Situatë e vështirë në Qarkun e Korçës/ Rrëshqitje dherash, bllokime rrugore dhe mungesë energjie

Në Qarkun e Korçës vijon situata e vështirë, për shkak të rrëshqitjeve të dherave dhe kushteve të pafavorshme të motit.

Në Bashkinë Pogradec, disa familje u evakuan në fshatrat Cërravë dhe Dardhas, ndërsa rruga Trebinjë–Dunicë dhe rruga Zall–Torra mbeten të bllokuara.

Njësitë administrative dhe specialistët e Shërbimit Gjeologjik, po monitorojnë situatën dhe po hartojnë hapat e mëtejshëm të ndërhyrjes.

Në rrjetin rrugor, disa akse po pastrohen dhe kriposen pas reshjeve të borës, ndërsa qarkullimi në shumë zona kryhet normalisht me goma dimërore.

Problem mbeten aluvionet në Lozhan dhe reshjet e vazhdueshme në Libonik–Rëmbec–Plasë.

Në sektorin e energjisë elektrike, disa fiderë ruralë vijojnë të jenë pjesërisht pa energji, por të gjitha zonat me rëndësi kritike janë funksionale. Ekipet operative të OSSHEE janë në terren për riparime dhe monitorim të situatës.


Shtuar 12.01.2026 09:47