Një ndër provat kryesore që sipas prokurorisë e lidh Orgest Bilbilin me vrasjen e Besnik Hidës në 1 Tetor 2019 në Lushnjë, është një bllok shënimesh.
Ai është gjetur dhe më pas sekuestruar nga policia në banesën që Bilbili kishte marrë me qira në Tiranë.
Siç thuhet në dosjen hetimore, shtëpia ndodhet në zonën e “Xhamllikut”, aty ku policia arrestoi krejt rastësisht njeriun e përfshirë në disa ngjarje kriminale në Lushnjë, Pogradec, Tiranë, dhe jo vetëm.
Blloku është gjetur në 10 Prill 2020, fiks 7 muaj pas vrasjes së Hidës. Pikërisht në të kishte disa shënime me bojë stilolapsi, ku ndër të tjera ishte targa “AA 764 NZ”, shoqëruar me “Benz-Mercedez”.
Prokuroria e Fierit, e ka tërhequr këtë provë nga një dosje të krimeve të rënda, ndërsa argumenton se kjo e dhënë, tregon qartë përgatitjen dhe mbledhjen e informacionit për viktimën.
Por grupi i hetimit thotë se përveç kësaj prove janë siguruar të dhëna se autorët pas kryerjes së krimit, kanë përdorur një mjet të dytë “Benz A Class” për tu larguar.
Makina është identifikuar dhe rezulton në pronësi të Ardian Ahmetaj alias “Pepe”, shok i Laert Haxhiut dhe është mjeti që ditën e vrasjes së Hidës, ka ndjekur nga pas automjetin e përdorur në vrasje tip “Fiat Croma”./ora