Shtrëngohet përdorimi i cash-it/ Kufij të rinj për pagesat në dorë. Sektori financiar kërkon rishikim

Në paketën fiskale që shoqëron buxhetin e vitit 2026, qeveria shqiptare ka propozuar disa masa të reja që synojnë reduktimin e përdorimit të parasë fizike në ekonomi.

Në ndryshimet e propozuara të ligjit “Për procedurat tatimore”, përcaktohet një kufi prej 500 mijë lekësh për pagesat që individët, tregtarët e vegjël dhe të vetëpunësuarit kryejnë me konsumatorët.

Gjithashtu, projektligji parashikon uljen e kufirit maksimal të pagesave me para në dorë për transaksionet ndërmjet subjekteve nga 150 mijë lekë në 100 mijë lekë.

Një ndryshim tjetër i rëndësishëm i parashikuar në projektligj është detyrimi për pajisjen me pajisje për pranimin e pagesave elektronike në pikat e shitjes.

Kategori të caktuara, si strukturat akomoduese, sektori i transportit, institucionet publike dhe shoqëritë me kapital shtetëror duhet të pajisen brenda datës 30 maj 2026. Për tatimpaguesit e tjerë, afati është 31 dhjetor 2026.

Megjithatë, nga ky detyrim përjashtohet një pjesë e madhe e subjekteve, duke filluar nga ato që operojnë në zona pa infrastrukturë interneti, bizneset që nuk janë subjekt i TVSH-së, të vetëpunësuarit që ushtrojnë aktivitet vetëm në një vendndodhje dhe ata që nuk janë të detyruar të lëshojnë fatura.

Kjo masë synon të reduktojë evazionin dhe të rrisë transparencën fiskale, si dhe të nxisë përdorimin e mjeteve moderne të pagesave.

Në një prononcim për “Monitor”, Banka e Shqipërisë thekson se, në përmbushje të mandatit të saj ligjor për sigurimin e stabilitetit financiar dhe promovimin e funksionimit efikas të sistemeve të pagesave, prej vitit 2018 ka ndërmarrë një sërë reformash të rëndësishme në bashkëpunim të ngushtë me industrinë financiare dhe institucionet shtetërore, në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël (2018–2023).

Qëllimi kryesor i këtyre reformave ka qenë promovimi i pagesave elektronike, rritja e sigurisë së transaksioneve dhe lehtësimi i aksesit të qytetarëve dhe bizneseve në shërbimet financiare, duke nxitur njëkohësisht përfshirjen financiare në vend.

Reformat dhe masat e ndërmarra janë mbështetur në analiza dhe studime të detajuara, ndër të cilat më i rëndësishmi në këtë kontekst është studimi “Mbi matjen e kostove dhe kursimeve të instrumenteve të Pagesave me Vlerë të Vogël”.

Studimi identifikon qartazi se përdorimi i parasë fizike në ekonomi mbart kosto shumë më të larta sesa instrumentet elektronike të pagesës.

Në terma makroekonomikë, kostoja e parasë fizike vlerësohet të arrijë deri në 1.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa për bizneset, kjo kosto është rreth 0.3% të PPB-së – shumë më e lartë krahasuar me kostot për përdorimin e kartave, të cilat përllogariten në vetëm 0.03% dhe 0.028% të PPB-së.

Kjo tregon se përdorimi i cash-it gjeneron kosto të ndjeshme për të gjithë aktorët ekonomikë, të cilat shpeshherë mbeten të nënvlerësuara, pasi nuk shfaqen drejtpërdrejt sikurse komisionet e transaksioneve elektronike.

Sipas Bankës së Shqipërisë, çdo nismë që synon rritjen e përdorimit të mjeteve elektronike të pagesës, uljen e varësisë nga paraja fizike dhe rritjen e formalizimit të ekonomisë vlerësohet si pjesë integrale e përpjekjeve të gjera për modernizimin e infrastrukturës së pagesave në Shqipëri.

