Udhëzimi/ Si do të refuzohet regjistrimi në Kadastër për shitjet e pronave me kontrata porosie me ndryshime planimetrie

Ndryshojnë rregullat për regjistrimin në regjistrin e kadastrës së pasurive të paluajtshme të shitura nëpërmjet kontratave të pasurisë.

Për pronat e shitura me kontrata porosie, do të refuzohet regjistrimi në kadastër nëse pas verifikimeve ka ndryshime planimetrie të njësitë individuale.

Refuzim të regjistrimit të pasurive me kontratë porosie, do të ketë edhe nëse kërkuesi brenda afatit prej 30 ditësh nuk arrin të korrigjojë të dhënat që kanë mangësi apo pasaktësi.

Rregullat e reja për regjistrimin e kontratave noteriale të shitjes së pronave nëpërmjet kontratës së sipërmarrjes apo porosisë hynë në fuqi pas publikimit të udhëzimit “Për miratimin e modelit dhe përcaktimin e rregullave të mbajtjes së regjistrit të lejes së ndërtimit, si dhe të procedurave të regjistrimit të kontratës së sipërmarrjes/ porosisë dhe të premtimshitjes” në Fletoren Zyrtare.

Në dispozitën kalimtare të udhëzimit, përcaktohet se verifikimi i të dhënave për njësitë individuale të shitura me kontratë porosie para hyrjes në fuqi të tij, do të behet nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Në rast mospërmbushje të tyre regjistrimi në kadastër do të refuzohet.

“Kur në regjistrin kadastral, në kartelën e pasurisë “truall”, rezultojnë të regjistruara përpara hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi akte noteriale ndërmjet pronarit të truallit dhe zhvilluesit të pronës, në cilësinë e investitorit, në të cilët nuk është individualizuar pasuria që do të përfitojë pronari i truallit, ASHK-ja në momentin e paraqitjes për regjistrim në regjistrin e lejes të kontratave të sipërmarrjes/porosisë apo premtimshitjes ndërmjet investitorit me pronarin e truallit apo me të tretë, verifikon nëse të dhënat mbi njësitë në këto akte janë të individualizuara sipas planimetrive, që i bashkëlidhen lejes së ndërtimit. Në rast mos përmbushjeje të këtij detyrimi, regjistrimi i tyre refuzohet”, citohet në udhëzim.

Po ashtu, udhëzimi përcakton se gjatë shqyrtimit të kërkesave për regjistrimin e akteve noteriale të lidhura me kontrata porosie, kanë të meta në të dhëna, kërkuesve do t’u lihen 30 ditë kohë për plotësimin e tyre.

Njoftimi për plotësimin e të metave, është sipas formularit të miratuar me vendimin nr. 782, datë 7.10.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e modeleve të akteve kadastrale dhe të të dhënave në përmbajtje të hartës kadastrale”, të ndryshuar.

Por nëse pas kalimit të afatit këto të meta nuk plotësohen, nga ASHK-ja refuzohet regjistrimi i aktit, sipas parashikimeve të ligjit nr. 111/2018, “Për kadastrën”.

Ashtu si edhe në udhëzimin e mëparshëm, kur akti noterial i regjistruar në regjistrin kadastral, lidhur ndërmjet zhvilluesit, në cilësinë e investitorit, dhe pronarit të truallit, ka si kusht për zhvillimin miratimin e lejes së ndërtimit brenda një afati të caktuar dhe ky kusht nuk është realizuar, ASHK-ja bën ndryshimet në seksionin D, të kartelës së pasurisë së paluajtshme “truall” lidhur me aktin noterial të regjistruar.

Këto ndryshime bëhen me kërkesë noteriale të njërës nga palët, pasi kjo e fundit të depozitojë dokumentacionin që provon mos përmbushjen e kushtit, brenda afatit të përcaktuar në aktin noterial. Këtu bën përjashtim rasti kur palët në aktin noterial kanë vendosur që, për mosmarrëveshjet lidhur me kushtin, do t’i drejtohen gjykatës.

“ASHK-ja, në momentin kur kryhet regjistrimi përfundimtar i ndërtimit të ri, sipas nenit 51, të ligjit nr. 111/2018, “Për kadastrën”, pasqyron: a) kontratën e sipërmarrjes/porosisë të lidhur ndërmjet zhvilluesit, me cilësinë e investitorit, dhe pronarit të tokës, në seksionin D të kartelës së pasurisë të paluajtshme të regjistruara në pronësi të investitorit.

Pas realizimit të kontratës së shkëmbimit ndërmjet palëve bëhet regjistrimi në regjistrin kadastral, në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 111/2018, “Për kadastrën”; b) kontratën e sipërmarrjes/porosisë dhe premtimshitjes të lidhur ndërmjet zhvilluesit, me cilësinë e investitorit, dhe blerësve/porositësve të njësive individuale, në seksionin D, të kartelës së pasurisë të paluajtshme të regjistruara në pronësi të investitorit.

Pas realizimit të kontratës së shitjes ndërmjet investitorit dhe blerësit/porositësit të njësive individuale bëhet regjistrimi në regjistrin kadastral, në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 111/2018, “Për kadastrën””, përcaktohet ndër të tjera në udhëzim.

Në vend një pjesë e konsiderueshme e transaksioneve në tregun e pasurive të paluajtshme, kryhen edhe nëpërmjet kontratave të porosisë.

Kjo ndodh në rastet kur pronat blihen përpara përfundimit ose përpara regjistrimit të tyre në Kadastër, ndërsa kontrata e shitblerjes lidhet në një moment të dytë, pas regjistrimit të pronës.

Duke pasur parasysh volumin e konsiderueshëm të ndërtimeve të reja sipas agjentëve të tregut të pasurive të paluajtshme në vitet e fundit, mund të arrihet në përfundimin se edhe shitjet me kontratë porosie zënë një pjesë të rëndësishme./Monitor