Skandali se*sual që fundosi Gjicin, BIRN: Institucionet fshehin “kokën si struci” për zgjedhjet e reja në Kukës

Zgjedhjet e parakohshme për zëvendësimin e kryebashkiakut të shkarkuar të Kukësit, Safet Gjici, rrezikojnë të mos mbahen brenda afteve ligjore, pasi institucionet përgjegjëse i pasojnë fajin njëri-tjetrit për praktika shkresore.

Gjici u rizgjodh më 14 maj, por dha dorëheqjen më 16 qershor dhe po atë ditë u shkarkua nga Këshilli i Ministrave, pasi në internet qarkulloi një video e tij duke kryer marrëdhënie seksuale me një grua në zyrë dhe u arrestua pak ditë më vonë për “korrupsion pasiv”.

Vendimi për shkarkimin e tij kishte fuqi të menjëhershme, edhe pse u botua në Fletoren Zyrtare të datës 26 qershor.

Kodi Zgjedhor parashikon që zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45 ditëve, por Presidenti nuk ka shpallur ende një datë, edhe pse ka kaluar një muaj nga shkakimi i tij.

Institucioni i Presidentit të Republikës i tha BIRN të mërkurën se ishte në pritje të njoftimit të vakancës nga Këshilli i Ministrave.

“Sapo të mbërrijë vakanca në Presidencë zyrtarisht,” u përgjigj një zëdhënëse e Presidencës.

Ajo pretendoi se nuk mjaftonte njoftimi publik dhe as ai në Fletore Zyrtare, por duhej të vihej në dijeni institucioni edhe shkresërisht. Presidenca kërkoi kohë për një përgjigje kur u pyet se në cilat dispozita ligjore bazohej kjo praktikë.

Ndërkohë, Kryeministria pretendon se e ka kryer detyrën e saj me publikimin e vendimit.

“Vendimi është publikuar me kohë në Fletoren Zyrtare,” tha zëdhënësja Manjola Hasa.

Pingpongu mes Kryeministrisë dhe Presidencës duket se lidhet me paqartësinë e mazhorancës për kandidatin për kryebashkiak të Kukësit.

Dy burime nga Partia Socialiste të pavarura nga njëri- tjetri i thanë BIRN se kryeministri Edi Rama “nuk ka gjetur ende një kandidat të ri për Kukësin”, i konsideruar një bastion i demokratëve.

Neni 10 i Kodit Zgjedhor specifikon se :“Në rast të ndërprerjes së mandatit, për shkaqet e parashikuara në nenin 115 të Kushtetutës, zgjedhjet mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit”. Kodi nuk specifikon mënyrën e njoftimit mes institucioneve.

Ekspertët e shohin çështjen si mangësi në integritetin institucional për aplikimin në raste të tilla të praktikave të mira administrative dhe si mungesë vullneti për zbatimin e ligjit zgjedhor.

Afrim Krasniqi, drejtori i Institutit të Studimeve Politike, një organizatë që monitoron zgjedhjet, thotë se data për rizgjedhjen e kryebashkiakut të Kukësit duhet të mbahen mes datës 16-30 korrik dhe se KQZ duhej të njoftonte për vakancën.

“Shkarkimi i tij ka ndodhur më 16 qershor. Në dijeninë time Gjici nuk e ka ankimuar në Gjykatë Kushtetuese vendimin, kështu që pas datës 16 qershor do të duhej të njoftohej data e zgjedhjeve mes 16 korrikut dhe 30 korrikut,” tha ai.

Sipas Krasniqit, procedura do të ishte ndryshe nëse do të ishte bërë me akt dorëheqje, siç njoftoi fillimisht Gjici, por në rastin e shkarkimit procedura është më e shpejtë.

“Dy aktet nuk janë sqaruar,”- shton ai -“por si rregull Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të duhet të informonte Presidentin e Republikës për situatën e krijuar me shkrim dhe t’i sugjeronte një datë për zgjedhjet brenda afateve të Kodit Zgjedhor”.

Ndërkohë, KQZ pretendon se kjo është një çështje që nuk lidhet me kompetencat këtij institucioni, por të qeverisë.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi i pyetur nga BIRN për përplasjen mes Kryeministrisë dhe Presidencës dhe nëse KQZ mund të luajë një rol duke njoftuar Presidencën për vakancën, tha: “Kjo është një çështje tërësisht e qeverisë”.

“Është në kompetencë të saj njoftimi mbi vakanca të mundshme. KQZ nuk ka asesi rol proaktiv në këtë proces,” shtoi Celibashi, duke mos dhënë komente të tjera mbi pyetjen nëse kryeministria po shkelte ligjin./BIRN


Shtuar 13.07.2023 07:46