Si e shmangu Evropa krizën energjetike

Nga Matthew Dalton “Wall Street Journal

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Vetëm disa muaj më parë, zyrtarët rusë po talleshin me Evropën, duke e paralajmëruar për dimrin e egër që e priste, teksa vetë kontinenti po përgatitej për t’u përballur me një krizë energjetike me përmasa historike. Por pastaj arriti që ta shmangë atë, ose të paktën tani për tani.

Masat e marra në mbarë kontinentin për ta kursyer energjinë dhe një mot shumë i butë për stinën më të ftohtë të vitit, e kanë vendosur Evropën në rrugën e duhur për të shmangur krizën energjitike, nga e cila u frikësuan shumë evropianë kur Rusia i ndërpreu furnizimet me gaz vitin e kaluar.

Familjet dhe bizneset në mbarë Evropën po konsumojnë dukshëm më pak energji nga sa pritej. Kjo edhe për shkak të motit të ngrohtë që ka thyer rekorde, dhe që ka vazhduar në të gjithë rajonin gjatë 3 javëve të fundit. Çmimet e larta të energjisë, kanë nxitur shumëkënd, biznese dhe familje, për të përdorur më pak gaz dhe energji elektrike.

Zyrtarë dhe ekspertë thonë se fushatat e edukimit publik të ndërmarra nga qeveritë për të inkurajuar kursimin e energjisë kanë dhënë efektet e tyre. “Aktualisht ekziston një ndërgjegjësim i madh mbi mënyrën se si e përdorim energjinë dhe koston e saj. Reagimi i publikut ka qenë shumë mbresëlënës”- thotë Brian Motherway, kreu i divizionit të efikasitetit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.

Reduktimi i kërkesës për energji, ka siguruar një “tampon sigurie” për furnizimet me gaz të Evropës, të cilat janë zhvendosur nga Rusia që nga pushtimi i Ukrainës tek prodhuesit e tjerë, kryesisht në SHBA dhe Norvegji. Burimi më i madh i furnizimit të ri ka qenë importi i gazit natyror të lëngshëm, kryesisht nga SHBA-ja.

Kontinenti po nxiton të ndërtojë terminale të reja LNG. Të premten e javës së kaluar u hap terminali i ri në Lubmin, në bregdetin verior të Gjermanisë. Magazinimi i gazit në Evropë është në nivelin 82 për qind, shumë më lart mbi nivelet normale prej rreth 65 për qind në këtë pikë të dimrit.

Furnizimet e papritura me energji, po i nxitin ekonomistët që të përmirësojnë parashikimet e tyre ekonomike për rajonin. Po ashtu, ata i shohin të dobësuara mekanizmat që ka tashmë në dorë presidenti rus Vladimir Putin për ta bindur Evropën që të mos e mbështesë Ukrainën.

Problemet energjetike të Evropës nuk kanë mbaruar. Analistët thonë se një çështje kyçe, është se sa vështirësi ka qenë dhe sa dëme ekonomike janë shkaktuar nga përpjekjet për të kursyer energjinë. Mbylljet në shkallë të gjerë të industrive që kërkojnë shumë energji, po kërcënojnë ta dëmtojnë bazën industriale të Evropës.

Disa familje po përballen me rritje të faturave të energjisë elektrike dhe gazit, pavarësisht përpjekjeve të tyre për të konsumuar më pak. Çmimet evropiane të gazit mbeten të larta sipas standardeve historike, duke paraqitur një kërcënim afatgjatë për bazën prodhuese të kontinentit.

Ndërkohë ndërprerja e furnizimeve ruse e ka lënë Evropën të varur shumë nga LNG, që transportohet kryesisht me anije dhe që është dukshëm më i shtrenjtë se gazi që vjen përmes tubacioneve tokësore. “Rajoni po vuan nga një tronditje e vazhdueshme që do të kufizojë për shumë kohë aktivitetin ekonomik”- shkruan në një raport javën e kaluar ekonomistët e Bankës së Amerikës.

Për momentin, Evropa e ka reduktuar konsumin e saj të energjisë pa i shkaktuar një goditje të madhe rritjes së saj ekonomike. Sipas IEA, kërkesa për gaz në Bashkimin Evropian u ul me rreth 20 për qind në 3-mujorin e katërt të vitit të kaluar, krahasuar me periudhën e një viti më parë.

Në Francë, konsumi i energjisë elektrike gjatë muajit dhjetor ra me gati 10 për qind, për shkak edhe të temperaturave të larta. Edhe konsumi i gazit në Gjermani që nga fillimi i dhjetorit ishte 15 për qind më pak. Njerëzit po i gradojnë më pak termostatet e tyre në të gjithë kontinentin, duke rikonstruktuar shtëpitë e tyre për të përmirësuar efikasitetin energjitik.

