Divorci është kthyer në një dukuri shqetësuese edhe në Durrës, ku vetëm gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 1,307 kërkesa për zgjidhje martese në Gjykatë.
Specialistët thonë se shkaqet janë të ndryshme dhe jo më tradhtia bashkëshortore si dikur, por vështirësitë ekonomike, martesat në moshë të re dhe mungesa e përgjegjësisë në çift.
“Shumë burra nuk punojnë, gratë mbajnë barrën e ekonomisë familjare, pagat janë të ulëta. Këto probleme çojnë në konflikte dhe më pas në ndarje,” thotë avokatja Shqiponja Meta.
Qytetarët e Durrësit japin mendime të ndryshme, që nga mungesa e përkushtimit, tek pasioni për paranë, deri te dëshira për eksperienca të reja:
“Gratë kanë humbur busullën…”, thotë një banor.
“Të dy palët duhet të kenë durim dhe përkushtim, ndryshe nuk funksionon.”
“Disa duan të provojnë më shumë partnerë, s’kanë qenë seriozë që në fillim.”
“Divorci është emancipim, por edhe pasojë e kushteve të vështira ekonomike.”
“Mungon toleranca, respekti, dhe dashuria është zbehur.”
Pas ndarjes, sfidat nuk përfundojnë. Ekspertët paralajmërojnë se shumë prindër harrojnë detyrimet ndaj fëmijëve dhe pasoja më të rënda bien pikërisht mbi ta.
Sipas tyre, divorci nuk është vetëm një procedurë gjyqësore, por një fenomen kompleks që kërkon ndërhyrje dhe mbështetje institucionale për të parandaluar dëmet sociale afatgjata