Skema me Call Center në Tiranë/ Mashtronin shtetas të huaj për të investuar në bursa fiktive, bien në pranga dy persona

Këtë të mërkurë, është goditur nga Policia e Tiranës, një tjetër rast i mashtrimit përmes Call Center.

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Last Call”, duke zbuluar një ambient të përshtatur për veprimtari të paligjshme.

Gjatë operacionit, u vunë në pranga dy shtetas, të cilët akuzohen se administronin një subjekt të paregjistruar, të shndërruar në Call Center me qëllim mashtrimin e shtetasve të huaj.

Hetimet kanë zbuluar se ambienti, i ndodhur në Rrugën e Barrikadave, ishte përshtatur në mënyrë të paligjshme për të operuar si call center.

Të dy personat telefononin qytetarë të huaj, duke i mashtruar për të investuar në bursa fiktive, me qëllim përfitimin e paligjshëm të të ardhurave.

Njoftimi:

DVP Tiranë/Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, operacioni policor i koduar “Last Call”.

Zbulohet një tjetër ambient i përshtatur për call center.

Vihen në pranga 2 shtetas të cilët administronin këtë ambient (call center), përmes të cilit mashtronin shtetas të huaj, për të investuar në bursa fiktive.

Sekuestrohen 5 laptopë dhe 2 aparate celularë, që përdoreshin për këtë veprimtari kriminale.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, pas një pune të mirëfilltë hetimore, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Last call”.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit O. V., 35-vjeç, dhe A. B., 32-vjeç, të dy banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas administronin një subjekt të palicencuar, me aktivitet të padeklaruar në organet kompetente, në Rrugën e Barrikadave, të cilin e kishin përshtatur si Call Center.

Ata, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, telefononin shtetas të huaj dhe, përmes mashtrimit, i bindnin ata të investonin në bursa fiktive.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 4.06.2025 09:45