Gjykata Kushtetuese, ka afat 30 ditë për të vendosur mbi ankimimin e Erion Veliajt, për të anuluar shkarkimin e tij nga detyra si kryebashkiak i Tiranës dhe dekretin për zgjedhjet në kryeqytet.
Për shkak të natyrës sensitive të çështjes, vendimi mund të publikohet edhe javën e ardhshme, duke dhënë qartësi nëse Veliaj do të vazhdojë detyrën ose Bashkia e Tiranës do të shkojë në zgjedhje.
Seanca e një dite më parë zgjati 7 orë, ku Veliaj u përball me përfaqësuesit e Kryeministrisë dhe Presidencës, të cilët firmosën shkarkimin dhe dekretonin zgjedhjet.
Veliaj, i shfaqur për herë të parë në publik pas 9 muajsh në paraburgim, kërkoi anulimin e vendimit, duke e cilësuar procesin si të motivuar politikisht.
Ai deklaroi se është rrëmbyer nga zyra pa kryer asnjë shkelje dhe se po mbahet në një regjim më të rëndë sesa për vrasjet seriale, duke përjetuar shkelje të të drejtave themelore dhe përpjekje për ta heshtur si zgjedhur vendor.
“Besimi se vota e lirë është më e fortë se kulisat politike është fuqia që më shtyn të bëj këtë betejë”, u shpreh Veliaj.
Nga ana tjetër, Këshilli i Ministrave dhe Presidenca mbrojtën vendimin, duke argumentuar se kanë vepruar brenda kuadrit ligjor dhe kërkuan shpalljen e moskompetencës së Kushtetueses, duke propozuar që Veliaj të drejtohej në Gjykatën Administrative.
Debati mes Veliajt dhe përfaqësuesve të qeverisë u fokusua në ligjshmërinë e shkarkimit me arsyetimin e mungesës në detyrë për tre muaj, që Veliaj e cilësoi si padrejtësi dhe fyerje, sidomos nga kolegët e tij, të cilët sipas tij njohin më mirë punën e tij në bashki.
Gjykata Kushtetuese pritet të marrë vendimin përfundimtar brenda 30 ditëve, ndërsa trupa gjykuese mund të kërkojë kohë shtesë për arsyetimin e vendimit.
