Seanca për Safet Bajrin, Behar Bajrin dhe Astmer Bilalin për marrjen në pyetje dhe vlerësimin e masave të sigurisë, nis me shtyrje.
Seanca u shty për një orar të pacaktuar, pasi gjykata do të marrë kohë të përgatitet për zhvillimin e gjyqit.
Behar Bajri dhe Asmer Bilali, akuzohen për “vrasje me paramendim”, “grup kriminal” dhe “kryerje veprash nga organizata kriminale” në dëm të Fatbardh Licit, ngjarje e ndodhur në vitin 2018.
Kujtojmë se Safet Bajri, u arrestua pak ditë më parë pranë banesës së tij në Dobraç të Shkodrës dhe u soll në kryeqytet.
Kujtojmë se Bajri figuronte edhe në bisedat e zbërthyera në aplikacionet Sky Ecc dhe Encrochat, ku flitej për krime të rënda, përfshi plane për vrasje.
Seanca për Bajrin dhe dy të tjerët, u ndërpre për arsye procedurale. Gjyqtarja Irena Gjoka, do të verifikonte, si gjyqtare e gatshme, masën e dhënë në mungesë nga gjyqtarja Etleva Deda, për shkak se kjo e fundit ndodhej jashtë vendit.
Por, mëngjesin e sotëm gjyqtarja Deda, është paraqitur në punë dhe tashmë do të konsumohet procedura e rikalimit të akteve të dosjes në duart e saj.