Si mund ta fitojë paqen Perëndimi në Ukrainë

Nga Tomasz Wroblewski & James Jay Carafano “National Interest

Luftërat e ngacmojnë gjithnjë imagjinatën e historianëve. Po ashtu ato i japin formë traktateve që nënshkruhen pas përfundimit të luftimeve. Këto pakte ndihmojnë nga ana e tyre në përcaktimin e rendit politik, social dhe ekonomik për vitet në vijim.

Si rregull traktatet duhet të hedhin themelet për një të ardhme paqësore. Por kur shkruhen kuturu, ato mund të mbjellin farën e konfliktit të ardhshëm. Në Ukrainë vazhdojnë luftimet dhe humbjet e jetëve njerëzore. E megjithatë, është koha që ne nisim të mendojmë se si të krijojmë në këtë vend një të ardhme, e cila t’i premtojë komunitetit transatlantik një epokë të re stabiliteti, paqeje dhe prosperiteti.

Pavarësisht nga dallimet e shumta midis familjes së kombeve perëndimore, ekziston një konsensus universal, sipas së cilit një Ukrainë e lirë, e lulëzuar dhe e sigurt, na sjell dobi të gjithëve. Po sa gjasa ka që të ndodhë diçka e tillë?

Ekzistojnë shumë skenarë alternativë, se si mund të përfundojë kjo luftë, nga kolapsi total i kleptokracisë perandorake ruse, tek një flamur ukrainas që valëvitet në Sevastopol të Krimesë, deri tek një luftë e gjatë shkatërruese, që do të sillte rrënimin dhe kapitullimin e ngadaltë të Ukrainës.

Lajmet e fundit nga fusha e betejës, sugjerojnë se konflikti do të mbyllet në një pikë të mjegullt, ku asnjëra palë nuk do t’i arrijë dot synimet e veta maksimaliste. Disa zëra, përfshirë italianët, francezët dhe Henry Kissinger po bëjnë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, dhe për lëshime territoriale nga pala ukrainase.

Por në praktikë, ky nuk do të ishte një përfundim i mirë për Perëndimin. Pasi do t’u jepte kohë rusëve për t’u rigrupuar dhe treguar muskujt e tyre ekonomikë ( si për shembull nëpërmjet furnizimeve energjitike) për t’i bërë presion Perëndimit që të heqë disa nga sanksionet e vendosura, dhe të ndalë dërgesat e armëve në Ukrainë.

Ne kemi nevojë të hedhim themelet për arritjen e një paqeje të vërtetë. Nxitimi për t’i dhënë fund luftimeve pa mbrojtur interesat jetike të Ukrainës – ose duke e lejuar Rusinë të dalë nga kjo luftë pa dhënë llogari për krimet e saj, dhe e pasuruar me territore të reja – vetëm sa do të rriste kërcënimin e një agresionit të ardhshëm nga ana e Rusisë.

Lufta aktuale nisi sepse dështoi rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla, dhe dominoi forca. Vetëm forca dhe vullneti për ta përdorur atë, do të sjellë stabilitet, duke krijuar kushtet për t’i dhënë fund kërcënimit ndaj komunitetit transatlantik.

Pavarësisht se si do të përfundojë lufta në terren, NATO duhet të jetë e përgatitur që ta pengojë agresionin e ardhshëm me një ushtri konvencionale të fuqishme dhe të mirë-pozicionuar, së bashku me mjetet për të siguruar energji të bollshme, të besueshme dhe të përballueshme, pa qenë më e ndërvarur nga Rusia.

Po ashtu, komuniteti transatlantik duhet të ndihmojë në vendosjen e themeleve për një Ukrainë, e cila do të ketë mundësi të mbrohet ndaj agresionit të ardhshëm rus. Kjo përfshin ndihmën ndaj Kievit për të ndërtuar kapacitetin me qëllim thyerjen e bllokadës ruse ndaj eksporteve të grurit, për të mbrojtur hapësirën ajrore të Ukrainës nga sulmet ajrore dhe raketore, si dhe për të siguruar sovranitetin e territorit ukrainas.

Kjo do të kërkojë nga vendet perëndimore që të bëjnë përpjekje edhe më të guximshme për t’i furnizuar ukrainasit me armët dhe municionet e nevojshme, për t’i përmbushur këto detyra së bashku me mbështetjen e nevojshme logjistike, trajnimin dhe të dhënat e inteligjencës.

Në vend se të rrisë rrezikun e zgjerimit të luftës, një përpjekje më agresive ka të ngjarë ta mbyllë më shpejt luftën, dhe të sigurohet që ajo të mos fillojë prapë. Përkundrazi, është në interesin e Perëndimit të përshpejtojë rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës.

Kostot e rindërtimit të këtij vendi mund të arrijnë në 1 trilion dollarë ose më shumë. Rusia duhet të detyrohet që t’i paguajë Kievit reparacionet e luftës përmes rezervave të saj valutore (600 miliardë dollarë) të mbajtura në bankat perëndimore, nga asetet e sekuestruara të oligarkëve rusë, si dhe nga një taksë për shitjet e ardhshme të naftës dhe gazit rus.

Procesi i rindërtimit të Ukrainës, do të jetë i mbushur me rreziqe. Ukraina është një nga vendet më të korruptuara në botë. Hedhja qorrazi e miliarda dollarëve në këtë vend, dhe vendosja e sasive të mëdha të pasurisë në duart e gabuara, nuk do t’i sjellë dobi popullit ukrainas, dhe as do t’i ndihmojë ata të kenë qeverisjen më të mirë që duan.

Ndaj për të siguruar një rimëkëmbje të suksesshme, donatorët duhet të parandalojnë që çdo fond i ndihmës të përfundojë në xhepat e oligarkëve ukrainas. Ndihma e ardhshme për rindërtimin e këtij vendi, duhet të lidhet me reformat e tregut të lirë, të cilat do të privatizojnë sektorin industrial shtetëror të Ukrainës, do të tërheqin investime private dhe do të lehtësojnë ndjekjen penale të zyrtarëve të korruptuar.

Vetëm duke u përballur me të kaluarën e saj të dështuar, Ukraina do ta ankorojë të ardhmen e saj në Perëndim, dhe do të ndërtojë qëndrueshmërinë e saj politike, ekonomike dhe ushtarake për të penguar agresionin e ardhshëm rus.

Së fundi, Perëndimi duhet ta marrë seriozisht edhe integrimin politik. Evropianët duhet të adresojnë sa më shpejt të gjitha pengesat që ekzistojnë për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian, dhe ta mbajnë derën e hapur për zgjerimin e NATO-s edhe me këtë vend.

Nuk duhet të ketë asnjë lehtësim sanksionesh për Rusinë, që do të minonte ndonjë nga këto synime. Dhe këto hapa duhet të ndërmerren pikërisht tani. Brenda pak vitesh, Rusia e Putinit do ta rindërtojë ushtrinë e saj. Dhe Putin do të synojë të hakmerret për disfatën. Deri atëherë, ai duhet të përballet me një Perëndim që nuk e ka aspak frikë, sepse është shumë i fortë dhe gati për t’i rezistuar.

Shënim:Tomasz Wroblewski, drejtues i “Warsaë Enterprise Institute”. James Jay Carafano, është nënkryetar i “Heritage Foundation”.

Shtuar 7.06.2022 10:29