Si u zbulua skema e mashtrimit të 2 kinezëve në Shqipëri përmes Postës Shqiptare

Drejtoria e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, ka parandaluar vjedhjen e të dhënave të mbi 5 mijë shtetasve shqiptarë në operacionin e pak ditëve më parë ku u arrestuan 2 kinezët, Cunfeng Fan, 51-vjeç, dhe Haike Yan, 45-vjeç.

Burime pranë policisë bëjnë me dije se përllogaritja e shumës që rrezikonte të vidhej përmes skemës mashtruese të kinezëve në falsifikimin e faqeve të Postës Shqiptare shkojnë rreth 5 miliardë lekë, apo 50 milionë euro, nga llogaritë bankare të shqiptarëve. 2 kinezët, pasi erdhën në Tiranë për të vijuar aktivitetin kriminal, u akomoduan në një hotel shumë afër qendrës së kryeqytetit, vend ku u gjetën me dhjetëra sende materiale me rëndësi për hetimin.

Ata kishin planifikuar që të qëndronin për disa ditë në Shqipëri, do largoheshin dhe pas ngritjes së infrastrukturës për marrjen e të dhënave të shtetasve shqiptarë, paratë do të tërhiqeshin nga jashtë vendit.

Krimi Kibernetik, ka rënë në gjurmët e grupit të kinezëve nëpërmjet monitorimit të vazhdueshëm të “darkweb” dhe burimeve të hapura në internet, të cilat pasi janë verifikuar kanë çuar në identifikimin e 2 kinezëve.

Si rezultat, u çel një procedim me metoda speciale hetimi, i cili përfundoi me sukses. Hetimi është në vijim dhe nuk përjashtohet mundësia të ketë edhe bashkëpunëtorë të tjerë.


Shtuar 3.11.2025 11:32