Skandali i Adeyem me armë të paligjshme! A rrezikon përjashtim nga Gjermania?

Ylli i Borussia Dortmund dhe përfaqësues i Gjermanisë, Karim Adeyemi, është vënë në qendër të vëmendjes gjatë fundjavës, pasi tabloidi gjerman Bild raportoi se sulmuesi 22-vjeçar ka marrë një urdhër penal dhe është gjobitur me 450,000 euro për posedim armësh të paligjshme. Sipas raportimit, Adeyemi ka qenë në posedim të një grushti hekuri (knuckle duster) dhe një taser-i elektrik, dy objekte që në Gjermani konsiderohen armë të ndaluara dhe klasifikohen si mjete që rrezikojnë sigurinë publike.

Trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, u përball me pyetje rreth incidentit të dielën, gjatë konferencës për shtyp. Ai konfirmoi se ka biseduar me lojtarin së bashku me drejtorin sportiv të kombëtares, Rudi Völler, por theksoi se prioriteti momentan është ndeshja vendimtare e të hënës në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026 kundër Sllovakisë.

“Por kjo është një çështje që kërkon shumë kohë dhe vëmendje. Ne kemi një ndeshje të rëndësishme nesër. Prandaj do të merremi me këtë çështje pas ndeshjes.”

Deklarata e trajnerit tregon qartë se përfaqësuesja gjermane po përpiqet të shmangë çdo shpërqendrim para sfidës vendimtare të radhës.

A do të luajë Adeyemi?

Pavarësisht zhurmës së krijuar, pritet që Adeyemi të jetë pjesë e skuadrës për sfidën kundër Sllovakisë. Sipas burimeve nga kampi gjerman, lojtari do të jetë i gatshëm për të luajtur, pasi çështja ligjore nuk e pengon përfshirjen e tij në aktivitetet sportive.

Gjermanisë i mjafton një barazim për të siguruar kualifikimin për Kupën e Botës 2026, gjë që e bën sfidën e së hënës edhe më të rëndësishme.


Shtuar 17.11.2025 15:47

Tags: ,