Si u kap “UFO” te dyqani i berberit në Laprakë, ngjarjet që e bënë Ilir Pajën ekspert të arratisjeve nga burgjet

I kishin vënë nofkën “Ufo”, për aftësinë e tij për të “avulluar” papritur nga burgjet ose kudo që ndodhej i ndaluar.

Ilir Paja, vrasësi i rrezikshëm nga Berati, i dënuar me 24 vite burg në Itali, është arrestuar në Shqipëri në 3 nëntor pas arratisjes nga burgje të ndryshme.

Në vitin 2007, për shembull, ikja e tij nga një ambulancë në të cilën ndodhej i shtruar, u bë e famshme. “CV”-ja e tij është e pasur me ngjarje kriminale, nga Gjermania, Italia e deri në Shqipëri.

Paja, 49 vjeç u arrestua në Tiranë, teksa agjentët shqiptarë dhe italianë të ardhur nga përtej Adriatikut posaçërisht për të, po e prisnin përballë një dyqani berberi, ku ai do të shkonte të hiqte mjekrën, zbulojnë mediat italiane.

Këtë herë, u treguan më të kujdesshëm për arrestimin e tij, duke parë se kishte përvojë në arratisje falë shkathtësisë dhe rrezikshmërisë së lartë.

Gjithçka, falë mbajtjes nën vëzhgim dhe përgjimeve të telefonit prej muajsh, ku ai komunikonte me miqtë e tij të vjetër.

I kërkuar nga disa shtete, por ai zhdukej në “ajër”

Paja ishte i zhdukur prej disa vitesh dhe kërkohej nga policia italiane dhe gjermane për kryerjen e vrasjeve në të dy vendet.

I dënuar në Itali me 24 vjet e 4 muaj burg për vrasje, arratisjet e guximshme nga burgjet e ndryshme ku ishte mbajtur, mbetën të “famshme”, aq sa fitoi edhe pseudonimin “Ufo”, si dikush që zhdukej papritur.

Arratisja e tij e parë në Itali u bë nga burgu në Peruxhia, në orën e ajrimit, kur ai u ngjit mbi një nga muret tetë metra të oborrit të burgut të “Capanne”, falë një litari artizanal të bërë nga çarçafë të lidhur.

Arrestimi në Gjermani për vrasje

Ai gjithashtu u arratis kur ishte i burgosur në pritje të ekstradimit në Gjermani, ku akuzohet se ka vrarë një bashkëatdhetar në Duisburg me të shtëna të shumta armësh zjarri.

Shijoi vetëm pak muaj liri, nga qershori deri më 4 shtator 2006, kur Paja u kap sërish në Buscate, në Milano gjatë një operacioni të kryer nga skuadra lëvizshme e Peruxhias, e cila po hetonte arratisjen nga Peruxhia dhe një tjetër në Lombardi.

Në vitin 2007, arratisja e tij nga një ambulancë me të cilën ai u transferua nga një burg në tjetrin, në një zonë shërbimi të autostradës A1 Autosole, ishte spektakolare, kur, në Reggello simuloi një sëmundje për të sjellë kreun e policëve që e shoqëronin tek barela në të cilën ndodhej i shtrirë.

Pasi e goditi me kokë dhe e rrahu, Paja arriti të depërtojë derën e ambulancës dhe të zhduket në pyll, edhe pse vrapoi zbathur dhe me një krah të thyer.

Më 11 shtator 2007, një makinë theu barrierën e tarifave në Binasco, në provincën e Milanos.

Në bord ndodheshin dy shqiptarë, njëri prej të cilëve, arriti të arratisej, ndërsa një djalë 9-vjeçar ishte marrë si peng në makinë. Ai që kishte arritur të arratisej, sipas të gjitha gjasave, për hetuesit italianë ishte Ilir Paja.

Lokalizimi në Shqipëri në vitin 2007

Disa muaj më pas, përgjatë vitit 2007, hetuesit në Milano, ata të specializuar në luftën kundër krimit të huaj, e kishin lokalizuar në Shqipëri nga pajisjet GPS të vendosura në makinat e bashkëpunëtorëve të tij, që kishin mbetur në Itali dhe nga përgjimet ambientale.

Sigurisht që edhe celularët e tyre ishin nën kontroll. Paja u pa në një mjet tip “Punto” me targa italiane.

Shqiptari e kuptoi se po ndiqej nga afër nga një polic me rroba civile në një motoçikletë dhe e goditi duke e plagosur rëndë. Megjithatë autoritetet shqiptare e arrestuan në mars të vitit 2008.

Pas gati 10 viteve në qeli, në nëntor 2017, Ilir Paja u lirua me kusht para përfundimit të dënimit nga gjyqtara Enkeleida Hoxha, me pretendimin se vuante nga një sërë sëmundjesh, probleme shëndetësore të vërtetuara me raporte mjekësore. Sipas vendimit, Paja duhet të qëndronte në shtëpi dhe të mbajë kontakte me zyrën e Shërbimit të Provës.

Arrestimi i dytë, te dyqani i … berberit në Laprakë

Sjellja e dhunshme e 49-vjeçarit nga Berati, në kufijtë e psikopatisë, – nënvizojnë hetuesit – nxirrte në pah një pamëshirshmëri çnjerëzore në rrethin e prostitutave rumune që ai menaxhonte dhe ndaj të cilave kënaqej duke shtënë me armë zjarri në drejtim të tyre.

Megjithatë, arratisja e tij e gjatë, përfundoi më 3 nëntor 2022 në një dyqan berberi në Tiranë në zonën e Laprakës, ku e prisnin agjentët italianë dhe shqiptarë, të cilët prej ditësh ishin në gjurmët e tij.

Hetuesit e dinin që i Paja nuk hiqte dorë nga rituali i rruajtjes së mjekrës dhe kur e panë të mbërrinte, fillimisht e lanë të ulej dhe më pas hynë në dyqan pa i dhënë kohë të imagjinonte një tjetër arratisje, nga ato spekrakolaret që mendja e tij mund të fantazonte në moment. Interpol Tirana në bashkëpunim me policinë italiane e kanë vënë para drejtësisë dhe ai pret të ekstradohet përtej Adriatikut./GazetaSI


Shtuar 5.11.2022 20:00