Ditën e sotme, rrëshqitjet e dheut dhe vërshimet e ujërave si pasojë e motit të keq, kanë bllokuar disa zona malore në Dukagjin, duke izoluar përkohësisht banorët.
Situata paraqitet më problematike në aksin Theth–Ndërlysa dhe në segmentin Ndërlysa–Breg Lumi, ku disa fshatra mbeten të shkëputur pasi rrugët janë bërë të pakalueshme.
Autoritetet vendore njoftojnë se po pritet ndërhyrja e mjeteve të bashkisë Shkodër dhe ekipeve të Emergjencave Civile, të cilave do t’u bashkohen edhe Forcat e Ushtrisë, me qëllim zhbllokimin e rrugëve dhe rikthimin e qarkullimit normal për banorët e zonës.
Ndërkohë, rruga kryesore Shkodër–Theth raportohet të jetë e kalueshme dhe pa probleme, ashtu si edhe akset nacionale dhe rrugët kryesore në gjithë qarkun Shkodër.
Përveç izolimit të fshatrave, një tjetër shqetësim mbetet mungesa e energjisë elektrike në shumë zona të bashkisë Vau Dejës dhe në disa fshatra të tjerë malorë ku moti i keq ka shkaktuar defekte në rrjet.
Situata e rënduar nga kushtet atmosferike shoqërohet edhe me një incident të rëndë gjatë natës në fshatin Preknicaj të Shkrelit në Malësinë e Madhe, ku një banesë dykatëshe u përfshi nga flakët rreth orës 02:00.
Shtëpia e shtetasit Zef Preknicaj, është djegur plotësisht pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikësve, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.
Hetimet paraprake tregojnë se shkaku i zjarrit mendohet të ketë qenë një rrufe, e shkaktuar nga aktiviteti i shtuar elektrik në atmosferë gjatë 24 orëve të fundit.
Grupet e punës së bashkive, Emergjencave Civile, Forcave të Ushtrisë, OSHEE dhe strukturave të tjera janë në gatishmëri të plotë për të menaxhuar çdo situatë emergjente që mund të shfaqet.
Ndërkohë, autoritetet i bëjnë thirrje banorëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme, sidomos në zonat malore të qarkut Shkodër, deri në përmirësimin e kushteve të motit.
Dëmet e para u raportuan në Lezhë, ku lagja “Besëlidhja”, u zgjua nën pushtetin e ujit. Rrugët kanë qënë thuajse totoalisht të pakalueshme nga makinat dhe këmbësorët pasi niveli i ujit ishte shumë i lartë.

“Besëlidhja” Lezhë
Pas Lezhës problematika janë regjistruar edhe në Shkodër. Pesë automjete me nëntë persona në bord mbetën të bllokuar në aksin rrugor Breg Lumi–Theth, rreth 100 metra larg urës së fshatit Gimaj, pasi një masiv inertesh u shemb mbi rrugë si pasojë e reshjeve të dendura.
Në Krujë janë përmbytur tokat bujqësore në fshatrat Bilajmm Murqinë e Mallkuc. Situata më problematike paraqitet në Murqinë, ku uji ka mbuluar sipërfaqe të mëdha tokë dhe rrezikohet përmbytja e disa banesave.

Në Vlorë erërat e fuqishme kanë rrëzuar një pemë shumë vjeçare në zonën pranë rrugës kryesore, duke krijuar rrezik për kalimtarët dhe automjetet.
Problematika ka pasur edhe në Pyllin e Sodës, disa pisha janë rrezuar nga era duke bllokuar segmentin që të shkon në fshatin Zvërenc, ndërsa qarkullimi është vështirësuar deri në ndërhyrjen e strukturave bashkiake.
Ndërkohë, edhe në rrugën e Plazhit të Vjetër, një pemë e madhe ka rrezikuar kalimtarët dhe automjetet dhe për pasojë, një krah i rrugës është bllokuar përkohësisht.

Në Malësi të Madhe, një banesë dykatëshe është djegur si pasojë e një rrufeje. Zjarri ka rënë rreth orës 02:00 të natës në shtëpinë e Zef Preknicaj. Banesa është shkrumbuar plotësisht duke shkaktuar dëme të mëdha materiale, por fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.

Banesa e djegur nga rrufeja
Në Fier, moti i keq ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike. Për shkak të erës së fortë rreth orës 5 :00 të mëngjesit të sotëm ka patur ndërprerje të energjisë elektrike ne disa zona rurale si, nënstacioni i Poçemit në Mallakastër, fideri i Matkës në Roskovec, në Mbrostar dhe Gorishovë në bashkinë e Fierit.
Meteorologët kanë lajmëruar se situata e motit pritet të jetë kritike. Sipas tyre priten rrebeshe të forta shiu, stuhi e rrufe ndërsa në fundjavë pritet të ketë edhe reshje dëbore.


