Si po bëhet gati qeveria për të larguar muxhahedinët nga Shqipëria

Nga AlbEu.com

Zhvillimet në arenën ndërkombëtare para ndërhyrjes së policisë në kampin MEK, dhe sidomos çfarë ndodhi dhe u tha pas futjes së policisë atje, tregojnë se aksioni i focave të rendit tek muxhahedinët ishte shumë më shumë se sa një çështje e zbatimit të ligjit.

Duket se gjithçka sapo ka filluar dhe gjasat janë që do të përfundojë me largimin e MEK nga Shqipëria.

SPAK nuk ka deklaruar ende konkretisht se për çfarë dyshon te muxhahedinët, por marrja e serverëve dhe rezistenca e banorëve të këtij kampi duke u përballur me policinë si dhe djegia e disa materialeve që gjendeshin aty tregojnë se gjërat kanë shkuar më thellë nga sa duket.

Zhvillimet në arenën ndërkombëtare

Shqipëria nuk ka këllqe që të zhvillojë politikë të jashtme të vetën, aq më tepër duke dalë përballë interesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nisur nga këto rrethana, AlbEu ngriti dje në mëngjes pyetjen: A është konsultuar qeveria shqiptare me amerikanët para se të futej në kampin e MEK? Reagimi i DASH si edhe deklarata e sotme e ambasadores Yuri Kim tregojnë se qënka konsultuar.

Pikërisht kjo gjë të bën të kuptosh se çfarë ndodhi dje ishte vetëm fillimi.

SHBA-të janë duke ngritur një aleancë botërore kundër Rusisë tashmë, ndërsa vizita e Sekretarit Blinken në Kinë tregon se kërkohet që kjo e fundit të paktën të mos bëhet pengesë.

Muajt e fundit është parë edhe një zbutje e gjakrave me Iranin dhe duke ditur që regjimi atje ka qenë vazhdimisht i shqetësuar ndaj mbështetjes së lobeve të djathta amerikane ndaj MEK, gjasat janë që këta të fundit të kenë qenë për diskutim në tavolinën e bisedimeve.

Nga ana tjetër, MEK është goditur edhe në Francë, ku edhe kanë qendrën kryesore politike, ç’ka tregon se ka një qasje të përgjithshme kundër tyre.

Qeveria shqiptare

Ndërhyrja e djeshme e policisë në kampin e MEK u shoqërua në fillim me shqetësimin nëse qeveria po futej në një kurs përplasjeje me amerikanët që kanë qenë deri më tani ata që kanë negociuar sjelljen e tyre këtu si edhe mbrojtjen, por gjatë pasdites u pa se gjithçka duket se ishte bërë të paktën duke marrë “leje”.

Ajo që tregoi shumë mbi qëllimet e qeverisë shqiptare ndaj MEK ishte deklarata e djeshme e Ministrisë së Brendshme, e cila edhe pse e vonuar, por edhe shkruar nxitimthi, mbartte një fjali të rendësishme: MEK shkeli marrëveshjen me shtetin shqiptar!

Ky ishte mesazhi që tregon se qeveria shqiptare ka hapur tashmë “lojën” për përgatitjen e terrenit për largimin e MEK-ut nga Shqipëria, të cilët duket qartësisht se nuk ishin vetëm për qëllime humanitare këtu pasi kryenin aktivitet të përvitshëm politik përmes kongreseve në hotelet më të shtrenjta të vendit, por edhe nxisnin raportimin e lajmeve dhe denoncimeve ndaj regjimit në Iran.

Amerikanët

Në reagimin e sotëm për REL, DASH la të kuptohej se MEK ishte kthyer në një shqetësim dhe se ata nuk do të bënin asgjë nëse qeveria shqiptare vijonte operacionet për zbatimin e ligjit. Kjo qasje u përforcua sot nga ambasadorja Yuri Kim, e cila theksoi se ata ishin miq dhe si të tillë duhej të zbatonin rregullat e vendit.

‘Ky është një vendim që duhet ta marrë qeveria shqiptare. Një gjë është e qartë ne mbështesim të drejtën e Shqipërisë për të zbatuar ligjet e saj në vendin e saj. Ka gjithashtu terma të caktuar të cilat zbatohen për çdo lloj mysafiri në vendin tuaj dhe kështu duhet të bëjnë edhe ato për ju, t’ju zbatojnë.’- tha Kim.

Mediat

Që prej ditës së djeshme në media të ndryshme ka filluar të artikulohet idea se MEK përbën rrezik për Shqipërinë dhe se ata duhet edhe të largohen nga vendi. Ky duket të jetë një mesazh i koordinuar dhe jo spontan pasi edhe pse përçohet përmes kanaleve të ndryshme, narrativa është e njëjtë: MEK duhet të largohet nga vendi ynë!

Destinacioni i këtij rrugëtimi është i qartë tashmë, por ajo që i mbetet shtetit shqiptar të bëjë është mbajtja nën kontroll e 3 mijë anëtarëve të MEK në Shqipëri, të cilët nuk duhet harruar se kanë qenë anëtarë të formacioneve të armatosura dhe kanë përgatitje ushtarake. /albeu.com

 

 

 


Shtuar 21.06.2023 19:49