Shuhet ikona e kinematografisë italiane, aktorja që krijoi imazhin e Divës

Ka ndërruar jetë në moshën 95-vjeçare aktorja e njohur italiane Gina Lollobrigida, një protagoniste e madhe e kinemasë italiane. Lajmin e raportoi Corriere della Sera, duke thënë se ajo ishte “e shtruar në spital prej disa kohësh”.

Gjatë viteve 1950 dhe 60, Lollobrigida ishte një nga aktoret më të dshura në botë dhe luajti në një numër të madh filmash evropianë dhe amerikanë bashkë me shumë protagonistë të tjerë të Hollivudit në atë kohë.

Gina Lollobrigida ishte një nga aktoret më të rëndësishme të brezit të saj. Së bashku me rivalen e saj “të përjetshme” Sophia Loren ajo ndihmoi në krijimin e imazhit të divës italiane, e cila arriti të shndërrohej nga një seks simbol në një yll ndërkombëtar.

Lollo, siç do ta quanin më vonë me dashuri italianët, ishte gjithashtu një “peperino”, një personazh kapriçioz dhe rebel, e cila nuk ishte e kënaqur me konkurrencën e thjeshtë, pavarësisht sa prestigjioze ishte. Qëllimi i saj ishte të ngrihej, të rritej artistikisht.

Në karrierën e saj Lollobrigida është drejtuar nga regjisorë italianë me famë botërore si Vittorio De Sica, Mario Monicelli, Pietro Germi. Shtatorin e kaluar ajo u shtrua për një frakturë komplekse të femurit të djathtë dhe pas disa ditësh shkoi në shtëpi.