Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas rastit të ndalimit nga ana e policisë të gazetarit Ergys Gjençaj.
Basha kërkon hetimin e këtij rasti dhe personi përgjegjës të dalë para ligjit.
“Dhunimi i reporterit Ergys Gjençaj është një akt i turpshëm që duhet dënuar me forcë nga të gjithë. Brutaliteti ndaj gazetarit në detyrë duhet hetuar dhe personat përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi para ligjit”, shkruan kreu i PD.
Basha thotë se rasti në fjalë tregon fytyrën e vërtetë të modelit të Ramës.
“Represioni dhe dhuna ndaj gazetarëve është produkt i modelit Rama që kërkon të zhbëjë të vërtetën me propagandë, korrupsion dhe dhunë. Kjo konfirmohet edhe nga raporti I fundit i OSBE/ODIHR. Dhuna ndaj gazetarëve dhe lirisë së mediave është dhunë ndaj demokracisë dhe lirive të çdo qytetari”, mbyll reagimin e tij kreu i PD.
Gazetari Gjençaj u ndalua nga policia teksa po filmonte gjatë një operacioni anti-drogë në zonën e “Varrit të Bamit” në Tiranë.