Si duhet të përballet Europa me kërcënimet kibernetike gjatë dimrit që po vjen

Nga Jamie Collier & Jamie Maccoll “Politico.eu”

Rrjedhjet e fundit të gazit nga tubacioni nënujor i gazsjellësit “Nord Stream”, treguan cenueshmërinë e infrastrukturës energjetike evropiane. Megjithatë, përveç kërcënimeve të tilla fizike, kontinenti duhet të përgatitet edhe sa i përket perspektivës së sulmeve kibernetike të shtuara këtë dimër.

Këto kërcënime të mundshme kibernetike ndaj furnizimeve me energji, priren të jenë shumë më të mëdha ndërsa po i afrohemi muajve më të ftohtë të vitit. Por tani është koha për t’u përgatitur, dhe jo për t’u kapluar nga paniku.

Dhe qeveritë evropiane dhe ofruesit e energjisë duhet të fokusohen mbi mundësinë e planifikimit të rreziqeve të mundshme që janë përpara. Atëherë, me çfarë lloj kërcënimesh kibernetike mund të përballet kontinenti me uljen e temperaturave?

Furnizuesit evropianë të energjisë, janë një objektiv i dukshëm nga ana e grupeve të sponsorizuara nga shteti rus, sepse operacionet kibernetike i ofrojnë Kremlinit shansin për të ushtruar presion mbi vendet që marrin pjesë në sanksionet kundër Rusisë, apo që po e reduktojnë aktualisht varësinë e tyre nga energjia ruse, raporton abcnews.al.

Si çdo lloj mase tjetër nën pragun e konfliktit të armatosur, edhe operacione të tilla kibernetike janë shumë tërheqëse për Rusinë, pasi mund të mohohet me lehtë përgjegjësia për to. Dhe nga këndvështrimi i Kremlinit, minimi i besimit të publikut evropian do të jetë po aq i rëndësishëm sa çdo lloj përçarje fizike ose teknike.

Operacionet agresive të Rusisë, i kanë shtyrë vazhdimisht kufijtë e asaj që konsiderohet tashmë një “sjellje e pranueshme” në hapësirën kibernetike. Për shembull, sulmet kibernetike ruse kundër operatorëve elektrikë ukrainas në vitet 2015-2016, shkaktuan ndërprerje të energjisë elektrike në mesin e dimrit.

Dhe disa sulme nxorën në pah aftësinë për të penguar operacionet, për të sabotuar proceset industriale, për të çaktivizuar kontrollorët e sigurisë, për të shkaktuar shkatërrime të mëdha fizike. Përtej operacioneve të tilla shkatërruese, agjencitë ruse të inteligjencës dhe kompanitë e tyre, ka të ngjarë të përhapin tregime të rreme edhe përmes operacioneve të informacionit.

Këto fushata synojnë të përfitojnë nga tensionet e brendshme, duke ngjallur alarm dhe përçarje. Në këtë kuadër, shqetësimet rreth furnizimeve evropiane me energji dhe rritjes së kostos së jetesës mund të nxiten akoma më tej për të imponuar më shumë presion mbi qeveritë evropiane që po përpiqen të heqin dorë nga energjia ruse.

Kërcënime shtesë mund të vijnë edhe nga kriminelët kibernetikë, shumë prej të cilëve veprojnë me miratimin e heshtur, madje edhe me inkurajimin e shtetit rus. Kriminelët kibernetikë mund të jenë të motivuar kryesisht nga paratë.

Megjithatë agjencitë e sigurisë dhe inteligjencës, Five Eyes, kanë paralajmëruar se shumë operatorë rusë që merren  me sulme të tilla kanë premtuar mbështetje për qeverinë ruse. Dhe këto grupe kanë një histori të gjatë të goditjes së sektorëve dhe shërbimeve kyçe.

Kjo u pa me sulmin ndaj sistemit të kujdesit shëndetësor në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë gjatë pandemisë, gjë që e bën sektorin e energjisë një objektiv të cenueshëm gjatë muajve në vijim. Në këtë rast një nga shqetësimet kryesore, do të jetë ndërprerja e proceseve fizike, si sensorët e energjisë, terminalet e gazit, gjeneratorët dhe rrjetet energjitike.

Për shembull, në shkurt të këtij viti një sulm kibernetik ndikoi mbi aktivitetin e disa terminaleve në portet kryesore të naftës në Belgjikë, Gjermani dhe Holandë. Një incident i ngjashëm në terminalet e gazit gjatë muajve të dimrit, mund të shkaktojë ndërprerje të konsiderueshme të furnizimit me energji, raporton abcnews.al.

