë se një dekadë ka kontrolluar jetën politike serbe përmes SNS-së, akuzohet se ka shndërruar shtetin në një regjim autoritar ku protestat qytetare shtypen me brutalitet policor, opozita përndiqet dhe korrupsioni mbulohet me propagandë.
Ngjarja tragjike në Novi Sad, ku u shemb një tendë betoni duke vrarë 16 qytetarë, nxori zbuluar dështimin dhe neglizhencën e qeverisë së tij, por Vuçiç refuzoi thirrjet për zgjedhje të parakohshme.
Krahas skandaleve të brendshme, marrëdhëniet e ngushta të Vuçiçit me presidentin rus Vladimir Putin kanë rritur alarmet në Bruksel. Edhe pas pushtimit të Ukrainës, Vuçiç nuk hezitoi të shfaqej krah Putinit në paradën ushtarake të Moskës më 9 maj 2025 – një provokim i hapur ndaj aleatëve evropianë.
Brenda PPE-së, presioni për pezullimin apo përjashtimin e SNS-së po shtohet dita-ditës. Nëse ky hap ndodh, do të jetë një goditje e rëndë për Vuçiçin dhe një pranim se partia e tij nuk përfaqëson më vlerat demokratike evropiane, por po rrëshqet gjithnjë e më thellë drejt orbitës ruse.