SPAK ka nisur hetimet për politikanin dhe biznesmenët shqiptarë që kanë dalë në skandalin e “Pandora Papers”.
Kryeredaktori i BIRN, Besar Likmetaj ka bërë me dije se ka marrë një telefonatë nga kreu i SPAK Arben Kraja, të cilit i ka dhënë kontakte me rrjetin e gazetarëve që hetuan të dhënat. Nga dokumenet u zbulua se në mesin e politikanëve në të gjithë botën që kanë lidhje me llogaritë offshore, është edhe një politikan shqiptar. Sipas të dhënave të “Pandora Papers” janë edhe 13 kompani offshore, ku përfitues të fitimeve janë shqiptarë, edhe pse kompanitë nuk janë në emër të tyre.
Pak ditë më parë është zbuluar emri i një biznesmeni shqiptar që ka transferuar miliona euro për një kompani ‘offshore’ të konsulencës. Dokumentet e publikuara zbuluan se kompania boshnjake ‘Energoinvest’, e cila ndërtoi linjën e interkonjeksionit midis Shqipërisë dhe Kosovës, i pagoi miliona euro një firme të vogël konsulence në Emiratet e Bashkuara Arabe, e drejtuar nga një biznesmen shqiptar. Kompania kishte firmosur një kontratë prej 29 milionë euro me OST në Shqipëri në prill të vitit 2014 për të ndërtuar pjesën e linjës që shtrihej në Shqipëri, e cila mbaroi në mes të vitit 2016. Dokumentet zbulojnë se një firmë e vogël konsulence e regjistruar në Emiratet e Bashkuara Arabe një muaj më parë, kompania ‘AL Energy Transmission’ e cila drejtohet nga biznesmeni shqiptar, Vasil Kallupi, ka marrë nga Energoinvest një shifër prej 3.6 milionë eurosh.
Panora Papers zbuloi se 330 zyrtarë publikë në të gjithë botën kanë lidhje me llogaritë offshore. Dokumentat e ekzaminuara tregojnë shtrirjen, në të cilën operacionet sekrete offshore kanë prekur politikat financiare globale. Investigimi i publikuar më 3 tetor ka zbuluar, se 35 përqind e udhëheqësve të sotëm dhe të mëparshëm botëror, përfshirë edhe ish-kryeministrin Britanik Tony Blair, mbretin e Jordanisë dhe presidentin e Kenias, Uhuru Kenyatta, si edhe miliarderë të fuqishëm janë partnerë në kompani që shfrytëzojnë parajsat fiskale offshore.
Para Shqipërisë edhe shumë shtete të tjera kanë nisur hetime mbi aktivitetet financiare të disa prej zyrtarëve të tyre të përfshirë. Ndër to në hetim janë zyrtarët në Pakistan, Meksikë, Spanjë, Brazil, Sri Lanka, Australi dhe Panama. Dokumentat zbuluan sesi miliarderët politikanët dhe kriminelët shfrytëzojnë një sistem financiar në hije që mbulon shmangien e taksave dhe pastrimin e parave./Abcnews.al