Nga një oficer i lartë policie në Greqi tek elementë të njohur të krimit në vendet fqinje, si përdorën grupet shqiptare të huajt për eliminimin e kundërshtarëve
“Në Shënjestër” ka sjellë sot rastin e Efthymoius Eftthymiou (Eftimius Eftimiu) dikur kishte qenë një oficer i lartë policie në shtetin grek.
Emri i tij u bë i njohur në Shqipëri, gjatë hetimeve për zbardhjen e vrasjes së shtetasit Dejvi Kasmi, i. cili mbante edhe emrin Dëfrim.
Ngjarje kjo e ndodhur në orët e mbrëmjes së datës 29 janar 2018, në rrugën ‘Kongresi i Manastirit’ në Tiranë, gjatë momentit kur viktima po kthehej në apartamentin tij, pasi kishte dalë nga palestra.
Oficeri grek i policisë, i cili në këtë ngjarje, sipas grupit hetues shërbeu si tërheqësi i këmbëzës së armës që qëlloi ndaj Dejvi Kasmit, u tradhtua nga një kamera sigurie në zonë.
Ai u pa të largohet nga vendi i ngjarjes me një furgon të bardhë të përdorur në vrasje, gjë që çoi në gjurmimin e tij nga ana e policisë.
“Efthymious Efthymiou, (Eftimius Eftimiu) i biri i Christos dhe i Lambrini, i datëlindjes 10 Shtator 1976, lindur në Kastaneca dhe banues në rruga ‘Nazianxo 23’, Athinë, Greqi, me kombësi dhe shtetësi greke, me arsim të lartë, me profesion oficer i lartë policie, me gjendje civile beqar, me gjendje gjyqësore i padënuar nga gjykatat shqiptare”, thuhet në dosjen hetimore.Menjëherë pas konstatimit të një furgoni të dyshimtë pranë vendit të krimit, oficerët e policisë, mbajtën në vëzhgim shtetasin Elton Halipaj, kjo për faktin pasi ai rezultonte të ishte blerësi i furgonit.
Gjatë kontrollit të banesës së tij, u ndalua edhe shtetasi Malvin Dinellari, por edhe ai grek Eftimius Eftimiu.
“Pasi konstatuan shtetasin Elton Halipaj, oficerët e policisë e ndaluan atë në një automjet me targa AA622KI.
Bashkë me të u ndaluan edhe shtetasi Malvin Dinellari. Si dhe në banesën ku qëndronte Elton Halipaj, u ndaluan edhe i pandehuri tjetër Efthymious Efthymiou, i cili sapo konstatoi forcat e policisë tentoi të largohej me vrap”, thuhet në dosje.
Sipas grupit hetues Devi Kasmi u ekzekutua në Tiranë, nga dy persona me motoçikletë, që qëlluan mbi 41-vjeçarin, pesë herë, në kokë dhe në trup.
Por ish-oficeri i policisë greke, Eftimius Eftimiu, nuk mundi t’i shpëtonte gjatë ndjekjes së policisë.
Identifikimi i Eftimiut u bë nga kamerat e sigurisë ku duket një furgon i bardhë me të cilin ata afrohen pak momente para se të vritej Kasmi dhe më pas largohen me të njëjtin mjet.
Siç u mësua edhe më pas, porositës i vrasjes doli të jetë Aurel Hoxhallari.
Edhe sot dyshimet janë se shkak për këtë eliminim u bënë përplasja midis grupeve kriminale, ku dyshohet se Hoxhallari pagoi për ekzekutimin e Kasmit duke kontaktuar ish-komandon grek.
“Nga kqyrja e tabulateve konstatohet që ka fluks komunikimi midis Malvin Dinellari, Elton Hoxhallari, Elton Halipaj, Efthymious Efthymiou, dhe Aurel Hoxhallarit.
Këta persona kanë numra të përbashkët dhe komunikojnë me njëri tjetrin, në role të ndryshme si telefonues ashtu edhe pritës telefonate.
Lidhur me antenat për vendndodhjet e telefonave, ditën e ngjarjes, telefonat e Elton Hoxhallarit, Aurel Hoxhallari, Malvin Dinellarit, Elton Halipaj dhe Efthymious Efthymiout, paraqiten në zonën e Unazës së Re, por kanë mungesë aktiviteti komunikimi për orarin 17.00-19.30,
në raport me fluksin e thirrjeve, ditët e tjera apo në oraret e mëparshme”, sqarohet në dosjen hetimore.
