Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit (GJKKO), ka rrëzuar kërkesën e zyrtares së lartë të Policisë së Shtetit, Ervina Gjana, për kthimin e pajisjeve elektronike të sekuestruara gjatë kontrollit të banesës së saj dhe të bashkëjetuesit Renato Hristic.
Gjatë kontrollit në banesën e Drejtoreshës së Krimit Kibernetik, autoritetet kanë sekuestruar tetë telefona celularë dhe dy laptopë, në kuadër të hetimeve mbi grupin kriminal të lidhur me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Sekuestrimi i telefonave dhe laptopëve u krye në kuadër hetimit për përfshirje në grup të strukturuar kriminal me aktivitet mashtrime online, call-center, ndërhyrje në sistemet informatike dhe TIMS, si dhe bashkëpunim në krimin kibernetik, ku rezulton i përfshirë edhe bashkëshorti i saj, Renato Hristiç.
Ndërkohë, emri i saj është përmendur edhe në bisedat e publikuara të Ergys Agasit.
Ergys Agasi: (flet ne telefon) O mo vlla, hë ça bën mirë je ti… mirë, mirë. Shiko tashi, do të vi ERVINA se do të bëhet një aksion për disa falsifikime…”.
Nga hetuesit ka dyshime se Ergys Agasi, përmes Gjanës vinte në lëvizje strukturat e hetimit kibernetik për të goditur biznese të ligjshme apo grupe kriminale rivale, me qëllim largimin e tyre nga veprimtaria ku ai, apo miq të tij, kishin interesa.