Banka Qendrore vlerëson se masat e propozuara në projektligjin “Për procedurat tatimore”, përfshirë kufizimin e përdorimit të parasë në dorë dhe zgjerimin e aksesit në terminalet POS, janë në linjë me objektivat afatgjata të Strategjisë Kombëtare dhe përbëjnë një element të rëndësishëm të agjendës qeveritare “Cashless”.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë theksoi se çdo ndryshim i kësaj natyre kërkon një vlerësim të kujdesshëm të ndikimeve praktike, përfshirë kostot për bizneset dhe nevojat e tyre operative.

“Për këtë arsye, prioritet mbetet që masat e reja të shoqërohen me komunikim të qartë, mbështetje të nevojshme dhe instrumente lehtësuese, në mënyrë që tranzicioni drejt pagesave elektronike të jetë sa më i qetë, i qëndrueshëm dhe i pranueshëm për të gjithë aktorët e tregut”, thotë Banka e Shqipërisë në reagimin e saj.

Në vijim të këtyre përpjekjeve, Banka e Shqipërisë bën të ditur se po punon për transpozimin e rregullores së Bashkimit Europian mbi tavanet e tarifave të shkëmbimit, duke i vendosur ato në nivelin 0.2% për kartat e debitit dhe 0.3% për kartat e kreditit.

Kjo nismë pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e kostove të bizneseve për përdorimin e POS-eve.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka kërkuar që hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve të koordinohet me masat që synojnë reduktimin e komisioneve të shkëmbimit të aplikuara nga bankat.

Paralelisht, po vijon puna për operacionalizimin e TIPS Clone, një zhvillim që do të zgjerojë ndjeshëm gamën e instrumenteve elektronike të pagesave, duke krijuar një alternativë më efikase dhe më pak të kushtueshme krahasuar me pagesat tradicionale me kartë.

“Në këtë këndvështrim, Banka e Shqipërisë ka synuar të ndërmarrë të gjitha masat brenda kompetencave të saj për të siguruar që propozimet e reja të mund të zbatohen në mënyrën më të përshtatshme dhe më të lehtë për aktorët e tregut.

Institucioni mbetet plotësisht i angazhuar për të vijuar bashkëpunimin me institucionet publike dhe sektorin privat, me synimin për të ndërtuar një treg pagesash modern, efikas dhe të aksesueshëm për të gjithë qytetarët dhe bizneset e vendit”, – thuhet në reagimin e Bankës së Shqipërisë për “Monitor”.

Shoqata e Bankave: Kufiri prej 500 mijë lekësh për individët, shumë i lartë

Shoqata Shqiptare e Bankave, në parim, është shprehur dakord me propozimet e qeverisë që synojnë të reduktojnë uljen e përdorimit të parasë fizike në ekonomi.

Gjatë komenteve në Komisionin Kuvendor për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, sekretari i Shoqatës, Spiro Brumbulli, tha se, në përgjithësi, Shoqata i vlerëson hapat e propozuar lidhur me reduktimin e parasë cash dhe formalizimin e transaksioneve të shitblerjes, pavarësisht se nënvizoi që Ministria e Financave nuk bëri konsultime paraprake për të kërkuar mendimet e Shoqatës, si palë interesi, lidhur me ndryshimet e propozuara.

Shoqata e Bankave, megjithatë, e kundërshton kufirin prej 500 mijë lekësh, të propozuar nga qeveria shqiptare si limit për veprimet në cash dhe kërkon vendosjen e një vlere tavan më të ulët.

“Masa që vendoset në ndryshimet e propozuara ligjore nuk shkon në drejtim të objektivit të ekonomisë cashless. Ne kemi kërkuar me kohë që të vendosen tavane në pagesat cash.

Për herë të parë vendoset edhe një tavan për individët në këto ndryshime. Por, raportet e trajtimit të biznesit dhe individit në tavanet e propozuara na duken të palogjikshme dhe të paargumentuara. Është pozitive që ulet kufiri për bizneset, nga 150 mijë lekë në 100 mijë lekë.

