Sinqeriteti i zonjës Xhaçka!

Nga; Irena Beqiraj

Sot rrjeti ishte mbushur me një sekuencë të intervistës së deputetes Xhaçka, në të cilën ajo shprehej se “plazhi i është dhënë bashkeshortit të saj kundrejt tarifës, me qëllimin që të mos vijnë ato nga mali edhe të ngulin çadrën pasi investimi ka qëllimin ekselent të ofrojë turizëm cilësor”!

Sinqeriteti i Oltës është çarmatosës. Me fjalinë e mësipërme ajo ka konfirmuar se qeveria socialiste me vizionin e saj ka varrosur dhimbshëm njëherë e mirë axhendën progresive socialiste, e cila ka në themel “mirëqënien e banorit lokal nga mali”.

Turizmi që duhet të zhvillonin socialistët, duhet të ishte mjeti për rritjen e mirëqënies pikërisht “të banorit lokal nga mali” edhe jo të ushqente kaq hapur plagën e diskriminimit, fanatizmit dhe përjashtimin. Ne si vend mund të përparojmë vetëm nëse ka prosperitet të përbashkët.

Unë nuk jam e majtë denbabaden e nuk vij nga një familje socialiste si zonja Xhaçka. Unë jam e majtë sepse jam ekonomiste. Në ekonomi mësova se për të përcaktuar qëllimet e së ardhmes, duhet të studiojmë të tashmen në dritën e së shkuarës edhe se asnjë pjesë e natyrës së njeriut ose e institucioneve të ndërtuara prej tij nuk duhet të jetë jashtë vëmendjes tonë kur hartojmë politikat ekonomike.

Edhe ishin pikërisht studimet në ekonomi ato që më bindën se ideologjia , ku investitori strategjik përpiqet të fitojë më shumë, edhe duke mos lejuar “vendaliun nga mali” të vendos çadrën ishte e gabuar; Besimi pothuajse fetar në fuqinë e investimeve të ekselencës siç e quajti deputetja investimin e bashkëshortit — edhe aq më tepër mbështetja e pakufizuar qeveritare për disa investitorë – nuk ka baza as teorike e as praktike në ofrimin e prosperitetit ekonomik të vendit.

Sot, përtej pabarazisë ekonomike midis investitorit strategjik edhe dhërmiotëve apo himariotëve nga mali, realiteti ekonomik i “kapitalizmit së kurorës” që po përcjellim çdo ditë ka braktisur me kohë çdo logjikë ekonomike, duke ushqyer një pabarazi ektreme shoqërore edhe relacionale .

Nuk di sa duar do të duhet të puthin e sa tallava do të duhet të kërcejë në kohë zgjedhjesh Rama& Co për të zhbërë sinqeritetin e znj. Xhaçka, e cila tregoi në një fjali të thjeshtë, spontane, pa shume stërholllime se si në të vertetë brenda mendjes se tyre qeveritarët socialistë i shikojnë e trajtojnë “shqiptarët nga mali”.

Ajo fjali shkallmoi dje çdo propagandë!

Ajo fjali vlen më shumë se 1000 analiza kritike që një e “majtë e bërë nga librat” si unë i ka bërë qeverive socialiste këto 8 vjet!


Shtuar 12.04.2024 14:01