Skandali me TIMS/ Si u zbulua Drejtorit i IT në Polici! U fiksua nga kamerat, kallëzimi pas insistimit të amerikanëve

Ervin Muça, drejtori i IT-së në Policinë e shtetit, u arrestua një ditë më parë. Ai akuzohet për kopjimin pa autorizim të të dhënave të sistemit TIMS. Me urdhër të drejtorit të Policisë së Shtetit, Muça u pezullua gjithashtu nga detyra.

Muça pasi shkarkoi të dhënat e paautorizuara duke përdorur pin-in e një punonjëse, i kaloi ato në kompjuterin e tij. Para hetuesve në deklarimet paraprake, Muça ka mohuar kryerjen e veprës penale për të cilën akuzohet, “Hyrjes së paautorizuar në të dhënat kompjuterike”.

Ndonëse ai mohon akuzën, hetuesit kanë në dorë pamje filimike që kanë fiksuar Ervin Muçën ditën që është ndërhyrë në sistemin TIMS, 2 gusht 2023.

Ervin Muça pretendon se nuk ka qenë në zyrë atë ditë, por sipas Report tv, ai është filmuar nga kamerat e bizneseve rreth e rrotull. Ndërkohë, edhe roja ka deklaruar se Muça ka qenë në zyrë ditën që është ndërhyrë në sistemin TIMS.

Pak ditë më parë mbi këtë ngjarje u ngrit edhe një komision hetimor parlamentar, i cili do të hetojë rrjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS.

Mësohet se kallëzimi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore vitin e kaluar u bë në organet e drejtësisë pas insistimit të përfaqësisë amerikane në Shqipëri të cilët zbuluan edhe ndërhyrjen në sistemin e të dhënave TIMS.

Muça është rekrutuar në polici kur Ministria e Brendshme drejtohej nga Bledi Çuçi.

Çfarë ka ndodhur më 2 gusht 2023

Mesnatën e 2 gushtit 2023, Ervin Muça, drejtori i sapo-emëruar i Teknologjisë së Informacionit në Policinë e Shtetit, hyn në zyrën ku gjendet serveri qendror i bazës së të dhënave TIMS.

Duke përdorur kodet e disa punonjësve të tjerë për të mos lënë gjurmë, Muça kopjon të dhënat e qytetarëve.

Kjo histori u raportua fillimisht nga gazetari Ferdinand Dervishi dhe eksperti i IT-së, Gent Progni. Autoritetet u munduan ta mohonin fillimisht.

Por, skandali doli në dritë kur përfaqësuesi i ambasadës amerikane në Tiranë, Martin McDowell shprehu shqetësimin e SHBA-ve lidhur me shkeljen në sistemin TIMS në Policinë e Shtetit, gjatë një takimi me Ministrin e Brendshëm, Taulant Balla, në 22 gusht të vitit të kaluar.

McDowell kërkoi hetim të shpejtë dhe të plotë, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta mbështesin Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit në hetimin e tyre.

Disa ditë pas këtij takimi, e konkretisht në 1 shtator 2023, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore referon në Prokurorinë e Tiranës materialet për dyshime mbi kryerjen e veprës penale të “ndërhyrjes së paautorizuar në sistemet kompjuterike”.

Ndërkohë që Prokuroria po kryente hetimet, skandali mori përmasa të gjera. Opozita parlamentare, pas gjashtë muajsh betejë politike, arriti të siguronte dakordësinë e maxhorancës për ngritjen e tre komisioneve hetimore parlamentare.

Njëri prej këtyre komisioneve, i cili nisi punën javën e kaluar, ka si objekt pikërisht hetimin parlamentar për ndërhyrjet në sistemin TIMS.

Opozita beson se ndërhyrja në bazën e të dhënave është realizuar me urdhër politik, për të fshehur të dhëna për udhëtime të zyrtarëve të lartë apo familjarë të tyre me persona me histori kriminale.

Në qendër të këtyre dyshimeve qëndrojnë udhëtimet e supozuara të Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit Edi Rama, me anëtarë të grupit kriminal që ngritën laboratorin e kokainës në Xibrakë të Elbasanit, në vitin 2014.

Krahas betejës politike, Prokuroria e Tiranës po zhvillonte hetimin, bazuar në referimin e AMP-së.

Prokurorja e çështjes, Anisa Qilimi dhe drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Arens Çela, kanë krijuar dyshime të forta se autori i ndërhyrjes në sistemin TIMS është drejtori i IT, Ervin Muça.

Ata i janë drejtuar Gjykatës së Tiranës, e cila së fundmi ka miratuar masën e sigurimit “arrest në shtëpi” për Muçën./albeu.com


Shtuar 10.04.2024 11:06