Këtë të shtunë, një magazinë ku falsifikoheshin etiketat e produkteve ushqimore të skaduara dhe më pas hidheshin sërish në treg, është zbuluar në Vorë nga Policia e Tiranës.
Administratori i magazinës, Florenc Domi, 38-vjeç dhe magazinieri Agim Domi, 58-vjeç, janë vënë në pranga, ndërsa ortaku dhe shoferi i magazinës po hetohen në gjendje të lirë.
Nga hetimet rezultoi se subjekti me aktivitet import-eksport dhe tregtim të produkteve industriale dhe ushqimore, grumbullonte produkte të skaduara si çokollata, fruta të thata, patatina, kroasan, kikirika nga tregje të ndryshme në Tiranë, Durrës e Elbasan.
Pasi u falsifikonte datat e skadencës i hidhte sërish në treg, pa dokumentacion tatimor.
Gjatë operacionit, u sekuestruan në cilësinë e prova materiale 716 koli dhe dhjetra kilogramë me mallra ushqimorë të përpunuara që kishin afatin e skadencës në janar dhe shkurt 2025 dhe afati i skadencës ishte falsifikuar me qëllim rihedhjen në treg.
Të arrestuarit akuzohen për veprat penale, shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, fshehja e të ardhurave, mospagimi i taksave dhe tatimeve”, punësim i paligjshëm dhe importi, prodhimi, shitja, ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve.