Ditën e sotme, Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, njoftoi sot pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave se është miratuar shtyrja e afatit të vlefshmërisë për dokumentet e identitetit që skadojnë deri më 11 maj 2025, në funksion të garantimit të të drejtës së votës për qytetarët shqiptarë.
Vendimi vjen pas shqetësimeve të ngritura nga subjektet politike dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të cilët kërkuan që asnjë qytetar të mos pengohet nga dokumentacioni i skaduar, për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Sipas ministrit Hoxha, nga analizat rezultoi se një numër i konsiderueshëm votuesish kishin dokumente që skadonin në këtë periudhë.
“Afati i vlefshmërisë për letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat biometrike është shtyrë deri më 31 maj 2025”, deklaroi Hoxha.
Ai theksoi se ky vendim synon garantimin e një procesi zgjedhor pa pengesa dhe në përputhje me Kushtetutën.
Masat janë ndërmarrë edhe për sigurinë e zgjedhjeve. Policia e Shtetit do të kalojë në shërbim të përforcuar për të siguruar mbarëvajtjen e votimeve para, gjatë dhe pas datës 11 maj. Gjithashtu, është siguruar bashkëpunimi i ngushtë i Ministrisë së Brendshme me KQZ, Shërbimin e Gjendjes Civile dhe agjencitë e tjera përkatëse.
Ministri Hoxha foli edhe për aktivitetet madhore që do të mbahen në Shqipëri ditët në vijim, përfshirë “Giro d’Italia” më 8, 9 dhe 10 maj dhe Samitin e Komunitetit Politik Europian më 16 maj në Tiranë.
Ai kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimet në qarkullim, që do të bëhen publike në kohë nga Policia e Shtetit.
“Po bëjmë gjithçka për të garantuar sigurinë, rendin dhe të drejtën e votës për çdo qytetar shqiptar, brenda dhe jashtë vendit”, përfundoi Hoxha.