I pyetur nga grupi hetues, Eftimius Eftimiu tha se kishte ardhur në Shqipëri në shoqërinë e Aurel Hoxhallarit, i cili mbante edhe emrin Altin, Emri me të cilin ish-oficeri grek i policisë e përmend edhe në dëshminë e tij.
Ai tha se kishte njohje me Aurelin prej 15 vitesh Dhe se herën e fundit kishte ardhur në Shqipëri me të për të provuar një qen gjahu.
“Unë kam ardhur në Shqipëri më 10 Nëntor 2017, bashkë me Altinin, pasi ai më tha që në Shqipëri ka shumë shokë që kanë qen gjahu. Pasi erdhëm në Shqipëri u vendosa direkt te shtëpia e Altinit në kodër.
Unë Elton Halipajn e kam njohur vetëm këtë herë kur erdha në Shqipëri.
Eltoni ishte tek shtëpia lart, sepse bënte këto punët e ndërtimit dhe duke qenë se nuk i jepte makinës shumë herë, zbrisja unë bashkë me të me makinë, për të marrë materialet e ndërtimit. Altini kishte të paktën 15 lloj të ndryshme makinash”, dëshmon Eftimius Eftimiu.
Midis makinave të ndryshme që dispononte Aurel apo Altin Hoxhallari, Eftimius Eftimiu përmendi edhe furgonin e bardhë që u pikas pranë vendit të krimit.
“Altini midis makinave të shumta, kishte edhe një furgon i bardhë dhe një vitro të vjetër. Furgonin vitro të bardhë, tek shtëpia lart e ka sjellë Altini nga fundi i dhjetorit, apo fillimi i janarit, nuk e mbaj mend”, vijon dëshmia e tij.
Lidhur me dorezat e gjetura, në furgonin e bardhë që përkonin me gjurmët e tij, ish-oficeri grek i policisë, tha se ato ishin të Aurel Hoxhallarit.
“Brenda në furgonin e bardhë kishte një palë doreza ‘Nike’. Këto doreza nuk janë të miat, janë të Altinit. Altini ka dorën sa gjysma e dorës time. Një ditë që ishte shumë ftohtë, hapa dollapin dhe i pashë. Mora një dorezë dhe e provova njërën, që më binte deri tek gjysma e shuplakës së dorës.
Ishte një moment që e kam marrë për ta provuar dhe e kam lënë prapë aty… Doreza plastike ka gjithmonë në makinën e Altinit sepse ka probleme me dorën. Nuk kisha pse t’i merrja me vete kur nuk më bënin. Njërën doja të provoja dhe e lashë aty”, thuhet në dosje.
Lidhur mbi faktin që ai u gjend në shtëpinë e Elton Halipaj, natën kur u ndalua nga policia dhe shkakun përse tentoi të largohej, Eftimiu Eftimius tha se veprimin e kreu nga frika, pasi sipas tij ai nuk e dinte kush ishin personat që po shkelmonin derën.
“Unë atë natë isha në shtëpinë e Eltonit, pasi të nesërmen mamaja e tij, kishte kimioterapinë, sepse është me sëmundje të rëndë.
Unë nuk u largova që të arratisem. Ishte ora 01.00 e natës, kur Eltoni më tha që duhet të ikte. I thashë po vij edhe unë. Ai më tha jo se për 5 apo 10 minuta kthehem. Gjysmë orë më pas dëgjoj policinë që thërriste: ‘Toni’. Duke qenë në një vend si Shqipëria ku çfarë nuk ndodh, kërceva nga dritarja.
Kur pashë policinë dhe dritat e saj, atëherë u thirrja dhe u thashë jam këtu, ku u thashë se jam ish-polic i forcave të armatosura greke”, dëshmon Eftimiu Eftimius.
Por me gjithë versionet dhe alibitë e tij, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dënimin me burgim të përjetshëm për ish-oficerin grek të policisë, duke u mos u bindur aspak nga dëshmitë e tij.
Ai u dënua për veprën penale ‘Vrasja me paramendim për interes’, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, ku ai po vuan dënimin në një burg të sigurisë së lartë.
