Nga Tunku Varadarajan “Wall Street Journal”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Lituania është një vend baltik me pak më pak se 2.8 milionë banorë, 1 milionë më pak njerëz sesa banorët e Los Anxhelosit në SHBA. Ajo e fitoi pavarësinë e saj nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991 dhe ka qenë për 3 dekada në periferinë e vëmendjes ndërkombëtare, nën patronazhin e Bashkimit Evropian (të cilit iu bashkua në vitin 2004) të dominuar nga peshat e rënda si Franca dhe Gjermania.
Lufta në Ukrainë ndryshoi gjithçka. Ajo e ri-vizatoi dukshëm hartën morale dhe diplomatike të Evropës. Me Francën dhe Gjermaninë që udhëheqin në prapaskenë – kjo e fundit kronikisht e pavendosur dhe peng i furnizimeve energjitike ruse – shtetet e vijës së parë të krahut lindor janë detyruar të ngrenë vetë një mbrojtje të fuqishme evropiane për Ukrainën.
Së bashku me Poloninë, shtetet baltike – Estonia dhe Letonia, Lituania – kanë qenë më të zëshmet në dënimin e pushtimit. Ato kanë dërguar ndihma ushtarake të mëdha dhe kanë pritur një numër të madh refugjatësh ukrainas. Në këtë mënyrë kanë shkaktuar zemërimin e Rusisë, gjë që ato e konsiderojnë si një dëshmi të një detyre morale të kryer mirë.
“Ne kemi ende një kujtesë shumë të qartë historike të pushtimit sovjetik”- thotë Gabrielius Landsbergis, 41 vjeç, Ministri i jashtëm i Lituanisë, gjatë një bisede me video në platformën Zoom nga kancelaria e tij në Vilnius. “Unë jam një politikan i ri, por e mbaj mend atë, ashtu si brezi i ri në parlament”- shton ai.
Fëmijët e tij “lexojnë vetëm për të”, por lituanezët kanë makthet kombëtare të sulmeve ruse, “jo vetëm mbi tanket në Ukrainë dhe Gjeorgji, por edhe këtu në kryeqytet”. Landsbergis ishte vetëm 9 vjeç kur tanket sovjetike hynë në Vilnius në një përpjekje për të shpërndarë mijëra protestuesit që bënin thirrje për pavarësi.
14 lituanezë u vranë nga trupat sovjetike më 13 janar 1991, që tani përkujtohet si Dita e Mbrojtësve të Lirisë. Tetë muaj më vonë, presidenti rus Boris Yelstin e njohu sovranitetin e Lituanisë. Anëtarësimi në Kombet e Bashkuara ndodhi disa ditë më vonë. Gjyshi nga babai i Ministrit të Jashtëm, Vytautas Landsbergis, sot 90 vjeç, ishte kreu i parë i shtetit të Lituanisë së pavarur.
Kjo përvojë u jep lituanezëve një “një kuptim shumë të mirë të asaj që kundërshtojmë dhe mbi atë që po lufton Ukraina”, thotë ministri i jashtëm. Po ashtu ai shpjegon pse Lituania është i vetmi vend në botë në një gjendje përplasjeje të hapur si me Rusinë po ashtu edhe me Kinën.
Lituania e sheh veten në gjendej të përballet me 2 vendet e fuqishme autoritare që do të donin të zhduknin sovranitetin e kombeve të tjera. Pozicioni i saj politik u forcua në fund të muajit të kaluar, kur ambasadori i Kinës në Francë tha në televizionin francez se “më parë republikat sovjetike nuk kishin një status në të drejtën ndërkombëtare”.
Armiqësia e Kinës kundër Lituanisë mund të shpjegohet shumë lehtë. Në nëntorin e vitit 2021, qeveria dha leje për hapjen e një Zyre Përfaqësuese të Tajvanit në Vilnius. Një zyrë e tillë, përshkruhet në media si një ambasadë de facto, por Landsbergis kujdeset që ta quajë atë përfaqësi “jo diplomatike”.
