Skandali i dhunës së Rrajave në Borizanë, Policia e Shtetit kalon topin te Prokuroria: Ne i kemi kryer të gjitha veprimet pas denoncimit të fisit Maja

Policia e Shetit ka dalë me një tjetër njoftim zyrtar në lidhje me dhunën në Borizanë të kryer në mënyrë barbare nga Rrajat ndaj dy kushërinjve Maja, pasi këta të fundit kishin denoncuar dëmet e shkaktuara nga Gurorja në Krujë.

Policia e Shtetit shprehet se i ka kryer të gjitha veprimet konform ligjit.

Gjithashtu policia thekson se janë trajtuar në zbatim të procedurave standarde të punës dhe çdo material procedural i është referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për kryerjen e hetimeve të thelluara.

Njoftimi:

Sqarim i Policisë së Shtetit

Në vijim të informacioneve të dhëna rreth konfliktit të ndodhur në Borizanë, më datë 06.07.2023, ju bëjmë me dije se:

1.Policia e Krujës, në përmbushje të plotë të detyrave funksionale, pas denoncimit të bërë nga shtetasi B. M., për shkatërrim të pronës, ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme policore, dhe më datë 05.05.2023 ka referuar në Prokurori, me shkresën nr. 1408, materialet procedurale prej 20 faqesh, mbi këtë kallëzim. Materialet procedurale të referuara përfshinin informacionin e referimit të veprës penale, procesverbalin e kallëzimit, procesverbalin e këqyrjes së vendit, procesverbalin e deklarimeve dhe procesverbalin e këqyrje-marrjes së provave materiale.

2.Në vijim, si rezultat i veprimeve konkrete hetimore dhe procedurale të kryera mbi këtë kallëzim, Policia e Krujës, më datë 10.05.2023, ka referuar në Prokurori, me shkresën nr. 1466, materialet procedurale prej 186 faqesh, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga neni 150 i Kodit Penal. Materialet e para procedurale përfshinin referimin e veprës penale, procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, procesverbalet e këqyrjes së banesave, procesverbalet e deklarimeve të personave që kanë djeni, vendimin për caktimin e ekspertit dhe për caktimin e ekspertimit teknik, si dhe procesverbalin për këqyrjen dhe marrjen e dokumenteve.

3.Gjithashtu, në vijim të veprimeve policore për këtë rast, Policia e Krujës, më datë 30.05.2023, ka referuar në Prokurori, me shkresën nr. 1466/1, materiale procedurale shtesë të kryera në funksion të dokumentimit të plotë ligjor të këtij rasti.

Theksojmë se Policia e Krujës ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme procedurale për këtë rast, me paanshmëri dhe konform ligjit, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të përgjegjësisë penale të shtetasve përgjegjës. Kallëzimi i marrë për këtë rast, si dhe çdo indicie tjetër, janë trajtuar në zbatim të procedurave standarde të punës dhe çdo material procedural i është referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për kryerjen e hetimeve të thelluara.

Policia e Shtetit siguron qytetarët se është e vendosur për të zbatuar ligjin me korrektësi dhe me paanshmëri, si dhe për të ndëshkuar ligjërisht, cilindo që cenon liritë dhe të drejtat e qytetarëve./albeu.com


Shtuar 10.07.2023 13:45