Por rasti i Eftimius Eftimiut nuk ishte i vetmi i të huajve që pranojnë pagesa në këmbim të vrasjeve në Shqipëri.
Salvatore Letizia ishte një napolitan i sprovuar në krime në shtetin italian. Deri para se emri i tij të bëhej i njohur në Shqipëri për një nga ngjarjet më bujshme që atë kohë tronditi Tiranën.
Bëhet fjalë për atë që edhe sot njihet si masakra e Bulevardit ‘Zogu i Parë’, ku më 27 Maj 2015, ndërsa kryeqyteti po përgatitej të priste presidentin serb Alaksandër Vuçiç, në krahun tjetër të zgjatimit të Bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’, një përplasje me armë midis dy grupeve kriminale, prodhoi plot tre të vrarë.Njëri nga atentatorët rezultoi të ishte Salvatore Letizia, i datëlindjes 1981, banues në Marcianise (Marçianize), me shtetësi italiane, i pa dënuar më parë.
Si pasojë e ngjarjes mbetën të vrarë Mentor Lufi që mbante edhe mbiemrin Doçi, Gerti Goxhaj dhe Besnik Sulku, por gjithçka thuhet se nisi fillimisht në Hollandë, aty ku konflikti kishte nisur fillimisht midis Mentor Lufit dhe vëllezërve Durim dhe Besnik Sulku.
Personazhe këta të lidhur me narkotrafikun, të cilët udhëtonin shpesh në shoqërinë e njëri-tjetrit në këtë vend, por që prishja e pazareve të drogës duket se tronditi fort shoqërinë e tyre.
Megjithatë akti i parë i përplasjes së tyre të vërtetë me armë do të luhej më dhjetor të vitit 2014, në Tiranë, pranë stadiumit ‘Dinamo’ ku mbeti i plagosur Mentor Lufi.
Ai dyshoi se autorët e plumbave ndaj tij ishin pikërisht vëllezërit Durim dhe Besnik Sulku.
Vetëm disa muaj pasi u plagos në atentat, sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni ‘Në shënjestër’, Mentor Lufi që siç thamë mbante edhe mbiemrin Doçi, organizoi këtë herë nipërit e tij Markeljan dhe Klejvi Doçi, për t’u hakmarrë ndaj vëllezërve Sulku.
Ky atentat do të vinte në muajin prill të vitit 2015, këtë hërë në qytetin Ridderkerk të Holandës.
Sipas autoriteteve holandeze dy vëllezërit Doçi, në këtë rast nipat e Mentor Lufit, qëlluan me armë Durim Sulkun, i cili humbi jetën ndërsa gjendej në një automjet tip Smart, kur u qëllua disa herë për vdekje me pistoletë nga Markeljan dhe Klejvi Doçi.
Por ndërsa pritej që hakmarrja e fisit Sulku të vononte, ajo erdhi më e shpejtë se ç’mendohej.
Menjëherë pas atentatit që kryen në Holandë, vëllezërit Doçi u kthyen në Shqipëri me qëllim për t’iu shmangur autoriteteve holandeze.
Vetëm një muaj pas atentatit të fundit të kryer në Holandë, Mentor Lufi dhe dy nipat e tij Markeljan dhe Klevi Doçi, dhe miku i tyre Gerti Goxhaj, u gjendën të ulur në një kafe pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Tiranë, në zonën e Bulevardit ‘Zogu i Parë’ në kryeqytet.
Sipas dinamikës së ndërtuar nga grupi hetimor, pasi u ngritën nga lokali, ata u ngjitën në dy automjete të ndryshme.
Konkretisht Mentor Lufi ishte pasagjer në mjetin e drejtuar nga Gerti Goxhaj; ndërsa vëllezërit Markeljan dhe Klejvi Doçi, vinin fill pas tyre me një automjet tjetër, ku në timon ishte Markeljan Doçi.
“Më datë 27 Maj 2015, rreth orës 18:00, shtetasit Mentor Lufi (alias Mentor Doçi), Gerti Goxhaj, Markeljan Doçi, Klejvi Doçi, D.B dhe A. L, kanë qenë në shoqërinë e njëri-tjetrit, teksa qëndronin në një lokal që ndodhet pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, përballë Maternitetit ‘Mbretëresha Geraldinë’. Pas pak ata kanë dalë jashtë ambienteve të lokalit dhe kanë hipur në makina të cilat ishin të parkuara pranë lokalit.
