S’ka më “patronazhistë”, çfarë thotë ligji i ri

Duket se “patronazhistët” nuk do të ekzistojnë më gjatë fushatave elektorale.

Kjo pasi ligji i ri “për mbrojtjen e të dhënave personale” u ndalon partive politike që të përdorin të dhënat e shqiptarëve. Duke u nisur nga skandali i “partonazhistëve” me rregullimin e ligjit të ri partitë politike nuk e kanë më “kënaqësinë” që të përdorin të dhënat, përveçse të anëtarëve të tyre.

“Me kusht që të zbatohen masa të përshtatshme për mbrojtjen e të drejtave themelore dhe interesave të subjekteve të të dhënave, lejohet përpunimi i të dhënave sensitive në rastet kur: është i nevojshëm për veprimtarinë e ligjshme të organizatave jofitimprurëse politike, filozofike, fetare dhe sindikaliste, me kusht që përpunimi të lidhet vetëm me anëtarët ose ish-anëtarët e organizatës ose me persona që kanë kontakte të rregullta me të në kuadër të veprimtarisë së saj, si dhe që të dhënat personale të mos përhapen jashtë organizatës pa pëlqimin e subjekteve të të dhënave”, thuhet në nenin 9, pika 2 shkronja d e projektligjit.

Kujtojmë se databaze i “patronazhistëve” u publikua pak para zgjedhjeve të 25 prillit të vitit 2021 dhe përmbante të dhënat (ID number, nr celular, kontakte) të vjedhura të 910 mijë votuesve në vend.

Gjatë kësaj kohë dolën të dhënat personale të mijëra qytetarëve, si dhe targat e makinave të shumë të tjerëve./albeu.com/