Si mund ta shpëtojë Kina luftën e Putinit në Ukrainë

Nga Liana Fix & Michael Kimmage “Foreign Affairs

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Gjatë vitit të kaluar, Kina e shfrytëzoi maksimalisht luftën e Rusisë kundër Ukrainës, duke u shfaqur si një nga përfitueset e pakta të këtij konflikti. Ajo e ka vetëquajtur veten si një paqebërëse të matur, teksa ka fituar një ndikim të konsiderueshëm mbi Rusinë.

Pekini ka qenë mbështetësi më i dukshëm dhe më i rëndësishëm i Moskës në këtë luftë, duke u zotuar për një partneritet të “pakufishëm” me Rusinë vetëm pak javë para pushtimit të shkurtit 2022, dhe duke ndihmuar qëndrueshmërinë e ekonomisë ruse në kohë lufte.

Varësia ekonomike në rritje e Moskës nga Kina, ka qenë fitimprurëse dhe e dobishme për Pekinin, dhe ajo ka të ngjarë të vazhdojë të thellohet. Angazhimi retorik i Kinës për “multipolaritetin” në gjeopolitikë, ka inkurajuar shumë vende në Hemisferën Jugore të qëndrojnë mënjanë luftës, duke mos dashur të tubohen me Perëndimin rreth kauzës së Ukrainës.

Pasi u mburr për pajtimin e Iranit me Arabinë Saudite, Kina po promovon tani “planin e saj të paqes” për Ukrainën, një projekt tërësisht jo realist, i cili i përgjigjet pothuajse ekskluzivisht interesave të Rusisë. Për më tepër, plani nuk përfshin asnjë kërkesë për tërheqjen e trupave ruse nga Ukraina.

Cilatdo qofshin të metat e këtij plani, ai i ka dhënë gjithsesi mundësi udhëheqësit kinez Xi Jinping të paraqitet në skenën globale si një ndërmjetës diplomatik dhe ta pozicionojë Kinën për të luajtur një rol në rindërtimin e Ukrainës pas luftës.

E megjithatë, përkundër gjithçkaje që ka fituar si një “vëzhguese” në këtë konflikt, Kina mund të mos jetë gati të qëndrojë mënjanë për një kohë të pacaktuar. Sepse një Rusi e mundur nuk është në interesin e Kinës. Moska është partnerja më e rëndësishme e Pekinit në kundërshtimin e tij ndaj rendit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-ja.

Pavarësisht dallimeve të tyre të shumta, Kina dhe Rusia i kanë bashkuar forcat e tyre për të çuar përpara një rend global alternativ, me rregullat e veta të luftës dhe paqes, qendrat e veta financiare dhe institucionet e veta shumëpalëshe. “Po ndodh një ndryshim që nuk është parë për 100 vjet. Dhe ne po e drejtojmë atë së bashku!”- deklaroi Xi Jinping në fund të vizitës së tij zyrtare në Moskë.

Një poshtërim i Rusisë në Ukrainë do ta hidhte në erë këtë narrativë, duke i dhënë Shteteve të Bashkuara më shumë hapësirë për të përqendruar energjitë dhe burimet e saj në konkurrencën me Kinën. Ndaj për të parandaluar këtë rezultat, Kina mund të zgjedhë t’i hedhë Rusisë një “kamerdare shpëtimi” përtej mbështetjes ekonomike dhe morale, duke e  furnizuar partneren e saj me një ndihmë ushtarake të konsiderueshme.

Ajo mund ta bëjë këtë për të zgjatur luftën, për të shmangur disfatën e Rusisë, apo për të përshpejtuar një farë fitoreje të Moskës. Ndihma kineze mund të jetë e fshehtë, pra mund të jetë e vështirë të gjurmohet nga inteligjenca amerikane. Në fakt, dërgimi nga Kina në Rusi i produkteve të tilla, si të ashtuquajturat “pushkë gjuetie”, të cilat përdoren si nga civilët ashtu edhe ushtarakët, përbën me siguri një mbështetje të tillë.