Në makinën ‘Tuareg’, me targë AA 097 KE, kanë hipur Markeljan Doçi dhe Klejvi Doçi, në automjetin tip BMË, kanë hipur Mentor Lufi (alias Mentor Doçi) dhe Gerti Goxhaj, ndërsa personat e tjerë janë larguar me një automjet tjetër ‘Range Rover’”, thuhet në dosjen hetimore.
Por sapo janë ngjitur nëpër makinat e tyre, në dy pjesët anësore të automjetit të parë ku ndodheshin Mentor Lufi dhe Gerti Goxhaj, vihet re teksa afrohen dy persona të maskuar, të armatosur, të cilët nisin të qëllojnë menjëherë mbi dy personat që ndodheshin në vendet e para të makinës.
“Dy automjetet, ‘BMË’ dhe ‘Tuareg’, kanë lëvizur ngadalë njëri pas tjetrit. Përpara ka qenë automjeti tip ‘BMË’ i cili drejtohej nga Gerti Goxhaj dhe pasagjer Mentor Doçin. Në momentin që kanë filluar lëvizjen në bulevardin ‘Zogu i Parë’, pranë makinës ‘BMË’ janë afruar me shpejtësi dy persona të maskuar me pistoleta në duar.
Në një distancë rreth një metër nga automjeti tip ‘BMË’, të dy personat kanë filluar të qëllojnë në drejtimin ku ishte ulur Mentor Doçi.
Si pasojë e të shtënave me armë, i pari që humbi jetën në vendngjarje, ishte drejtuesi i mjetit Gerti Goxhaj.
Ndërsa i plagosur rëndë mbeti Mentor Lufi, i cili ndërroi jetë vetëm disa minuta më pas”, thuhet në dosjen hetimore.
Por ndërsa dy atentatorët lanë të vdekur Mentor Lufin dhe Gertin Goxhajn, Markelian Doçi i cili vinte pas me makinën e tij, përplasi fillimisht me automjetin e tij një nga ekzekutorët.
Ky atentator rezultoi se ishte Salvator Letizia.
“Markeljan Doçi i cili drejtonte automjetin ‘Tuareg’ që ndodhej prapa në një distancë të afërt, i ka dhënë shpejtësi makinës duke e drejtuar drejt dy personave të maskuar.
Ai ka arritur të godasë me parakolpin e makinës njërin nga personat që ishte me armë dhe konkretisht, Salvatore Letizian. Ky i fundit është ngritur në këmbë dhe ka lëvizur me shpejtësi në një rrugicë të afërt për t’u mbrojtur dhe njëkohësisht për t’u larguar nga vendi i ngjarjes”, thuhet në dosje.
Por ndërsa Salvatore Letizia u largua nga vendngjarja, përplasja me armë vazhdoi midis Markeljan Doçit dhe atentatorit të dytë të maskuar, që rezultoi të ishte Besnik Sulku, vëllai i Durim Sulkut të ekzekutuar një muaj para këtij atentati në Holandë.
Ai nisi të qëllojë me armë në drejtim të Markeljan dhe Klevi Doçit, por pa mundur t’i shënjestrojë.
I gjendur në sulmin e Besnik Sulkut, Markeljani, gjithashtu i armatosur, reagoi duke qëlluar me pistoletë.
Përplasja me armë që vazhdoi për disa minuta, ku vetëm pak metra nga automjetet, mbeti i vrarë Besnik Sulku.
“Klejvi Doçi dhe Markeljan Doçi sapo ka ndaluar mjeti, kanë zbritur prej tij.
Klejvi ka qëndruar pa kryer veprime ndërsa vëllai i tij, Markeljan Doçi ka nxjerrë një pistoletë që e mbante pa leje dhe është vënë në ndjekje të njërit prej personave që kishte qëlluar dhe konkretisht të Besnik Sulkut që ishte duke u larguar me vrap.
Ndërkohë që viktima Besnik Sulku po lëvizte për t’u larguar me armën e krimit në dorë, ku rezulton se në atë moment krëhëri i armës së tij nuk mbante fishekë, ai është qëlluar disa herë nga Markeljan Doçi”, sqarohet në dosje.
