Plot 14 episode të dokumentuara nga SPAK, tregojnë dhe flasin qartësisht për format e shpejta të mobilizimit dhe përgatitjes së grupit që drejtohej nga Hajdar dhe Franc Çopja.
Përgatitjet e shpejta janë zbuluar përmes komunikimeve në aplikacionin “Sky”, ku informacioni, sigurimi i armëve dhe makinave me qëllim goditjen e objektit në formën “rrufe”, evidentohen në shumë raste.
Në total janë 14 episode ku grupi i drejtuar nga Hajdar dhe Franc Çopja, së bashku me Talo Çelën, kanë krijuar mjetet dhe kushtet për të vrarë, Arjan Spahiun ose siç thirej ndryshe “Arjani i Vogël”.
Grupi është mobilizuar për të vrarë Arjan Spahiun, në dy raste në periudhën kohore nëntor 2020, deri në Janar 2021 dhe dhjetor 2019 deri në janar 2020.
Në fakt Arjan Spahiu, është vrarë në muajin Nëntor 2020, në Molembek të Belgjikës, ku personi që dyshohet për vrasjen është Mikel Kamami alias “Keli i Kicit”, i shpallur në kërkim nga SPAK dhe autoritetet Belge.
Ndërsa sipas prokurorëve Belgë financuesi është Franc Çopja.
Kurse personat që Nuredin Dumani dhe Erjon Alibej dyshojnë se ka shitur Arjan Spahiun në Belgjikë, është Fati Koçi dhe Lutfi Shabani ose siç njihet ndryshe me nofkën “Ben Çami”.
Gjithashtu, në vitin 2020, ky grup kriminal ka tentuar të vrasë dhe Rigers Spahiun, vëllain e Arjan Spahiut.
Rigers Spahiu u arrestua nga policia e Elbasanit, në muajin Tetor 2022 pas dyshimeve se së bashku me Luis Gaxhin kishin siguruar 4 armë automatike për t`i përdorur ato më pas në vrasje.
Por gjatë kësaj kohe në katër raste grupi Çopja, ka siguruar informacion dhe mobilizuar për të vrarë Erjon Alibej, i cili është mik me Arjan Spahiun dhe personazhi kryesor që financonte disa prej vrasjeve të bëra nga Nuredin Dumani.
Nga 2019 deri në 2020, grupi ka krijuar kushtet katër herë të vrasë Alibej, madje edhe gjatë kohës kur ai ka qënë në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, për rastin e plagosjes me armë të Xhon Rustës.
Në dy raste gjatë vitit 2020, ky grup ka tentuar të vrasë vetë vrasësin me pagesë, Nuredin Dumani, por pa arritur ta kapin atë.
Gjithashtu, në dy raste të tjera në vitin 2020, grupi ka tentuar të vrasë Aleksandër alias Aldo Bahon, i cili momentalisht ndodhet në Itali.
Baho njihet ndryshe me nofkën “Sakati” dhe është vëllai i Kevin Bahos të vrarë në Peqin në 2019.
Aldo Baho njihet si mik i “Tarzanit” Enea Alibej i vrarë në dhjetor 2018 në Elbasan.
Sigurim kushtesh janë krijuar dhe për të vrarë, shtetasit A.Ç, E.C dhe Q.A.