Si nisi sherri mes të rinjve në Shkozë ku u vra një 18-vjeçar, dëshmon një prej personave

Detaje të tjera janë zbardhur nga sherri i përgjakshëm mbrëmë në Shkozë të Tiranës, ku 18-vjeçari Aurelio Dervishi humbi jetën pas plagëve të marra me thikë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 21:50, te rrethi i Shkozës.

Raportohet se në ngjarje dyshohet se janë përfshirë 5 persona.

Autori dhe grupi i të rinjve që janë konfliktuar janë larguar nga vendngjarja fill pas krimit, ndërsa ende nuk janë kapur nga policia.

Nga të dhënat paraprake, mësohet se agresorët i kanë bërë shenjë makinës ku lëvizte viktima, Aurelio Dervishi, si pasagjer që të ndalonte, por shoferi nuk është bindur.

Sipas të dhënave paraprake, ka pasur një konflikt fizik mes tyre ku një prej të rinjve ka qëlluar me thikë në gjoks 18-vjeçarin.

Më pas të rinjtë dyshohet se janë larguar në drejtim të Unazës Lindore me një mjet tip ‘Tiguan’.

Policia ka ngritur disa postblloqe për kapjen e autorëve, por deri më tani nuk ka rënë në gjurmët e tyre.

Grupi hetimor ka marrë në pyetje dhe shoferin e automjetit tip ‘Audi’ me te cilin po udhëtonte viktima, ndërsa ai ka pohuar se nuk i njihte autorët.

Sipas tij, personat që ndodheshin në makinën tjetër i kanë thënë ‘pse na shikoni’.

Policia vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes së rëndë dhe arrestimin e autorëve.


Shtuar 1.04.2024 07:42