Por ajo që surprizoi grupin hetues, ishte fakti se atentatori i dytë në këtë masakër, nuk ishte shqiptar, por një shtetas italian.
Ai ishte Salvatore Letizia, i cili u arrestua në një hotel fare pranë zonës ku ndodhi masakra.
Por kush ishte Salvatore Letizia?
Dhe si u thirr ai nga Besnik Sulku, për t’u hakmarrë ndaj Mentor Lufit dhe nipave të tij, për vrasjen e vëllait të tij, Durim Sulku, në Holandë?
“Salvatore Letizia ka një përfshirje të vazhdueshme në vepra penale me rrezikshmëri të lartë si prostitucion minorenësh në rrethana rënduese, zhvatje/vjedhje, posedim dhe shpërndarje lëndësh narkotike, etj.
Për këto veprimtari kriminale ai ka vuajtur dënimin në burgje të ndryshme në shtetin italian si në Palermo etj”, thuhet në dosje.
Salvatore Letizia ishte një njohje e vjetër e vëllezërve Sulku.
Sipas organeve policore italiane ai ishte i përfshirë në organizata kriminale si Kamorra dhe i përkiste klanit mafioz të familjes Piçolo-Letizzia.
Ai thuhet se u njoh me Besnik Sulkun që mbeti viktimë në masakrën e Bulevardit ‘Zogu i Parë’, gjatë kohës që ky i fundit ushtronte aktivitetin e tij kriminal në zonën e Torinos në Itali.
Sulku ishte i skeduar edhe nga policia holandeze për trafikim të lëndëve narkotike.
Ashtu si edhe Mentor Lufi, apo ndryshe Mentor Doçi që edhe ky ishte proceduar disa herë nga autoritetet italiane si i përfshirë në aktivitete kriminale, ku kohët e fundit ai kishte qëndruar në Belgjikë dhe Hollandë.
“Salvatore Letizia u kap nga policia pranë Hotel ‘D…’ ku edhe iu sekuestrua një qese plasTmasi brenda së cilës kishte një xhup si dhe një foto që i përkiste viktimës Mentor Lufi (alias Mentor Doçi)”, sqarohet në dosje.
Gjatë marrjes në pyetje, Salvatore Letizia tha se kishte mbërritur në Tiranë ditën e ngjarjes më 27 maj 2015. Ai tha se kishte lëvizur me motor sipas udhëzimeve të viktimës Besnik Sulku. Por ai mohoi që të ketë qëlluar në drejtim të viktimave, por vetëm në ajër.
‘Nga akti balistik u provua se një nga predhat që depërtoi në trupin e viktimës Gerti Goxhaj është nxjerrë pikërisht nga arma e zjarrit tip pistoletë me të cilën Salvatore Letizia qëlloi ditën e ngjarjes
Ndërkohë që është gjendur edhe arma e krimit, e markës Glok, kalibër 9 mm (9×19) me numër UZN221, armë të cilën Salvatore Letizia e ka përdorur në ngjarje”, sqarohet në dosje.
Po sipas grupi hetues një distancë fare të shkurtër me vendin e ngjarjes, policia gjeti edhe të parkuar edhe motorin me të cilin Salvatore Letizia dhe Besnik Sulku mbërritën në vendngjarje.
“Nga deklarimet e shtetasit italian Salvatore Letizia, ai pranoi se ka qenë në vendin e ngjarjes së bashku me të vrarin Besnik Sulku.
Të dy kanë patur armë me vete dhe pasi është larguar nga vendi i ngjarjes armën e ka hedhur në një shkurre pranë hotelit ku u gjet dhe u kap nga policia.
Në një distancë rreth 60 m nga vendi i ngjarjes u arrit të gjendej një mjet motorik me të cilin kanë lëvizur viktima Besnik Sulku së bashku me Salvatore Letizian. Mjeti është motor tip Yamaha, me ngjyrë të bardhë, gri dhe të zezë.
Nga aktekspertimi rezulton se Markeljan Doçi ka qëlluar me armën që mbante pa leje shtetasin Besnik Sulku, ndërsa Salvatore Letizia krahas goditjes në drejtim të Mentor Doçit ka qëlluar edhe mbi shtetasin Gerti Goxhaj, ndërsa Besnik Sulku me armën që mbante ka qëlluar mbi Mentor Doçin, në bashkëpunim me të pandehurin Salvatore Letizia”, thuhet në dosjen hetimore.