Edhe kompanitë prodhuese e kanë ulur konsumin e tyre të gazit, duke kaluar tek përdorimi i naftës, aty ku është e mundur, ose duke ripërdorur mbetjet nga proceset e tyre industriale. Të tjerë po e kufizojnë prodhimin që varet nga gazi dhe po importojnë lëndë zëvendësues nga SHBA, Lindja e Mesme dhe rajone të tjera me çmime shumë më të lira se Evropa.

“Aftësia për t’u përshtatur dhe përmirësuar efikasitetin, ka qenë përtej asaj që mendoja se do të ishte e mundur gjatë verës së vitit të kaluar”- shprehet Svein Tore Holsether, shefi ekzekutiv i “Yara International”, një kompani e madhe e prodhimit të plehrave kimike dhe një nga konsumatorët më të mëdhenj të gazit në Evropë.

Që kur çmimet e gazit u rritën në vitin 2021, Yara e ka rritur dhe ulur prodhimin evropian të amoniakut, një lëndë e parë e plehrave kimike, që mbështetet tek gazi si lëndë ushqyese, në varësi të çmimit të karburantit. Kjo e ka lejuar kompaninë të vazhdojë prodhimin e plehrave në Evropë, ndërsa po nënshkruan me shpejtësi kontrata të reja për blerjen e gazit.

Kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurtin e vitit të kaluar, furnizimet me energji të Evropës ishin shumë të cënueshme. Depozitat e gazit në rajon po shteronin për shkak të kërkesës së madhe, të nxitur nga rihapja e ekonomisë globale nga pandemia dhe furnizimet më të ulëta nga Gazprom PJSC, gjiganti i energjisë në pronësi të Kremlinit, që ishte furnizuesi i vetëm më i madh i gazit në Evropë.

Më pas pati një frikë të madhe në lidhje me furnizimet e energjisë në dimër, kur Rusia nisi të reduktonte në qershor 2022 eksportet e saj përmes “Nord Stream”, arteria kryesore e Evropës për importimin e gazit natyror. BE deklaroi në atë kohë se ajo lëvizje ishte një përpjekje e Kremlinit për ta ndëshkuar kontinentin për shkak të mbështetjes së Ukrainës me pajisje ushtarake dhe sanksione kundër Moskës. Zyrtarët rusë filluan që të talleshin me Evropën, duke paralajmëruar se kontinenti do të ngrinte në dimër.

“Askush nuk mund ta anashkalojë dimrin që po vjen, dhe furnizimet alternative ndaj gazit, naftës dhe qymyrit rus janë të shtrenjta ose thjesht jorealiste”- deklaroi Dmitry Medvedev, zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë. Por tani rezervat optimale të gazit në Evropë po ofrojnë madje njëfarë rehatie dhe qetësie edhe për dimrin e ardhshëm.

Nëse Evropa e mbyll dimrin me nivele relativisht të larta të gazit të magazinuar, qeveritë dhe kompanitë nuk do të kenë nevojë të blejnë sasi të mëdha për të mbushur depozitat përpara dimrit të ardhshëm. Analistët thonë se kjo do të ndihmojë në mbajtjen e çmimeve të ulëta  gjatë verës së këtij viti.

E megjithatë mbeten rreziqet për furnizimet energjitike të Evropës. Rusia, e cila plotëson ende rreth 8 për qind të kërkesës me gaz të BE-së, mund të ndërpresë tërësisht furnizimet Ekonomia e Kinës po hapet sërish pasi qeveria atje e braktisi politikën e saj “Zero Covid”. Dhe analistët thonë se kjo ka të ngjarë të rrisë kërkesën kineze për importin e gazit natyror të lëngshëm, duke i rritur çmimet në tregun global.

Ekspertët e klimës thonë se Evropa është në një rrezik në rritje për të përjetuar valë të rënda të të nxehtit ekstrem dhe thatësirës, të cilat verën e kaluar e reduktuan ndjeshëm prodhimin energjitik të hidrocentraleve, të cilat janë një burim kyç i energjisë elektrike. “Në sistem nuk ka ende asnjë tepricë. Jemi në një pozicion ku çmimet mund të rriten shumë nëse do të ketë sërish një problem”- thotë Ben Mcwilliams, analist në think-tankun ekonomik “Bruegel” me seli në kryeqytetin belg Bruksel. Gjithsesi, analistët thonë se aftësia e Evropës për të reduktuar konsumin e energjisë këtë dimër tregon se si rajoni mund të mbrojë ekonominë e tij nga goditjet e jashtme të çmimeve të energjisë.

“Në mesin e viteve 1970, kur përjetuam krizën e parë të çmimeve naftës, ndodhi një revolucion i vërtetë në efiçencën e përdorimit të energjisë. Sot po shohim fillimin e një periudhe tjetër të këtij lloji”- thotë Motherway i IEA. /albeu.com

 


Shtuar 16.01.2023 10:03

Tags: