Siria njohu pavarësinë e Kosovës, reagon presidenti Begaj: Faleminderit të gjithë atyre që e mundësuan këtë njohje

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka përshëndetur vendimin e Sirisë për të njohur pavarësinë e shtetit të Kosovës.

Begaj, përshëndeti vendimin e Republikës Arabe të Sirisë dhe shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që kontribuan në mundësimin e kësaj njohjeje me anë të një postimi në rrjetet sociale.

“Republika Arabe e Sirisë njohu sot zyrtarisht pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.Me këtë vendim, Siria mbështeti shtetin e Kosovës dhe paqen e stabilitetin në Ballkan.Faleminderit të gjithë atyre që e mundësuan këtë njohje”, shkruan presidenti Begaj.

Njohja nga Siria është e treta këtë vit për Kosovën, pasi më herët dy shtete afrikane, Sudani dhe Kenia e njohën atë.

Njohjet nga këto vende vijnë pas një rënie të ritmit të njohjeve të Kosovës në vitet e fundit. Para tyre, shteti i fundit që e njohu atë ishte Izraeli në vitin 2021.

Siria është bërë tani shteti i 120-të që e njeh Kosovën, një vendim që pritet ta zemërojë Serbinë, e cila e lufton vazhdimisht pavarësinë e fqinjit të vet.


Shtuar 29.10.2025 19:41

Tags: ,