Kjo tregon një frymë në favor të formalizimit të ekonomisë. Por, vendosja për individët e një tavani në shumën 500 mijë lekë është jashtë çdo analize dhe eksperience. Vendet e rajonit, si Greqia, Maqedonia e Veriut e kanë limitin 500 euro dhe e kanë njësoj, si për bizneset, ashtu edhe për individin.

Çfarë kuptimi ka të vendosim një limit prej 500 mijë lekësh për individin, kur paga mesatare është rreth 90 mijë lekë dhe ndërkohë që limiti për biznesin parashikohet në 100 mijë lekë? Propozimi ynë është që tavani për veprimet në cash të jetë diku te 50-60 mijë lekë.

Nuk e kuptoj cili është argumenti për një tavan prej 500 mijë lekësh. Ne nuk jemi as Gjermani, as Holandë, që janë vende me shkallë shumë të ulët informaliteti. Kjo masë nuk përputhet me të gjitha përpjekjet që po bëjmë për të luftuar informalitetin dhe paranë cash në ekonomi”, – tha z. Brumbulli.

Ndërkohë, Shoqata e Bankave shprehet pozitivisht rreth propozimit për pajisjen e bizneseve me POS, por ndërkohë mendon se afati i përcaktuar në projektligj, fundi i vitit 2026, mund të jetë i shkurtër.

Shoqata e Bankave mendon se për këtë proces mund të përcaktohet një afat më i gjatë, duke pritur ndërkohë edhe finalizimin e projektit të instant payments, që mund të sjellë një alternativë me kosto më të ulët se pagesat me kartë.

“Vendosja e një kanali për pagesa alternative është një gjë shumë e mirë dhe kemi vite që e kërkojmë. Megjithatë, kemi frikë se afati deri në fund të vitit 2026 mund të jetë i parealizueshëm. Sot për sot, e vetmja zgjidhje është POS. Ne po bëjmë shumë përpjekje sot, por jo të gjitha bizneset e duan dhe e përqafojnë.

Brenda vitit 2026 do të përfundojë projekti tjetër, i instant payments. Kjo do të jetë një alternativë më e thjeshtë dhe me kosto më të ulët për njësitë e biznesit. Mund të jetë më e thjeshtë që të ofrohet ky kanal si alternativë ndaj cash”, – u shpreh z. Brumbulli.

AMA: Masat pozitive, por duhet kujdes për të mos krijuar kosto shtesë te biznesi i vogël

Në një prononcim për “Monitor”, Shoqata Mikrofinanca Shqiptare (AMA) shprehet se propozimet e përfshira në projektligjin “Për procedurat tatimore”, që synojnë kufizimin e pagesave me para fizike dhe zgjerimin e detyrimit për pajisjen me pajisje të pranimit të pagesave me kartë, përbëjnë një hap në drejtimin e duhur për modernizimin e sistemit të pagesave dhe rritjen e formalitetit në ekonomi.

Praktikat e vendeve europiane tregojnë qartë se kufizimi i përdorimit të parasë fizike sjell transparencë më të lartë dhe redukton hapësirat për informalitet dhe evazion.

“Shoqata Mikrofinanca Shqiptare e ka përshëndetur iniciativën e Kryeministrit dhe Qeverisë për reduktimin e parasë cash në ekonominë shqiptare, në të mirë të rritjes së formalizimit dhe potencialit të saj.

Institucionet tona anëtare kanë investuar për të krijuar infrastrukturën e nevojshme për ofrimin e shërbimeve dhe produkteve të tyre nëpërmjet kanaleve digjitale, duke mundësuar komoditet dhe shpejtësi për klientët tanë.

Reduktimi i transaksioneve cash do të rrisë transparencën e situatës financiare të klientëve tanë, duke mundësuar një analizë rreziku reale dhe brenda një kohe të shkurtër edhe për klientët huamarrës që u drejtohen institucioneve mikrofinanciare.