Dhe ndërsa mund të inkurajohemi nga fakti që po vendosen gjithnjë e më shumë masat mbrojtëse manuale, për të minimizuar ndikimin e sulmeve kibernetike, sektori i energjisë mbetet i prekshëm. Kërcënime të tilla janë serioze, dhe për të shmangur çdo lloj ndërprerje do të kërkohet një përgjigje pro-aktive gjatë muajve të ardhshëm.

Megjithatë, ne nuk duhet të paralizohemi nga frika, pasi kemi aftësitë e duhura për t’i përballuar ballazi këto sfida. Së pari, NATO ka paralajmëruar tashmë se “çdo sulm i qëllimshëm kundër infrastrukturës kritike të aleatëve, do të përballej me një përgjigje të bashkuar dhe të vendosur”.

Edhe pse paralajmërime të tilla janë të mirëpritura, ka ende paqartësi në lidhje me reagimin e mundshëm të NATO-s ndaj një sulmi kibernetik të kryer enkas për të forcuar disi pozitat e Kremlinit. Për më tepër, kufizimet normative dhe të bazuara tek parandalimi, kanë pasur një ndikim të kufizuar tek ata që i kryejnë sulmet kibernetike.

Kjo tregohet nga shënjestrimi i pamëshirshëm i infrastrukturës jetike gjatë viteve të fundit.

Prandaj, reagime të tilla politike duhet të kombinohen me një fokus të madh tek ndërtimi i qëndrueshmërisë operacionale. Në vend se të përpiqen vetëm të parandalojnë sulmet, furnizuesit evropianë të energjisë duhet gjithashtu të jenë në gjendje ta marrin veten shpejt edhe nëse ndodhin këto sulme.

Në këtë drejtim, liderët evropianë dhe operatorët e energjisë duhet të marrin si shembull përvojën e Ukrainës. Përtej fajësimit të Rusisë, përpjekjet afatgjata të Ukrainës për të ndërtuar një qëndrueshmëri të sistemit të saj të sigurisë kibernetike, ndihmojnë në shpjegimin e mungesës së aktivitetit kibernetik me pasoja tepër shkatërruese që nga fillimi i pushtimit.

Mbrojtësit kibernetikë të vendit, dhe partnerët e sektorit privat, e treguan qartë këtë në muajt mars dhe prill, kur penguan përpjekjet ruse për të shkaktuar një ndërprerje të energjisë nëpërmjet sulmeve kibernetike, të cilat do të kishin prekur mbi 2 milionë njerëz, raporton abcnews.al.

Efektiviteti i dukshëm i qëndrueshmërisë kibernetike të Ukrainës, i tregon komunitetit transatlantik 2 leksione me vlerë për këtë dimër:Së pari, ne duhet të krijojmë partneritete operacionale të thella dhe kuptimplota, si në qeveri ashtu edhe në industri.

Shpeshherë politikë-bërësit i kushtojnë vëmendje nevojës për shkëmbimin e informacionit, dhe për një partneritet publik-privat në lidhje me sigurinë kibernetike. Por në vend të angazhimeve të nivelit të lartë vetëm për hir të bashkëpunimit, tani është koha të ndërtohen marrëdhënie shumë më të thella pune midis anëtarëve të NATO-s, shitësve të sigurisë kibernetike dhe operatorëve evropianë të energjisë.

Dhe kjo nënkupton një angazhim më të madh me realitetet operacionale të mbrojtësve të rrjetit. Ndërtimi i qëndrueshmërisë kibernetike, duhet të shkojë më tej sesa thjesht mbrojtja e rrjeteve të sektorit të energjisë. Shumë nga operacionet kibernetike që synojnë sektorin e energjisë, do të synojnë të nervozojnë shoqërinë evropiane dhe të minojnë mbështetjen e tyre për Ukrainën.

Ndaj qytetarët evropianë duhet të qëndrojnë të bashkuar përballë sulmeve kibernetike dhe fushatave të dezinformimit. Sepse nëse biem pre e fushatës së frikësimit nga Moska, atëherë po bëjmë punën e Kremlinit. Në vend të kësaj, është koha të planifikojmë dhe të përballemi drejtpërdrejt me kërcënimet kibernetike të Evropës gjatë dimrit që është në prag.

Shënim: Jamie Collier, bashkëpunëtor në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara. Jamie Maccoll, studiues i kërcënimeve dhe sigurisë kibernetike në këtë institut.