Por Salvatore Letizia në rrëfimin e tij në polici, mohoi që ai të kishte dijeni për planin e Besnik Sulkut për t’u hakmarrë ndaj Mentor Lufit, apo Doçit, për vrasjen e vëllait të tij, Durim Sulku, në Hollandë.
Ai tha për grupin hetues se kishte mbërritur në Shqipëri për 40 ditët e Durim Sulkut, dhe se ditën e masakrës Besnik Sulku e kishte marrë me vete me motor në vendngjarje.
Dëshmi e cila u rrëzua nga grupi hetues.
“Unë kam ardhur në Shqipëri më datë 27 Maj 2015 rreth orës 11.00 me avion, nga Roma në Tiranë, pasi ishte 40-ditëshi i Durim Sulkut dhe vëllanë e tij Besnikun unë e kam shok që nga viti 1997 dhe jemi njohur në Torino.
Në shtëpinë e Besnikut atë ditë kemi qëndruar tri orë dhe më pas ai më tha hajde me mua, ku shkuam në një lokal.
Pasi kemi pirë kafe me disa persona të tjerë, jemI kthyer në banesën e Besnkut ku kemi qëndruar rreth 30 minuta.
Më pas Besniku mori motorin që ishte në oborrin e tij dhe më tha mua drejtoje ti.
Ndërkohë ai më dha edhe një pistoletë, duke më thënë ‘merre dhe këtë armë se unë kam armiq dhe asnjëherë nuk i dihet’.Ai kishte edhe një tjetër pistoletë me vete dhe të dyja ishin me ngjyrë të zezë.
Pasi mbërritëm në një rrugicë, Besniku kaloi rrugën nga ana tjetër dhe nisi të vraponte.
Unë i qëndroja nga prapa.
Në këtë moment ai u afrua pranë një makine ngjyrë të zezë dhe filloi të qëllonte me armë nga ana e posagjerit”, dëshmoi Salvatore Letizia.
Salvatore Letizia vazhdoi t’i mbetet besnik qëndrimit të tij, se ai nuk kishte lidhje të drejtpërdrejt me atentatin dhe se çdo rrethanë e përfshirjes në këtë krim ishte rastësore.
“Unë në këtë moment nxora pistoletën dhe qëllova në ajër 5-6 herë, ku në këtë çast pashë që një automjet Fuoristradë ngjyra e zezë më erdhi nga pas dhe më përplasi në tokë.
Unë sapo u rrëzova qëndrova disa sekonda në tokë dhe u çova duke u larguar nga vendi ku isha.
Në një rrugicë aty kam parë se ishte një hotel dhe para se të shkoja aty kam hedhur armën dhe i jam drejtuar një personi që ishte te dera e hotelit me italisht me fjalët ‘se dua të shplaj pak fytyrën’.
Në këtë moment ka ardhur polica dhe më ka marrë”, thuhet në dëshminë e Salvatore Letizias.
Por siç shikohet edhe në rrëfimin e tij të mëtejshëm përpara grupit hetues, Salvatore Letizia, mohoi të kishte dijeni për organizimin e atentatit.
Version që u rrëzua poshtë nga provat e mbledhura nga oficerët e policisë, por edhe fotoja e Mentor Lufit që atij iu gjet në xhepin e xhupit.
“Salvatore Letizia është kontradiktor për sa i përket pretendimit se foton e kishte viktima Besnik Sulku dhe jo ai pasi nga rrethanat e faktit rezulton se mes viktimave kishte njohje të plotë pasi ishin nga e njëjta zonë si dhe kishin patur më parë raporte shoqërore.
Kështu që fotoja e viktimës objekt sulmi ishte në xhupin që mbante i pandehuri Letizia me qëllim që ai të kishte të dhëna sa më të plota për objektivin e vrasjes”, thuhet në dosjen hetimore.
Gjykata e Krimeve të rënda e dënoi Salvatore Letizzian për vrasjen e Mentor Lufit dhe Gerti Goxhaj, më 27 maj 2015, me burgim të përjetshëm.
Ndërsa vëllezërit Markelian dhe Klevi Doçi, u dënuan respektivisht me 27 dhe 20 vite burgim.