Zgjedhjet po përfundojnë dhe bazuar në listat e mbyllura të partive, si dhe përqindjes së deritanishme është 98% qartë përbërja politike e parlamentit të ri. Referuar të dhënave të përpunuara nga Instituti i Studimeve Politike (ISP) rezulton se legjislatura e re do të ketë rekord historik të numrit të partive politike, 16 të tilla.
Konkretisht, PS, PD dhe PSD janë konfirmuar me mandate, ndërkohë që nga partitë e reja (deri tani) janë konfirmuar se do të kenë përfaqësim parlamentar tre prej tyre (Mundësia, Shqipëria Bëhet dhe Bashkë).
Në zgjedhje konkurrojnë 11 subjekte politike, por ndërkohë përmes listës së mbyllur të kandidatëve disa parti politike kanë siguruar përfaqësim parlamentar pa qenë subjekte direkte në fushatë dhe pa pasur emrin e logon e tyre në fletën e votimit.
Konkretisht, referuar listës shumëemërore të PD i janë dhënë mandate të sigurta 10 partive politike të mëposhtme, Partia e Lirisë (PL), Partia Republikane (PR), Bashkimi i të drejtave të njeriut (PDBNJ), Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Partia Agrare Ambientaliste (PAA), Partia Demokristiane (PDK), Partia Fryma e Re Demokratike (FRD), Partia Balli Kombëtar (PBK), Lëvizja e Legalitetit (PLL) dhe Balli Kombëtar Demokrat (PBKD).
Të gjitha këto parti do të jenë zyrtarisht parlamentare, duke përfituar edhe mbështetje financiare dhe zyra pune nga buxheti shtetëror. Herën e fundit kur ne kishim numër të madh partish (legjislatura 2005-2009) i nxiti PS e PD të bëjnë kompromis për të ndryshuar në vitin 2008 sistemin zgjedhor në Kushtetutë. Argument kryesor? Ka shumë parti fiktive, përfaqësim fiktiv dhe vështirësi në vendimmarrje parlamentare, lëvizje deputetësh nga një parti në tjetrën etj.
Pas 17 vitesh sistemi i krijuar nga PS-PD kundër fragmentarizimit politik sjell rekord historik në fragmentarizimin e parlamentit të ri 2025-2029.