Borxhi i ndërsjellët i ndërmarrjeve shtetërore arrin në 1.7 mld euro në maj 2024, duke u rritur më tej në krahasim me majin e vitit 2023 me rreth 47 milionë euro më shumë.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, totali i detyrimeve të prapambetura të ndërsjellta deri në fund të muajit maj 2024, rezulton në një shumë totale progresive 172.57 miliardë lekë (1.7 mld USD).
Të lidhura
None found
Kjo shumë është 2.8 % ose 4.7 miliardë lekë më e lartë se në fund të majit 2023. Këto detyrime janë sa 25% e të ardhurave buxhetore të planifikuara për këtë vit.
Totali i detyrimeve të ndërsjella që KESH sh.a ka deri në fund të muajit maj 2024, ndaj palëve të treta rezulton në 36.71 miliardë LEK, 6.4% më i lartë krahasuar me 5-mujorin e parë 2023.
Totali i detyrimeve të ndërsjella që OST sh.a ka deri në fund të muajit maj 2024, ndaj palëve të treta rezulton 19.66 miliardë LEK, ose 0.5% më i ulët se 5-mujori 2023.
Totali i detyrimeve të ndërsjella që OSHEE Group sh.a ka deri në fund të muajit maj 2024 ndaj palëve të treta rezulton 69.18 miliardë LEK, ose 14% më i lartë se 5 mujori 2023.
Totali i detyrimeve të ndërsjella që ndërmarrjet U-K kanë deri në fund të muajit Maj 2024 ndaj palëve të treta rezulton 40.92 miliardë LEK, ose 7.66% më i lartë se 5 mujori 2023.
Totali i detyrimeve të ndërsjella që Ministritë e Linjës/Institucionet Buxhetore kanë deri në fund të muajit Maj 2024 ndaj palëve të treta rezulton 6.1 miliardë LEK ose 9 % më shumë se 5 mujori 2023.
Në kuadër të reformës në sektorin e energjisë, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, bashkëfirmosën Urdhërin e Përbashkët “Mbi zbatimin e planit të masave për reduktimin e detyrimeve të prapambetura në sektorin e energjisë elektrike”, nëpërmjet së cilit, ndërmarrjet e sektorit energjitik raportojnë në mënyrë periodike mujore, mbi shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të ndërsjella ndërmjet sektorit të energjisë dhe entiteteve të tjera publike.
Gjatë vitit 2024, në përputhje me udhëzimin e sipërcituar, MF ka monitoruar periodikisht mbi bazë mujore detyrimet e ndërsjella të raportuara nga ndërmarrjet e sektorit të energjisë dhe entiteteve të tjera publike.
Procesi i monitorimit po tregon se vala e detyrimeve vijon të rritet në vend që të ulet.
Borxhi i ndërsjellët i ndërmarrjeve shtetërore, u shua në vitin 2014 pas një kredie me shumë se 700 milionë euro, që u mor për të shlyer detyrimet e krijuara deri në vitin 2013, stoku i të cilave ishte rreth 7,1 miliardë lekë.
Qeveria shqiptare forcoi rregullat, ligjet dhe udhëzimin për të shmangur krijimin e detyrimeve të prapambetura, por ato janë rikthyer në vlera edhe më të larta.
Ministria e Financave raporton se pavarësisht rezultatit financiar pozitiv për periudhën T1 2024, shoqëritë publike vazhdojnë të përballen me një situatë likuiditeti të pamjaftueshme, të mbartur nga vitet e kaluara, e cila ka bërë të pamundur shlyerjen e të gjithë detyrimeve sipas planit vjetor.
Një tjetër faktor që ka ndikuar në situatën aktuale janë edhe vonesat në shlyerjen e detyrimeve të ndërsjella nga ndërmarrjet U-K./Monitor
