Si jepen dhe kush i përfiton grantet për Start Up-et? A është bindëse ministrja Bilali në përgjigjen e saj?

Pas denoncimit të bërë një javë më parë nga “Piranjat” lidhur me dhënien e granteve për sturt-up, të cilat binin ndesh me ligjin, pasi këto granate janë përfituar nga familjarë të personave që i japin këto grante, është kthyer në temë debati mes deputetes së PD Ina Zhupa, dhe Ministres së Sipërmarrjes Edona Bilali.

Kjo e fundit mohoi që të jetë ndjekur rrugë arbitrare për dhënien e këtyre granteve, duke theksuar se “Piranjat” e kanë marrë përgjigjen me shkrim për të gjitha pyetjet, por si qëndron e vërteta?

Përgjigja ka ardhur për “Piranjat” por vetëm mbasi ministria është detyruar nga Komisioneri për Informim.

Piranjat kanë kërkuar informacion fillimisht në datën 10 gusht për listën e projekteve fituese dhe emrat e anëtarëve të komisionit të vlerësimit. Në përgjigjen e kthyer, teksa na sqarojnë se lista është publike, anëtarët e komisionit nuk publikohen, por na sqarojnë bazën ligjore si është i ndërtuar ky komision. Piranjat ju drejtuan me një ankesë Komisionerit për të Drejtën e Informimit, pas territ informativ për çfarë ne kërkuam. Pas seancës dëgjimore mes Piranjave dhe autoritetit publik, konkretisht Ministrisë së Sipërmarrjes, komisioneri vendosi pranimin e ankesës tonë dhe urdhërimin e ministrisë për dhënien e informacionit të kërkuar.

Pas kësaj, në redaksinë tonë mbërriti përgjigjja me emrat e anëtarëve të komisionit, që fillimisht për ministrinë publikimi i tyre përbënte cënimin e të dhënave personale. Por ajo që mbetet e rëndësishme, është se ministria dhe komisioni i vlerësimit duhet të japin shpjegim për konfliktet e interesit për rastet që Piranjat denoncuan një javë më parë. A ka konflikt interesi mes AADF dhe qendrës Protik? A ka konflikt interesi me Skytech dhe 3DSKY, dy kompani që kanë të njëjtët pronarë? A ka konflikt interesi ku djali i Dritan Agollit, drejtor i FZHZH, Flladi Agolli përfiton grante nga qeveria?

Ministria e Sipërmarrjes me në krye znj.Edona Bilali, duhet të sqarojë mbi çfarë kriteresh kanë përfituar grante nga paratë e shqiptarëve, këta individë apo ojf, subjekte etj. Pavarësisht tentativave të ministres për ta spostuar debatin në korrespodencën mes emisionit dhe institucionit që ajo drejton, interesi i publikut është se ku kanë përfunduar paratë publike për start up dhe për çfarë inovacionesh kanë përfituar rastet që Piranjat kanë denoncuar.


Shtuar 18.12.2022 22:06