Ose ndihma e Pekinit ndaj ushtrisë ruse mund të jetë e hapur. Njoftimi publik i dërgesave të armëve do të sinjalizonte një aleancë formale me Rusinë, dhe hyrja e Kinës në luftë kundër Ukrainë, do të çelte një kapitull të ri në çështjet ndërkombëtare, duke e kthyer konfliktin në një konflikt të vërtetë global, dhe duke shënuar nisjen e një marrëdhënie shumë më të egër midis Kinës dhe Perëndimi.

Shtetet e Bashkuara, të cilat janë mësuar ta vëzhgojnë Kinën nga afër, e kanë përshkruar si një “vijë të kuqe” ofrimin e ndihmës ushtarake vdekjeprurëse për Rusinë. Uashingtoni ka kërcënuar me pasoja të rënda (ndoshta në formën e sanksioneve të rëndësishme ekonomike) nëse Pekini e kalon këtë vijë.

Zyrtarët amerikanë duhet të jenë të vendosur dhe të qëndrueshëm në paralajmërimin ndaj homologëve të tyre kinezë. Por nga ana tjetër, ata duhet të pranojnë se Kina nuk do të trembet aq lehtë nga fjalët apo nga kërcënimi i vendosjes së sanksioneve të mëtejshme kundër saj.

Përveç reagimit të Amerikës, Evropa ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në frenimin e një ndërhyrjeje më të bashkërenduar të Kinës në këtë luftë. Pavarësisht shpresës që ushqen presidentit francez Emmanuel Macron pas vizitës që kreu së fundmi në Pekin, dëshira e Kinës për të pasur qasje në ekonominë evropiane, mbetet një burim kryesor i ndikimit të vendeve të BE-së ndaj Pekinit.

Edhe nëse Kina është realisht e bindur se nuk mund të riparojë marrëdhëniet me një SHBA armiqësore, ajo e di se ka shumë për të humbur në Evropë. Kësisoj, për të pasur sukses, evropianët duhet t’ia bëjnë të qartë Kinës, se çdo mbështetje ushtarake për Rusinë, do të sjellë një përgjigje të ashpër dhe të bashkuar nga Evropa.

Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, duhet t’i kujtojnë Kinës se pjesëmarrja e saj në luftë, nuk do ta reduktojë mbështetjen perëndimore për Ukrainën. Pra angazhimi direkt i Kinës në këtë konflikt, vetëm sa do të nxisë ndihmën e mëtejshme nga Perëndimi, duke rritur kostot dhe rreziqet për të gjithë.

Kina ka 3 interesa të gjera në lidhje me luftën në Ukrainë. I pari është parandalimi i rrëzimit të presidentit rus Vladimir Putin. Rusia me Putinin në krye, është një aset i vlefshëm për Kinën. Ajo figuron si një aleate e stilit të Luftës së Ftohtë kundër Shteteve të Bashkuara.

Po ashtu, siguron energji të lirë dhe tregje të konsiderueshme për të, ndaj Pekini nuk dëshiron që Putini të zëvendësohet nga një udhëheqës më pak miqësor, dhe as nuk dëshiron të shohë destabilitet brenda Rusisë, i shkaktuar nga një luftë e humbur në Ukrainë.

Skenari më i keq, ndarja e shtetit rus, mund të sjellë kaos në kufijtë e Kinës, duke e penguar aftësinë e Kinës për të bërë normalisht tregti me Azinë Qendrore, Kaukazin e Jugut dhe Evropën. Megjithëse Putin dhe Xi nuk janë ndoshta dakord se si duhet të përfundojë lufta në Ukrainë, ata janë në një mendje se do të ishte e patolerueshme një humbje e qartë e Rusisë.

Po ashtu, Kina e kupton se lufta në Ukrainë ka pasoja për rendin ndërkombëtar. Nëse ajo do të përfundonte sipas kushteve perëndimore dhe me një fitore të qartë të Ukrainës, Shtetet e Bashkuara do ta përkufizonin luftën si një triumf të rendit të tyre ndërkombëtar, të rregullave të tij, fuqisë së tij si dhe mprehtësisë së vet diplomatike.