Gjithsesi ajo është e vetmja zyrë përfaqësuese e Tavanit në Evropë që përdor termin “Tajvan” dhe jo “Taipei”, dhe i vetmi emër që Kina e konsideron të lejueshëm. Edhe në SHBA, përfaqësuesit e Tajvanit i përmbahen rregullave të imponuara nga Pekini.
Reagimi i Kinës ishte i shpejtë, jo-proporcional dhe hakmarrës. Kina ndërpreu brenda natës të gjithë tregtinë me Lituaninë, e tërhoqi ambasadorin e saj nga Vilnius dhe e dëboi stafin diplomatik të Lituanisë nga Pekini. “Ishte një situatë e paprecedentë. Të kalosh nga 100 për qind në zero volum tregtar me një vend, është diçka që nuk ka ndodhur kurrë. Kjo ngjarja shkaktoi shumë stres për bizneset por edhe për qeverinë, që u përpoq të gjente një mënyrë sesi të përballej me situatën”- deklaron Landbergis.
Ndërsa përpiqej që të përballej më këtë sfidë të madhe ekonomike, Lituania zbuloi se nuk ishte pa miq. Australia, Japonia dhe Koreja e Jugut hapën portet e tyre për anijet që nuk mund të ankoroheshin më në Kinë. “Vitin e kaluar, tregtia jonë me Paqësorin u rrit me 40 për qind. Lulëzimi i tregtisë me Singaporin, bëri që Lituania të hapë atje një ambasadë. Ne shkëputëm çdo lidhje me Kinën, por treguam se ishte e mundur ta përballonim atë dhe të mos toleronim kur bëhej fjalë për vlerat”- tregon më tej shefi i diplomacisë lituaneze.
Tajvani ka ende zyrën e tij në Lituani, dhe marrëdhëniet tregtare me Kinën janë rivendosur, edhe pse ambasadorët nuk janë rikthyer ne selitë përkatëse. Por pse Lituania vendosi ta sfidojë e vetme Kinën në Evropë? Landsbergis nuk i intereson kjo arritje. Ai thotë se vendi i tij “i lejon njerëzit të ndihen dinjitozë, edhe nëse ata e shohin veten si tajvanezë, qoftë politikisht apo kulturalisht”.
Ai shton se pozicioni i Vilniusit ndaj Tajvanit buron nga vlerat e tij kombëtare dhe besimi tek një “rend botëror i bazuar në rregulla”. Ai e krahason drejtpërdrejt Tajvanin me Ukrainën. “Sovraniteti i vendeve është një nga vlerat tona kryesore, siç është edhe dinjiteti i njerëzve, që shfaqet zakonisht kur flasim për njerëzit në Tajvan dhe dëshirën e tyre për t’u njohur si një komunitet demokratik”- shprehet ai.
Kina, thotë Landsbergis, e akuzoi Lituaninë për shkeljen e politikës së tyre të “Një Kine”. “Ne u thamë se çdo vend ka një politikë të tillë dhe ne nuk e kemi shkelur politikën që ka Lituania. Por synimi i Pekinit shkon më thellë sesa kaq, ai përpiqet të shtypë identitetin”- nënvizon ai.
Nën presidencën lituaneze të BE-së në Evropë është rikthyer debati mbi Tajvanin. Në fund të marsit, unioni ra dakord të nisë një proces për të lejuar hakmarrjen tregtare kundër vendeve që përdorin masa ndëshkuese kundër shteteve të saj anëtare. “Dy vitet e fundit Tajvani është bërë gjithnjë e më shumë një temë që po debatohet në Evropë”- thekson Landsbergis.
Letonia dhe Estonia ndoqën shembullin e Lituanisë në largimin nga një forum i quajtur 17+1, i krijuar nga Kina për të ndërtuar marrëdhëniet e saj me vendet e Evropës Lindore. Javën e shkuar Ministri i jashtëm çek tha se “14+1 nuk ka as përmbajtje dhe as të ardhme”. Po në mars, një delegacion prej 150 parlamentarësh çekë vizitoi Tajvanin.
