Si mund të nxirren para drejtësisë Vladimir Putin dhe vartësit e tij

Washington Post

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Tabloja e përgjakshme e mizorive ruse në Ukrainë, ka frymëzuar me të drejtë kërkesat për llogaridhënie dhe drejtësi. Midis tyre është edhe vetë presidenti i SHBA-së Joe Biden, i cili e ka quajtur Vladimir Putin një “kriminel lufte”, duke shtuar se trupat ruse kanë kryer “gjenocid” në Ukrainë.

Trupat e Moskës janë padyshim fajtore për krime lufte dhe duhet të mbajnë përgjegjësi. Por një pyetje më e vështirë është se si mund të nxirren para drejtësisë Putin dhe ministrat e tij kryesorë, gjeneralët dhe oligarkët që e financojnë. Pra të gjithë ata që janë përgjegjësit kryesorë për nisjen e një lufte të paligjshme kundër një kombi sovran.

Ukraina, vendet kryesore perëndimore si dhe Gjykata Ndërkombëtare Penale kanë mbledhur një mori të dhënash inkriminuese, që mund dhe duhet të përdoren si prova për të ndjekur penalisht komandantët rusë në Ukrainë për krime të veçanta të luftës.

Por do të ishte e padrejtë të nxjerrësh vetëm ata para bankës së të akuzuarve, dhe të mbyllësh njërin sy ndaj fajtorëve më të mëdhenj në Kremlin, të cilët e filluan gjakderdhjen më të tmerrshme në Evropë që nga luftërat në ish-Jugosllavi 30 vjet më parë.

Natyrisht, do të ishte realisht naive të mendohet se presidenti rus apo funksionarët e tij më të lartë, ka të ngjarë të paraqiten së shpejti si të pandehur para një gjykate. Megjithatë, do të ishte gjithashtu një papërgjegjshmëri po të mos ngrihet një mekanizëm formal për t’i mbajtur ata personalisht përgjegjës për krimin e kryerjes së një lufte agresioni.

Në këtë rast, kërkohet krijimi i një gjykatë e re të posaçme, sepse Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë i mungon juridiksioni për të kapur autorët e vërtetë të luftës. Diplomatët nga vendet kyçe, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë lobuar së fundmi për këtë gjë, pjesërisht me nxitjen e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Më aktiv ka qenë ish-kryeministri britanik Gordon Brown, ndërsa Franca dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, e kanë miratuar plotësisht atë. Në Kombet e Bashkuara, po qarkullon tashmë një projekt-rezolutë që do t’i jepte mbështetje krijimit të një gjykate të tillë.

Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë duhet të bëjnë më shumë për ta bërë realitet këtë synim. Dhe për një këtë çështje ekziston një precedent i mjaftueshëm ligjor: gjykatat e krimeve të luftës që gjykuan zyrtarët e lartë gjermanë dhe japonezë pas Luftës së Dytë Botërore.

Në Nuremberg, akuza kryesore kundër disa prej nazistëve më famëkeq ishte për “krimet kundër paqes”, të njohura tani si krimi i agresionit. Kjo akuzë do të shkonte përtej drejtimit të luftës në Ukrainë – listës së gjatë të vrasjeve, përdhunimeve, torturave dhe bombardimeve ndaj objektivave civile, që të gjitha të mirë-dokumentuara, me të cilat prokurorët do ta kishin të vështirë ta lidhnin drejtpërdrejt Putinin dhe njerëzit e tij.

Ai fokusohet tek fajin më i madh nga të gjitha: faktin që lufta u zhvillua për shkak të tij. Siç u theksua në verdiktin e Gjykatës së Nurembergut “Të nisësh një luftë agresioni… nuk është vetëm një krim ndërkombëtar; është krimi më i lartë ndërkombëtar që ndryshon vetëm nga krimet e tjera të luftës në atë që përmban brenda vetes të keqen e grumbulluar si pjesë të së tërës”.

Një avantazh do të ishte lehtësia relative akuzës ndaj udhëheqësve të lartë rusë për një luftë agresioni, krahasuar me kompleksitetin famëkeq, kohëzgjatjen dhe koston e ndjekjes penale të krimeve specifike të luftës apo krimeve kundër njerëzimit, përfshirë gjenocidin.

Po ashtu, një gjykatë e tillë do të siguronte një forum për të dhënë drejtësi për viktimat me pak mundësi të tjera për kompensim, qytetarët e detyruar të luftojnë dhe të vdesin në një luftë të padrejtë; civilët e detyruar të ikin nga shtëpitë dhe vendi i tyre; të vrarë ose të plagosur të pafajshëm si një “dëm anësor” në sulme, që përgjithësisht nuk ndiqen penalisht si krime lufte.

Po aq e rëndësishme, gjykata mund të godasë prezumimin e mosndëshkimit të rrethit të brendshëm të Putinit – por edhe në Bjellorusi, vend që i shërbeu Rusisë si një trampolinë për nisjen e pushtimit – dhe të ngjallë dyshime në rrethin e brendshëm në Kremlin, se bota e qytetëruar do të harrojë ndonjëherë krimet e kryera në emër të tyre.

Përballë perspektivës së ndëshkimit, disa oligarkë mund të distancohen nga Putin për shkak të pamundësisë për të udhëtuar ndonjëherë në Perëndim. Ndërkohë ka ende disa pyetje serioze që presin përgjigje përpara se të bëhet realitet kjo gjykatë, përfshirë pyetjen nëse do të ishte një gjykatë ndërkombëtare, e sanksionuar nga Kombet e Bashkuara – siç do të ishte e preferueshme, nëse Asambleja e Përgjithshme do të votonte për t’i dhënë asaj kompetenca të vërteta – apo një model hibrid i bazuar tek ligjet ukrainase dhe i përforcuar nga prokurorë dhe hetues evropianë apo nga rajone të tjera.

Në çdo rast, mirë do të ishte që gjykata ta ketë selinë në Holandë, vend që tashmë është shprehur i gatshëm. Ndërkaq sponsorët e kësaj gjykate duhet të vendosin nëse Vladimir Putin dhe miqtë e tij mund të gjykohen në mungesë. Një opsion ky jo më ideali, por që gjithsesi mund të fillojë të zbatohet menjëherë dhe ende të ketë një peshë simbolike. Pastaj juristët do të debatojnë midis tyre nëse lideri rus dhe disa zyrtarë të tjerë rusë janë

të imunizuar nga ndjekja penale sipas ligjit ndërkombëtar. Parë nga këndvështrimi i sotëm, duken të pakta shanset që Putin apo vartësit e tij të mund të shpallen plotësisht përgjegjës për krimet e tyre.

Por ndjekje të tilla penale janë dukur të largëta edhe dikur – gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë luftërave në ish-Jugosllavi dhe gjetkë – përpara se ato të bëheshin realitet me krijimin e gjykatave që nisën të kryenin punën. Pa një gjykatë të autorizuar për të gjykuar liderët kryesorë të Rusisë për një luftë agresioni, llogaridhënia e tyre do të mbetet në pikëpyetje. Por me një gjykatë të tillë, ajo të paktën bëhet e mundur. /albeu.com


Shtuar 24.01.2023 18:20