Situata e zjarreve në bashkinë e Gramshit nga ora në orë po vijon të përkeqësohet në mënyrë dramatike.
Sipas informacioneve paraprake mesditën e sotme mësohet se ka nisur evakuimi i banorëve dhe i gjësë së gjallë në fshatin Nartë, ndërsa flakët po përparojnë me shpejtësi drejt zonave të banuara.
Sipas raportimeve nga terreni, zjarri është përhapur në një luginë nga krahu i Harunasit, duke rimarrë nën kontroll edhe një herë fshatin Harunas, i cili ishte më herët i gjithë i “pushtuar” nga flakët.
Tashmë, rreziku është mjaft i madh drejt Nartës, ku janë vendosur me urgjencë për të përballuar situatën e krijuar dy mjete zjarrfikëse.
Ato janë pozicionuar në krahun e sipërm të fshatit, me qëllim frenimin e përhapjes së flakëve në drejtim të banesave dhe pasurive të mbetura ende të padëmtuata
Në ndihmë të zjarrfikësve janë angazhuar gjithashtu edhe një autobot uji, forca të ushtrisë, ambulanca dhe mjete të tjera emergjente, në një përpjekje të përbashkët për të mbrojtur jetët njerëzore dhe gjithçka që mund të shpëtohet ende.
Ndërkohë, 3 mjete zjarrfikëse janë pozicionuar mbi fshatin Skënderbegas,por për momentin nuk mund të zbresin në fshat për shkak të bllokimit të rrugës, si rezultat i flakëve dhe terrenit të vështirë.
Ky bllokim po pengon seriozisht ndërhyrjen në një nga pikat më kritike të situatës.
Gramshi po kalon një nga momentet më të vështira të kësaj vere, me forcat e shërbimit zjarrfikës, ushtrinë, vullnetarët dhe banorët që luftojnë në vijën e parë të zjarrit për të mbrojtur jetën,pronën dhe trashëgiminë natyrore të zonës.
Situata mbetet kritike dhe dinamike.
Çdo mbështetje dhe ndihmë në logjistikë, burime njerëzore apo teknike është e domosdoshme për të përballuar këtë emergjencë në shkallë të gjerë.