Dhe kjo do t’i jepte një goditje aspiratave të Kinës për një rend të ri global me tipare kineze (ose kinezo-ruse). Në të kundërt, nëse lufta do të zvarritet më tej, dhe do të vazhdojë të kontribuojë në inflacionin e lartë dhe pasigurinë ushqimore në mbarë botën, Kina mund ta përcaktojë konfliktin si dëshmi të dështimeve të rendit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-ja.

Kina mund të thotë se në këtë ngërç na kanë çuar 30 vite hegjemoni amerikane, duke e paraqitur veten si një “palë e përgjegjshme”, dhe duke i shërbyer interesit mbi rendin e saj ndërkombëtar alternativ. Po ashtu, Kina është e lumtur që lufta të vazhdojë deri në masën që mban vëmendjen dhe burimet e SHBA-së të angazhuara në Evropë, shumë larg rajonit të Indo-Paqësorit.

Interesi i tretë i Kinës, që mund të mos jetë plotësisht i pajtueshëm me interesin e saj të dytë, është të ketë një rrezik domethënës tek pasojat e luftës në Ukrainë. Pekini është kryesisht i kënaqur të lejojë Rusinë, Ukrainën dhe Perëndimin që të lodhen në luftime.

Por ai dëshiron të ketë një zë me peshë në procesin përfundimtar të paqes dhe peizazhin ekonomik të Ukrainës së pas-luftës. Kina kishte një marrëdhënie ekonomike në rritje me Ukrainën përpara luftës, dhe pa dyshim që do të luajë një rol të madh në rindërtimin e Ukrainës pas fundit të konfliktit.

Edhe pse Kievi këmbëngul se mbështetësit e tij në luftë duhet të jenë përfituesit kryesorë të mundësive që do të vijnë me rigjallërimin e vendit, Ukraina mund t’i drejtohet Pekinit për të ndihmuar në përballimin e nevojave të saj të stërmëdha për rindërtimin.

Plani i paqes që Xi i propozoi Putinit së fundmi në Moskë, është një shenjë se Kina dëshiron të jetë edhe ndërmjetëse edhe një lojtare ekonomike në Ukrainë. Ajo dëshiron të jetë në tryezë në mënyrë që sapo të përfundojë lufta, të mund të veprojë në dobi të interesave të saj ekonomike.

Pra në këto momente, Kina do të përpiqet ta përshtatë luftën me vizionin e saj për rendin rajonal dhe ndërkombëtar. Nga njëra anë, do të synojë të zgjerojë lidhjet tregtare me Ukrainën dhe fqinjët e Ukrainës, dhe nga ana tjetër, do të zgjerojë fushën e veprimit në dispozicion të fuqive si Rusia, për të hedhur poshtë rregullat e shkruara në Uashington.

Kina mund të ankorohet duke i ofruar Rusisë një ndihmë ushtarake vdekjeprurëse. Por cilado qoftë kjo mbështetje e fshehtë – përfshirë dronë, predha artilerie dhe municione – nuk do t’i sillte Rusisë fitoren për arsyen e thjeshtë se Rusia nuk ka një rrugë koherente drejt fitores në Ukrainë.

Ndihma kineze nuk mund të ndreqë dështimet e udhëheqjes ushtarake të Rusisë, moralin e ulët midis trupave ruse dhe të menduarit e dobët strategjik të Kremlinit. Megjithatë, ndihma materiale nga Kina mund të ndihmojë shumë për të zgjatur luftën, për t’i dhënë Rusisë avantazhe taktike në terren dhe për të bindur një elitë nervoze ruse, se Rusia mund të vazhdojë të luftojë. Në çdo rast, Kina nuk do të lejojë që ngjarjet në Ukrainë të zhvillohen në mënyrë pasive. /albeu.com

Marrë me shkurtime
Shënim:Liana Fix, anëtare e thinj-tankut ‘Council on Foreign Relations’. Michael Kimmage është profesor i historisë në Universitetin Katolik të Amerikës. Gjatë viteve 2014-2016, ishte anëtar i Stafit të Planifikimit të Politikave në Departamentin Amerikan të Shtetit.


Shtuar 28.04.2023 14:07