Si të kurseni energjinë elektrike? Ja disa mënyra

Një stres më vete është edhe fatura e energjisë elektrike në fund të muajit. Një faturë e cila shpeshherë ka rënduar së tepërmi xhepin e shqiptarëve, dhe me rritjen e çmimit do ta rëndojë akoma edhe më shumë. Për t’iu ardhur sado pak në ndihmë konsumatorëve sjell 11 mënyra të thjeshta se si ju të kurseni energji elektrike. Mjafton që konsumatorët të krijojnë disa zakone në aktivitete e tyre të përditshme, dhe rezultati do të shihet në fund të muajit, ne kursimin që do të jetë i pasqyruar dukshëm në kilovatet e konsumuar.

Termoizolimi

Rreth 60 % e konsumit të energjisë për një apartament familjar tipik shkon për ngrohjen, si të ambientit, ashtu edhe të ujit. Edhe në rastet e ftohjes së ambientit në verë, termoizolimi luan një rol shumë të rëndësishëm. Sa më i mirëizoluar të jetë një ambient, aq më gjatë e ruan nxehtësinë apo freskinë.

Frigoriferi

Ky elektroshtëpiak kaq i domosdoshëm për ne, është një nga konsumatorët më të mëdhenj të energjisë. Konsumon edhe më shumë se kondicioneri. Prandaj këshillohet që dera e tij të mos qëndrojë për një kohë shumë të gjatë e hapur, të mos vendosen gjëra të ngrohta në frigorifer dhe të mos lejohet formimi i akullit në pjesën e pasme të tij. Gjithashtu, nëse jeni në kërkim të një frigoriferi të ri, kini parasysh diçka: sa më i madh frigoriferi, aq më shumë harxhon.

Kondicioneri

Shumë i nevojshëm në ambientet familjare, sidomos gjatë ditëve të nxehta të verës. Këshillohet që, në verë, temperatura e kondicionerit të qëndrojë stabël në 25 gradë Celsius, kurse në dimër temperatura perfekte është 20 gradë Celsius.

Lavatriçia

Kur të përdorni lavatriçen, mbusheni kazanin në kapacitetin e tij të plotë. Kini parasysh që rrobat i lan detergjenti dhe jo uji i ngrohtë, prandaj lajini rrobat në ujë të ftohtë dhe përdorni detergjent për ujë të ftohtë. Kështu edhe kurseni energji, por edhe zgjasni jetëgjatësinë e rrobave tuaja. Për të evituar rrudhosjen e rrobave dhe të kurseni disa kilovat, bëni centrifugën në shkallën më të ulët.

Dushi

Instaloni një kokë dushi të vogël: sa më i ulët presioni aq më pak ujë të ngrohtë harxhon dhe për rrjedhojë kursen energji. Te termostati i dushit caktojeni temperaturën në 50 gradë Celsius. Uji i fortë krijon copëza të ngurta rreth rezistencës së dushit, duke e ulur efiçencën e saj, prandaj këshillohet që rezistenca e dushit të pastrohet çdo 6 muaj. Kur nuk jeni në shtëpi, mos e mbani dushin në prizë.

Televizori

TV Plazma janë konsumatorët më të mëdhenj të energjisë, prandaj nëse doni të kurseni, zgjidhni një LCD. Por ndryshimi qëndron edhe tek madhësia, prandaj midis një 32” dhe një 55”, zgjidhni të parin.

Kompjuteri

Fikeni kompjuterin nëse nuk do e përdorni për më shumë se 20 min. Reduktoni kontrastin/ndriçimin e ekranit. Ndërroje desktop-in për një lap-top, sepse harxhon më pak energji. Ndërroje ekranin e vjetër të kompjuterit me një LCD, për te njëjtën arsye.

Këndi i kuzhinës

Kur gatuani, ndajeni ushqimin në copa të vogla. Kështu gatuhet më shpejt, dhe harxhon më pak energji. Gjatë gatimit, përdorni ujë të ngrohtë. Gjatë përdorimit të furrës, mos e hapni shumë herë derën e sobës. Për çdo hapje dere, soba humbet 20 gradë në nxehtësi. Mos përdorni një tenxhere apo tigan më të vogël se vatra e sobës, sepse kjo shkakton humbje të energjisë.

Llambat

Përdorni llamba në Watt më të ulët të nevojshëm (40 W në vend të një 60 W). Përdorni llambat fluoreshente, në vend të atyre inkadeshente. Rrojnë më gjatë dhe harxhojnë më pak. Kur dilni nga dhoma, fikeni llambën. Për ambientet e jashtme, përdorni dritat me sensor lëvizjeje.

“Super – harxhuesit” e energjisë

Të tillë quhen ato elektroshtëpiake që harxhojnë energji edhe thjeshtë duke qëndruar në prizë. Mund të jetë karikuesi i celularit, televizori, dvd player, etj. Këshillohet që të gjitha këto elektroshtëpiake të vendosen në të njëjtin zgjatues me çelës, dhe fikeni kur nuk ka njeri në shtëpi.

Sytë te etiketa

Përpara se të blini një elektroshtëpiake të re, kontrolloni etiketën e furnizimit me energji për klasifikimin e aparaturës në piramidën e efiçensës së konsumit të energjisë. Eletroshtëpiaket që kanë etiketën A+ janë me efiçente dhe kursimtare me konsumin e energjisë./albeu.com