Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka shpallur fajtor 6 persona dhe 5 kompani për krijimin e një skeme mashtruese lidhur me përfitimin e rimbursimit të TVSH-së.
Në mesin e të shpallurve fajtorë janë edhe dy shtetas italianë dhe kompanitë e tyre.
Sipas hetimeve të Prokurorisë, të pandehurit kanë ngritur kontrata fiktive konsulence juridike për të shpërndarë paratë dhe shmangur detyrimet tatimore.
Ilir Qafa dhe Elton Beqiraj, së bashku me italianët Andrea Emanuele di Dio, Salvatore Castorina, dhe Salvatore Cascino, kanë qenë pjesë e skemës mashtruese, ku organizatori kryesor rezulton të jetë Andrea Emanuele di Dio. Kontabilisti Zaho Kuka është shpallur fajtor për trajtim kontabël të gabuar.
Dënimet për personat fizikë:
Ilir Qafa – 3 vite burg për “Krijim skemash mashtruese lidhur me TVSH”
Elton Beqiraj – 3 vite burg për të njëjtën vepër dhe mospagim taksash
Andrea Emanuele di Dio – 4 vite burg për “Fshehje të të ardhurave” dhe krijim skemash mashtruese
Salvatore Castorina – 3 vite burg për krijim skemash mashtruese dhe mospagim taksash
Salvatore Cascino – 3 vite burg për të njëjtën vepër
Zaho Kuka – 180 orë punë në interes publik për “Moskallëzim të krimit”
Dënimet për personat juridikë:
Sidec Albenergy sh.p.k. – gjobë 1,500,000 lekë
Primis sh.p.k. – gjobë 1,000,000 lekë
Gainsbourg sh.p.k. – gjobë 1,200,000 lekë
Al Nair Trading sh.p.k. – gjobë 1,200,000 lekë
Njoftimi:
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë u shpallën fajtor shtetasit I.Q., E.B., A.D., S.C., S.C., Z.K., si dhe shoqëritë ‘Sidec Alenergy’ shpk, ‘Primis’, ‘Gainsbourg’ shpk, ‘Al Nair Trading’ shpk dhe ‘CS International Consulting’ shpk, për veprat penale ‘Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar’ e kryer në bashkëpunim, ‘Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëe’, ‘Mospagimi i taksave dhe tatimeve’ si dhe ‘Fshehja e të ardhurave’, parashikuar nga nenet 144/a dhe 25, 190/2, 181 dhe 180/a të Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procedimi penal nr.252 të vitit 2021, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, provoi se shtetasit I.Q. dhe E.B, në bashkëpunim me shtetasit italianë A.D, S.C dhe S.C., kanë ngritur një skemë mashtruese për përfitimin e rimbursimit të TVSH, nëpërmjet kontratave fiktive të konsulencës juridike.
Këta persona dhe shoqëritë e tyre krijuan një skemë të mirëorganizuar të qarkullimit të parave përmes shërbimeve fiktive, me synim shpërndarjen e shumave monetare dhe shmangien e detyrimeve tatimore dhe përfitimin e padrejtë të TVSH-së, në kundërshtim me ligjet shqiptare dhe ndërkombëtare.
Të pandehurit I. Q., E.B., S. C. dhe S.C. kanë qenë në rolin e ndihmësit të të pandehurit A.D., i cili rezulton të jetë në rolin e organizatorit, krijuesit dhe përfituesit kryesor nga kjo skemë mashtruese. Ata kanë pranuar të lëshojnë në mënyrë fiktive fatura tatimore për shërbime konsulence në favor të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të shoqërisë “Sidec” të pandehurit A. D., duke e ditur shumë mirë se shoqëritë e tyre dhe ajo e të pandehurit u krijuan në funksion të ngritjes dhe vazhdimit të skemës mashtruese. Ndërkohë i pandehuri Z. K., me detyrë kontabilist, duke qenë në dijeni të plotë të situatës financiare, ka bërë një trajtim kontabël plotësisht të gabuar. Sa më sipër, me kërkesë të prokurorisë u shpallën fajtor shtetasit:
I.Q. – Për kryerjen e veprës penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 144/a dhe 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 vjet burgim;
E.B.,- Për kryerjen e veprës penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 144/a dhe 25 i Kodit Penal “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, dhe dënimin e tij me 3 vjet burgim;
A.D – Për kryerjen e veprës penale “Fshehja e të ardhurave”, të parashikuar nga neni 180/3 i Kodit Penal dhe “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, e kryer në bashkëpunim dhe dënimin e tij me 4 vjet burgim;
S.C. – Për kryerjen e veprës penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, të parashikuar nga neni 181 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim;
S.C. – Për kryerjen e veprës penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, e kryer në bashkëpunim dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, të parashikuar nga neni 181 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
Z.K. – Për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit”, të parashikuar nga neni 300 dhe dënimin e tij me 180 (njëqind e tetëdhjetë) orë punë në interes publik;
Deklarimin fajtor të personit juridik, shoqërisë “Sidec Albenergy” sh.p.k. për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” e kryer në bashkëpunim dhe “Fshehja e të ardhurave” dhe dënimin e tij me gjobë 1.500.000 lekë.
Deklarimin fajtor të personit juridik, shoqërisë “Primis” sh.p.k. për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” e kryer në bashkëpunim dhe dënimin e tij me gjobë në masën 1 000 000 lekë.
Deklarimin fajtor të personit juridik, shoqërisë “Gainsbourg” sh.p.k. për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” e kryer në bashkëpunim dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe dënimin me gjobë 1.200.000 lekë.
Deklarimin fajtor të personit juridik, shoqërisë “Al Nair Trading” sh.p.k. për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” e kryer në bashkëpunim dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe dënimin me gjobë 1.200.000 lekë.
Deklarimin fajtor të personit juridik, shoqërisë “CS International Consulting” për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” e kryer në bashkëpunim dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe dënimin e tij me një gjobë prej 1.200.000 lekë.