Nga përvoja jonë me sektorin financiar, është e dukshme se bizneset që kalojnë gradualisht drejt pagesave elektronike përfitojnë në disa drejtime: nga menaxhimi më efikas i të ardhurave, tek ulja e rreziqeve operative dhe rritja e gjurmueshmërisë.

Po ashtu, proceset e aplikimit për financime te sektori bankar dhe ai jobankar, por edhe raportet me investitorët lehtësohen nga ekonomia digjitale, për shkak të mundësisë të procesimit të të dhënave në një kohë të shkurtër dhe me transparencë maksimale.

Ndaj, në parim, këto propozime i shërbejnë rritjes së aksesit në financa dhe konsiderohen të nevojshme, veçanërisht duke pasur parasysh angazhimin e Shqipërisë për të harmonizuar sistemet e saj me standardet e BE-së”, – thuhet në reagimin e Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare.

Megjithatë, AMA thekson se suksesi i këtyre masave varet tërësisht nga mënyra se si do të zbatohen. Për bizneset e vogla, do të nevojitet një qasje shumë më e kujdesshme: procedura të thjeshtuara, kosto të përballueshme dhe mbështetje praktike.

Vetëm kështu, sipas kësaj shoqate, tranzicioni drejt pagesave digjitale do të jetë real dhe i qëndrueshëm, pa krijuar presion të panevojshëm mbi operatorët ekonomikë.

Në lidhje me ndikimin real që masat e propozuara do të kenë në uljen e përdorimit të parasë fizike, AMA vlerëson se efekti i tyre do të varet nga balanca mes objektivave fiskale dhe kostove që mbartin për bizneset.

Kufizimi i cash-it dhe detyrimi për të kanalizuar transaksionet nëpërmjet rrjeteve të pranimit të pagesave me kartë apo platformave digjitale të pagesave do të nxisin natyrshëm rritjen e përdorimit të pagesave elektronike, çka sjell më shumë formalizim dhe mjedis më transparent për të gjithë.

“Megjithatë, ajo që mbetet shqetësim është që një pjesë e bizneseve, sidomos bizneset e vogla dhe ato që operojnë në zona me infrastrukturë të kufizuar, mund të përballen me kosto shtesë dhe sfida praktike.

Komisionet bankare, tarifat e mirëmbajtjes së pajisjeve të pranimit të pagesave me kartë apo nevoja për përshtatje me sisteme të reja kompjuterike janë elemente që rrisin barrën financiare dhe shpesh shkaktojnë rezistencë.

Pikërisht për këtë arsye, çdo detyrim duhet të shoqërohet me politika lehtësuese: ulje të komisioneve, paketa stimuluese për bizneset e vogla, konkurrencë më të madhe mes institucioneve të pagesave dhe përmirësim të infrastrukturës digjitale.

Në mungesë të këtyre mekanizmave, ekziston rreziku real që masat të perceptohen si barrë dhe të mos japin efektin e pritshëm. Nëse qasja është e balancuar dhe zbatimi mbështetet me masa ndihmëse, atëherë këto propozime mund të kontribuojnë ndjeshëm në uljen e përdorimit të parasë fizike dhe në forcimin e integritetit financiar të ekonomisë”, – shprehet AMA.

Shoqatat e biznesit, asnjë reagim

Në reagimet për paketën fiskale, asnjë nga shoqatat dhe dhomat përfaqësuese të biznesit, me përjashtim të Shoqatës së Bankave, nuk ka paraqitur ndonjë koment lidhur me masat e propozuara nga qeveria për uljen e pagesave cash.

“Monitor” kërkoi opinione mbi këto masa nga disa shoqata përfaqësuese të sipërmarrjeve më të vogla, si Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm dhe Shoqata e Bareve dhe Restoranteve, por pa marrë një reagim prej tyre.

Shqiptarët paguajnë me para cash në më shumë se 90% të blerjeve

Konsumatorët shqiptarë i kryejnë më shumë se 90% të blerjeve të tyre me para në dorë. Statistikat e Ministrisë së Financave tregojnë se paraja cash vazhdon të jetë dominuese në transaksionet e regjistruara ekonomike në vend.

