Shteti merr në mbrojtje fëmijën e Arjan Salës për 20 vjet, Rama: Një amanet i dëgjuar pa na u thënë

Aroni, djali 5-vjeçar i Arjan Salës, heroit që humbi jetën në mars të vitit të kaluar nga flakët te qendra tregtare Casa Italia, ndërsa po shpëtonte kolegët e tij, është marrë nën përkujdesjen e shtetit.

Vogëlushi është në mesin e 11 të tjerëve, prindërit e të cilëve ranë në krye të detyrës, morën statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”. Në ceremoninë e zhvilluar sot në Kryeministri, kreu i qeverisë Edi Rama vlerësoi edhe njëherë aktin dhe shembullin dinjitoz që Arjan Sala ka dhënë, ndërsa humbi jetën e tij.

Rama theksoi se ky është një amanet i përmbushur, ndërsa Aroni do të ketë përkujdesjen e shtetit për 20 vitet e ardhshme të jetës së tij. Kryeministri zbuloi gjithashtu se ideja për t’i dhënë këtyre fëmijëve këtë status i erdhi ditën që vizitoi familjen e Arjan Salës.

“Rreziku më i madh që i kanoset çdo kujt në fakt, por sidomos një qeverie është që të jetojë me bindjen se i di të gjitha. Janë edhe ngjarjet, shembuj, nxitje që vijnë nga kontakti intensiv me shoqërinë dhe e pasurojnë dhe çojnë përpara programin e një qeverie. Një amanet të dëgjuar pa na u thënë të gjithë këta prindër që nuk jetojnë më. Një amanet të thënë pa fjalë Arjan Sala në shtëpinë  tij kur ai mungonte. Ishte e pranishme nusja e re dhe i ati, bashkë me familjarët e tjerë. ne i japim Aronit një mbështetje për 20 vitet e ardhshme me një mirënjohje të madhe jo vetëm për gjestin  të atit, por edhe nxitjen që i ati u bë që ne të jemi këtu sot”, u shpreh kryeministri. g.v/abcneës.al

Shtuar 4.05.2022 10:58