3 vatra aktive zjarri raportohen gjatë 24 orëve të fundit në vend.
Gjatë 24 orëve të fundit në vend raportohen 5 vatra zjarri, 3 vatra janë aktive dhe 2 në monitorim.
Vatra e zjarrit në Ternovë, njësia administrative Zerqan në bashkinë Bulqizë po mbahet nën monitorim për të eliminuar çdo mundësi riaktivizimi nga djegia e trungjeve të thatë brenda vatrës.
Situata vijon të monitorohet në fshatrat Kulumri dhe Lumi i Trunit në bashkinë Fushë-Arrëz.
Gjatë orëve të mëngjesit është bërë rivlerësimi i situatës dhe aktualisht po punohet për të parë nëse ka vatra aktive, si dhe për izolimin e cungjeve që vijojnë të digjen. Momentalisht, situata është e qetë dhe flakët janë shuar, por puna po vijon për të garantuar izolimin e plotë të vatrës.
Vatra e zjarrit në Malin e Bërzhitës në fshatrat Ibë dhe Durisht të njësive administrative Bërzhitë dhe Petrelë ndodhet në një terren shumë të largët dhe të vështirë për ndërhyrje nga toka. Aktualisht, nuk përbën rrezik për banesat apo zonën pyjore.
Zjarri i nisur më 10 gusht në fshatrat Damjan dhe Isufaj të Tiranës dhe i përhapur edhe në zonën e Pezë – Helmës, vijon të jetë aktiv në disa vatra të minimizuara, por që po mbahen nën mbikëqyrje deri në fikjen përfundimtare.
Në Parkun Natyror Gërmenj, njësia administrative Leskovik të bashkisë Kolonjë situata paraqitet më e qetë si pasojë e punës se forcave operacionale por dhe për shkak të reshjeve të shiut të rëna pasditen e djeshme.