Si e bleu botën Arabia Saudite

Nga Paul Wood “The Spectator

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

E çfarë mund të arrijë më shumë një njeri që ka gjithçka? Sundimtari i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman (MBS), thuhet se ka një jaht prej 500 milionë dollarësh, një pikturë të Leonardo Da Vincit me vlerë 450 milionë dollarë dhe një kështjellë në Francë me vlerë 300 milionë dollarë.

Tani ai ka blerë edhe një sport luksi siç është golfi amerikan. Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite (PIF) ka negociuar për të blerë turneun kryesor të golfit në SHBA, PGA Tour, duke e bashkuar atë me një ligë rivale që e zotëron tashmë ky fond, LIV Golf.

Ky lajm u prit me një reagim të ashpër nga Hatice Cengiz, ish e fejuara e gazetarit të ndjerë saudit Jamal Khashoggi, i cili dyshohet se u vra me urdhër të MBS. Ajo e quajti atë “larjen e fytyrës më të keqe nëpërmjet blerjes së një aktiviteti sportiv”, duke u thënë gazetarëve: “Kjo tregon se nuk ka kufij për atë që mund të blesh me para”.

Në fakt përmirësimi i imazhit nëpërmjet zotërimit të ekipeve apo aktiviteteve sportive është diçka që sauditët e kanë bërë prej vitesh – ajo njihet edhe si diplomacia e bllokut të çeqeve – edhe pse tani ata kanë shumë më tepër para nëpër duart dhe po i investojnë ato në një mënyrë shumë më agresive.

Sarah Leah Whitson e “Democracy for the Arab World Now”, organizata e themeluar nga i ndjeri Khashoggi, më tha se marrëveshja nuk ka një domethënie vetëm në terma thjesht ekonomikë. “Është vërtet e rëndësishme të dihet se sa para shtesë kanë paguar sauditët. Ky është një akt politik”- shton ajo.

Financial Times vlerëson se sauditët do të shpenzojnë 3 miliardë dollarë në blerjen e tyre të re. Kjo përkthehet në shpërblime të jashtëzakonshme për lojtarë të veçantë. Disa golfistë që janë tashmë në listën e pagave të sauditëve thuhet se marrin 200 milionë dollarë në vit.

Por ata që flirtojnë me sauditët janë si Demi Moore në atë filmin e tmerrshëm “Propozimi i pahijshëm”. Sasia e parave që ofrohet është shumë e madhe për t’i rezistuar ndaj ata i marrin, por përfundojnë duke u ndjerë të kompromentuar moralisht.

Arsyetimet e PGA tingëllojnë veçanërisht të dëshpëruara sepse vetëm vitin e kaluar ajo përmendi rolin e Arabisë Saudite në sulmet terroriste të 11 shtatorit. Komisioneri i PGA,

Jay Monahan, la të kuptohej se kushdo që i bashkohet ligës LIV po merrte para të pista.

Tani, familjet e viktimave të 11 shtatorit po e akuzojnë atë për “lakmi dhe hipokrizi”, duke pranuar miliarda dollarë për të “pastruar reputacionin e sauditëve në sytë e botës”.

Dhe nuk janë vetëm lojtarët e golfit. Thuhet se futbollistët paguhen më shumë se 200 milionë dollarë në vit vetëm për t’u bashkuar me Ligën Saudite të futbollit. Ndërkohë PIF ka blerë aksione në industrinë e argëtimit, banka, teknologji, media sociale. Ai është aksioneri më i madh në Nintendo, i dha 3.5 miliardë dollarë kompanisë Uber kur ishte ende një start-up, ka aksione të shumta në Amazon, Facebook dhe Google, dhe zotëron klubin anglez Newcastle United.

Nuk ka dyshim, këto investime vijnë pjesërisht nga dëshira e MBS për të larguar ekonominë saudite nga varësia e saj e madhe nga nafta. Por miliardat e mbretërisë nuk janë shpërndarë kurrë në një mënyrë kaq strategjike dhe të mprehtë në ekonomitë perëndimore.

