Skënder Brataj mohon atentatin ndaj tij dhe denoncon manipulimet me inteligjencë artificiale: S’është e vërtetë! Institucionet të reagojnë

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, përmes një postimi në rrjete sociale ka përgënjeshtruar lajmet se ka rënë pre e ndonjë atentati apo është dhunuar fizikisht.

Brataj shprehet se në faqe interneti dhe rrjete sociale janë publikuar materiale filmike të manipuluara që paraqesin skena të rreme sikur është bërë viktimë e ndonjë atentati.

Brataj thekson se institucionet duhet të veprojnë kundër kësaj fushate mashtruese pasi janë përdorur video dhe zëri i tij nga inteligjenca artificiale.

Sakaq, Brataj përgënjeshtron të ketë reklamuar produkte apo suplemente mjekësore pasi sipas tij është përdorur inteligjenca artificiale.

Reagimi i plotë i Bratajt

Në ditët e fundit janë shpërndarë në disa faqe interneti dhe rrjete sociale materiale filmike të manipuluara, që paraqesin skena të rreme sikur jam bërë viktimë e një atentati, apo jam dhunuar fizikisht.

Dua të njoftoj publikisht qytetarët dhe institucionet për një fushatë mashtruese të organizuar, e cila ka përdorur video të manipuluara me teknologji të inteligjencës artificiale (AI), ku imazhi dhe zëri im janë përdorur pa lejen time, duke më përfshirë në mënyrë të rreme në reklama për produkte mjekësore, kremra apo suplemente.

✅ Këto materiale filmike janë realizuar me qëllim mashtrimi, duke shtrembëruar intervista reale të miat dhe duke krijuar përmbajtje të rreme (deepfake) ku unë paraqitem sikur mbështes apo rekomandoj produkte që nuk i njoh dhe nuk i kam përdorur asnjëherë.

✅ Disa qytetarë më kanë kontaktuar pasi kanë blerë këto produkte, të mashtruar nga identiteti dhe autoriteti im i keqpërdorur në mënyrë kriminale.

Për këtë arsye, deklaroj se:

•Nuk kam asnjë lidhje me asnjë produkt mjekësor, kozmetik apo suplement që qarkullon nëpër reklama me emrin apo figurën time.

•Çdo përdorim i zërit, figurës dhe emrit tim në këtë kontekst është abuziv, i manipuluar dhe përbën mashtrim penal.

•U bëj thirrje mediave, rrjeteve sociale dhe portaleve që të fshijnë menjëherë këto materiale dhe të shmangin përhapjen e tyre të mëtejshme.

I kërkoj qytetarëve që të mos bien pre e mashtrimeve, të jenë të kujdesshëm ndaj çdo “reklame mrekullie” që përfshin figura publike, dhe të informohen vetëm nëpërmjet kanaleve zyrtare institucionale dhe konsultës me mjekë profesionistë.

Ky mashtrim nuk është vetëm cenim i figurës sime, por rrezik për shëndetin e qytetarëve dhe një precedent i rrezikshëm i përdorimit të teknologjisë për mashtrim publik.

Dr. Skënder Brataj.


Shtuar 7.07.2025 18:42