Në relacionin e ndryshimeve të propozuara në projektligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, raportohet se 90.6% e faturimeve midis bizneseve me individët bëhet me mënyrë pagese paranë fizike.

Pesha e transaksioneve në cash është më e ulët e shprehur në vlerë, me 64.2% të vlerës totale të transaksioneve të kryera mes bizneseve dhe individëve.

Megjithatë, duke pasur parasysh shkallën ende të lartë të informalitetit dhe moslëshimin e kuponit tatimor, sidomos te bizneset e vogla, pesha reale e transaksioneve në para cash është me siguri edhe më e lartë se niveli i regjistruar nga administrata tatimore.

Pavarësisht tendencave pozitive në përdorimin e instrumenteve alternative të pagesave, të dhënat tregojnë se Shqipëria ngelet një ekonomi me përdorim shumë të lartë të parasë fizike në transaksionet ekonomike, krahasuar me ekonomitë më të zhvilluara.

Një anketë e kryer nga Banka Qendrore Europiane (ECB) tregoi se në Eurozonë, shkalla e përdorimit të parasë cash në transaksionet ekonomike në vitin 2024 ishte 52%.

Por pagesat me kartë po rriten me ritme të shpejta

Megjithëse paraja cash ngelet dominuese si formë pagese, statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kanali kryesor alternativ, ai i pagesave me kartë, vazhdon të jetë në rritje të shpejtë.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për tremujorin e tretë të këtij viti u kryen 6.8 milionë pagesa me kartë, 36% më shumë krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar.

Ndërsa vlera totale e pagesave me kartë për këtë tremujor arriti në 33.1 miliardë lekë, 54.7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Për të gjithë 9-mujorin 2025, numri total i pagesave me kartë arriti në pothuajse 19.4 milionë, në rritje me 39.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ndërsa vlera totale e pagesave me kartë arriti në 45.1 miliardë lekë, në rritje me 65.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Pagesat me kartë janë aktualisht në nivelet më të larta historike. Madje, për herë të parë këtë vit, numri i pagesave me kartë në pikat elektronike të shitjes (POS) ka kaluar numrin e tërheqjeve të parasë cash nga bankomatet.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për 9-mujorin 2025, pagesat me kartë përbënin 51% të numrit të përgjithshëm të veprimeve, ndërsa tërheqjet cash nga ATM-të më pak se 43% të tyre.

Megjithatë, tërheqjet cash vazhdojnë të dominojnë në vlerë, me 65% të totalit, ndërsa pagesat me kartë në terminale POS për 9-mujorin përbëjnë 17% të vlerës totale të tyre.

Rritja e kërkesës së tregut për pagesa me kartë po shoqërohet edhe me shtimin e vazhdueshëm të numrit të bizneseve që pranojnë pagesa të tilla. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i terminaleve POS për pranimin e pagesave me kartë në fund të tremujorit të tretë të këtij viti arriti në 29 261, në rritje me 24.5% krahasuar me një vit më parë.

Paralelisht, në rritje është edhe numri i kartave të pagesave. Në fund të muajit shtator, numri i kartave aktive arriti në 1.61 milionë, në rritje me 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Produkti dominues ngelen kartat e debitit, që përbëjnë afërsisht 88% të numrit të përgjithshëm të kartave të pagesave.

Vlerësohet se turizmi është një nga faktorët kryesorë që po i jep shtysë të fortë pagesave me kartë në vitet e fundit. Të dhënat e INSTAT treguan se hyrjet e shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë për 9-mujorin arritën në 10.2 milionë, në rritje vjetore me 5.7%.

Vlerësohet se zgjerimi i infrastrukturës së POS-eve dhe zhvillimi i shprehive konsumatore pas pandemisë e ka rritur ndjeshëm përdorimin e pagesave me kartë edhe nga konsumatorët vendas./Monitor


Shtuar 14.12.2025 10:50

Tags: