Skema për t’u dhënë fëmijëve nënshtetësi amerikane, Ambasada e SHBA: E papranueshme

“Është e papranueshme që prindër të huaj të përdorin një vizë turistike amerikane me qëllimin parësor për të lindur në Shtetet e Bashkuara që të sigurojnë nënshtetësinë për fëmijën”.

Ky është mesazhi i Ambasadës Amerikane për qytetarët shqiptarë, të cilëve u bën thirrje të “mos keqpërdorin vizat turistike dhe të mos udhëtojnë për të lindur në SHBA”.

“Është e papranueshme që prindër të huaj të përdorin një vizë turistike amerikane me qëllimin parësor për të lindur në Shtetet e Bashkuara që të sigurojnë nënshtetësinë për fëmijën, çka mund të përfshijë edhe shpenzime për kujdesin mjekësor që mbulohen nga taksapaguesit amerikanë. Ky njihet si “turizmi i lindjes” dhe oficerët konsullorë të ShBA refuzojnë të gjitha aplikimet për viza të tilla sipas ligjit të emigracionit të ShBA. Ata që keqpërdorin sistemin tonë të emigracionit përmes turizmit të lindjes mund të humbasin të drejtën për viza në të ardhmen ose për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara. Kjo është një mënyrë më shumë se si Departamenti Amerikan i Shtetit po u shërben dhe mbron taksapaguesit dhe komunitetet amerikane”, shkruan Ambasada Amerikane në rrjetet sociale.