Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut sot u mbajt debatin për ndryshimin e Kushtetutës, gjegjësisht për futjen e bullgarëve në Kushtetutë. Por, votimi i nevojës për ndryshimin e Kushtetuës, u shty për një moment të dytë, pasi pushteti nuk e kishte dy të tretën e nevojshme. Rendi i ditës për debatin u votua më 70 vota pro, 47 kundër dhe asnjë të përmbajtur.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski, provoi të bind deputetët për të fundit herë që të votojnë pro ndryshimeve kushtetuese. Ai theksoi se këto ndryshime kanë vetëm një qëllim, zhbllokimin e procesit eurointegrues të vendit.
Deputetët e pushtetit dhe opozitës kishin qëndrime dhe kërkesa të ndryshme. Deputeti i BDI-së, Arbër Ademi kërkoi nga deputetët që të votojnë pro pasi siç tha shërbime të huaja po dëshirojnë të realizojnë ëndrra të shekullit të kaluar.
Halil Snopçe, nga Aleanca për Shqiptarët u tha deputetëve se ashtu siç po bëhet kërkesa për ndryshimin e Kushtetutës, të kërkohet edhe ndryshimi i “gjuhës që e flasin 20%, me gjuhën shqipe”.
“Në Kushtetutën e RMV-së, ende definohet ssi gjuha e 20% dhe kjo është për të ardhur keq. Normalisht, ASH ka qenë parti konsistente që kjo të zëvendësohet me gjuhën e vërtetë, gjuhën shqipe”, tha Snopçe.
Kërkesën e pushtetit për të votuar nevojën e ndryshimit të Kushtetutës, deputetja e Alternativës Safije Sadiku e ironizoi mE fjalën “Po kërkoj punë, por shpresoj të mos gjej”.
Pasi që sot nuk u bë votimi, VMRO-DPMNE akuzoi pushtetin për gënjeshtër, pasi sipas tyre sot u pa që ata nuk e kanë dy të tretën e shumicës.
“Në Kuvend nuk ka 80 deputetë, kurse jashtë Kuvendit mbi 80% e popullit janë kundër ndryshimeve kushtetuese nën diktate bullgare. Sot u përballën me sovranitetin dhe integritetin e Maqedonisë nga njëra anë dhe me inatin dhe arrogancën e pushtetit, në anën tjetër”, tha Micevski.
Për votimin e nevojës së ndryshimit të Kushtetuës, duhet të votojnë 80 deputetë. Për këtë Kuvendi ka 10 ditë kohë. Ndërkaq, ndryshimi i Kushtetutës deri tani është bërë 8 herë. Emine Ismaili /shenja