Më e rëndësishmja nga të gjitha është përpjekja për të blerë ish-zyrtarë të qeverisë amerikane. Një raport në Washington Post, zbuloi se qindra ushtarakë të rangut të lartë në pension, kanë shkuar për të punuar për monarkitë e Gjirit, përfshirë një grup gjeneralësh dhe admiralësh. Pretendime të ngjashme kanë edhe ish-burokratët dhe përfaqësuesit e zgjedhur.

Analistët thonë se kjo e shtrembëron plotësisht vendimmarrjen e njerëzve në detyrë. Përfituesi më i famshëm i parave saudite është Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit të SHBA-së Donald Trump. Gjashtë muaj pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, ai mori 2 miliardë dollarë për kompaninë e tij të re të kapitalit privat.

Për të kryer pagesën, MBS refuzoi mendimin e panelit këshillues të vetë PIF, i cili i vlerësoi operacionet e firmës si “të pakënaqshme në të gjitha aspektet”. Ka shumë gjasa që Kushner nuk i ka marrë paratë për gjenialitetin e tij të pakrahasueshëm në fushën e financave, por për shkak të asaj që bëri për sauditët kur ishte në detyrë.

Donald Trump është jashtëzakonisht i prekshëm për njerëzit që përfitojnë nga emri i tij, të paktën pa e dëmtuar atë. Prandaj ka shumë spekulime nëse edhe ai mund të bëjë biznes me sauditët. Dokumentet e regjistrimit në gjykatë kanë zbuluar se sauditët zotërojnë 93 për qind të LIV Golf, ndërsa pretendohet se Trump zotëron 7 përqindëshin e mbetur.

Por kjo mund të jetë thjesht teoria e zakonshme e konspiracionit lidhur me Trump, pasi nuk ka prova të forta. Megjithatë, kjo nuk është për t’u habitur, pasi financat e LIV janë të errëta, pavarësisht se duket se ka një kapital aksioner me vlerë disa miliardë dollarë. Kompania, e cila ka zyra në Londër, nuk mund të kontaktohej për ndonjë koment.

Sido që të jetë, Trump ka përfituar sepse LIV ka zgjedhur të luajë disa ndeshje në klubet e golfit Trump. Vetë ish-presidenti e përshëndeti lajmin e blerjes nga sauditët të PGA Tour me kapitalet që përdori dikur për të bombarduar Sirinë apo për të arritur triumfe të tjera.

Këto zhvillime e kanë trimëruar MBS-në, që vazhdimisht po kthehet në një personazh shumë të preferuar në skenën ndërkombëtare që nga vrasja e Khashoggi. Akoma më shumë disidentë po burgosen në vend.

Një grua saudite, e doktoratuar në Universitetin e Lidsit në Angli u dënua me 34 vjet për publikimin e postimeve në Twitter që kërkonin reforma në Arabinë Saudite. Mund të duket si një hipokrizi të sulmosh lojtarët e golfit, në një kohë që politika e SHBA-së dhe e Britanisë i shet ende armë Arabisë Saudite.

Presidenti Biden u detyrua ta takonte pa dëshirë MBS vitin e kaluar. Ndërkohë, Arabia Saudite po fiton akoma më shumë para, për shkak të sanksioneve ndaj Rusisë, të cilat vazhdojnë të ndikojnë tek furnizimi me naftë. Thuhet se fondi i PIF arrin aktualisht në rreth 650 miliardë dollarë.

Sipas disa vlerësimeve, ai mund të jetë fondi më i madh i investimeve shtetërore në botë deri në fund të dekadës, me 2 trilionë dollarë. Shpenzime e mëdha të sauditëve do të vazhdojnë dhe nuk do të jenë vetëm lojtarët e golfit ata që do përballen me zgjedhje të vështira morale. /albeu.com


Shtuar 16.06.2023 16:54