Ndërkaq çekët kanë negociuar me tajvanezët një marrëveshje të madhe për shit-blerje armësh. Duke komentuar vizitën e presidentit francez Emmanuel Macron në Kinë dhe deklaratat kritike ndaj SHBA-së, Ministri i Jashtëm lituanez, shprehet me shqetësim se në Evropë vazhdon të ketë ende “shumë naivitet dhe mendime të dëshirueshme, sipas të cilave përmes tregtisë, diplomacisë dhe ndërveprimit në arenën shumëpalëshe, do t’i tërheqim vendet autoritare më pranë Perëndimit”.
“Këto metoda dështuan bujshëm me Rusinë dhe ne nuk duhet të bëjmë të njëjtin gabim me Kinën”- këshillon ai. Ndërkohë në lidhje me lajmin se Kina është ofruar të ndërmjetësojë përfundimin e luftës në Ukrainë, Landbergis është i bindur se “Kina nuk po përpiqet të ndihmojë Rusinë apo dikë tjetër, por vetëm veten e saj.
Sipas tij Xi Jinping synon “të krijojë një alternativë ndaj Pax Americana”, një “Pax Sinica”, të cilën Landsbergis e cilëson si “Pax Cynica”. Ai shpjegon se Kina kërkon të krijojë një rend të ri global të bazuar në “parimin forca bën të drejtën”. Ai paraqitet si një “rend”’, por në të fiton vetëm i forti. “Kjo nuk është bota që do të ishte e sigurt për vendin tim. Ajo që e mban Lituaninë të sigurt është Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut”- thotë Landsbergis.
I pyetur nëse ai mendon se lidershipi i SHBA-së është në rënie në nivel ndërkombëtar, shefi i diplomacisë lituaneze pretendon të kundërtën “Jo, mendoj se është rikthyer. Të paktën në rajonin tim. Kur flitet për Evropën, Shtetet e Bashkuara kanë treguar, ashtu si në të kaluarën, se janë këtu përkrah nesh. Pjesëmarrja e SHBA-së ishte vendimtare në dy luftërat botërore, dhe ne po shohim që historia përsëritet, në një formë tjetër. Edhe pse atje nuk po luftojnë trupat amerikane, Ukraina mbështetet shumë nga Shtetet e Bashkuara, jo vetëm ushtarakisht, por edhe politikisht, diplomatikisht dhe financiarisht”.
Landsbergis nuk është i shqetësuar nga mosmarrëveshja e dukshme e brendshme në SHBA – sidomos në Partinë Republikane – mbi nivelin e mbështetjes amerikane për Ukrainën. Ai ka takuar ligjvënës amerikanë nga të dyja partitë dhe ka zbuluar se mosmarrëveshja mbi Ukrainën është e mbivlerësuar. Ai beson se “fryma e Reagan është ende e gjallë” në partinë e Ronald Reagan. Por është e gjallë edhe në Lituani. Reagan tha dikur se teoria e tij për Luftën e Ftohtë ishte “Ne fitojmë, ata humbin”. Landsbergis thotë se fitorja e Ukrainës do të thotë “të rifitosh të gjithë territorin, përfshirë Krimenë”. Ai ka një mesazh për gjithë amerikanët: “Ne jemi të gjithë të lidhur nga një fije gjeopolitike e paparë. Një fitore ose humbje e Ukrainës do të prekë vendin tim, Korenë e Jugut, Tajvanin, Japoninë, Izraelin dhe në fund edhe Shtetet e Bashkuara. Nuk mund të lodhemi, s’mund të ndalojmë së mbështeturi Ukrainën. Ne duhet të vazhdojmë kështu derisa ata të fitojnë”- përfundoi ai. /albeu.com